Vendi në krizën më të thellë politike, pas sistemit komunist

486
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kriza më e thellë politike. Opozita pa mandate, parlamenti shqiptar (ri)kthehet në …monizëm

Kryeministri Rama reagon pas dorëzimit të mandateve të opozitës: Nuk dorëhiqem, zgjedhjet parlamentare në 2021-shin

Shqipëria më 21 shkurt 2019, u rikthye sërish në …monizëm, derisa tani parlamenti përbëhet vetëm nga një parti politike. Opozita zyrtarisht, ka dorëzuar të gjitha mandatet e deputetëve, madje, kanë firmosur mospranimin e marrjes së mandateve edhe kandidatët e Listave të partive parlamentare, që, sipas Kodit Zgjedhor, do të ishin zëvendësuesit për deputetë. Kjo është kriza më e rëndë politike, që pas viteve 1991 në Shqipëri. Dje, për më shumë se tre orë protestë opozita e bashkuar dorëzoi dje mandatet e deputetëve dhe nga dita e djeshme janë qytetarë të lirë. Me thirrje ‘Rama ik’, ‘mandatet janë të qytetarëve’ deputetë të opozitës iu drejtuan protestuesve fillimisht në sheshin para parlamentit. Reagimi i parë i mazhorancës, pas dorëzimit të mandateve të deputetëve është nga Taulant Balla, kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, i cili e cilësoi si “tradhti kombëtare” dorëzimin e mandateve të deputetëve dhe PD-LSI si “organizatë terroriste”. Më pas, kryeministri Rama e bëri të qartë: Nuk do të dorëhiqet dhe zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen në qershorin e 2021-it. Pyetja është: Do të mundet që deri ën qershorin e 2021-it, parlamenti shqiptar të mbijetojë në …monizëm? Nga BE-ja a do të konsiderohet Shqipëria me një parlament pa opozitë, si partnere për të negociuar hapjen e bisedimeve për anëtarësim?

Parlamenti, shndërrohet nga Policia në garnizon ushtarak

Mëngjesi i 21 shkurtit, e gjen parlamentin shqiptar të rrethuar me tela me gjemba, thua se është shndërruar në një garnizon ushtarak. Mbi 1.200 policë, kanë formuar 3 kordonë mbrojtës, thua se presin ndonjë sulm të armikut…

Kryeministri Rama sqaron italianët: Shqiptarët më bie në qafë kot

Kryeministri, Rama ka folur sërish për gazetën ‘Messaggero’. Rama: ‘Çfarë revolte popullore? Kjo është një protestë e organizuar nga establishmenti i rrëzuar me votë popullore pesë vjet e gjysmë më parë…Italianët duhet të dinë se thjesht jemi në prag të zgjedhjeve lokale. Opozita është shumë pas me sondazhe dhe do të humbasë në çdo qytet. Dhe duan që të dorëhiqem! Çfarë do të thuash, që kanë dalë 10-15 mijë persona në një vend, me 4.2 milionë banorë? Është sikur të kërkosh nga Juventus, meqë është shumë i fortë, të pranojë që formacionin t’ia bëjnë të tjerët, jo trajneri i tyre dhe që kampionati të nisë sërish nga fillimi… pa Ronaldon.

Protesta e opozitës në vëmendjen e mediave të huaja, zbarkojnë në shesh duke raportuar Live

Ashtu sikurse edhe ajo e 16 shkurtit, edhe protesta e ditës së sotme që po zhvillohet në sheshin përpara parlamentit, ka marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Disa prej tyre shihen të raportojnë edhe “Live” drejt nga protesta. “Rai 1”, “SkyNews 24”, “Rai News24, “Zëri i Amerikës” dhe “DW” ndodhen para parlamentit duke treguar atë që po ndodh. “The Washington Post” shkruan se mbështetësit e opozitës kanë rrethuar ndërtesën e parlamentit duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë. “Mbështetësit e opozitës shqiptare kanë rrethuar ndërtesën e parlamentit dhe po kërkojnë që qeveria të japë dorëheqjen, duke pretenduar se është e korruptuar dhe ka lidhje me krimin e organizuar. Qindra policë dhe tela me gjemba po mbrojnë ndërtesën e parlamentit në qendër të Tiranës nga protestuesit dhe seanca e parlamentit të së enjtes tashmë është anuluar” shkruan “The Washington Post”. “Fox News” e nis lajmin me paralajmërimin e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara kundër dhunës që i drejtohet opozitës shqiptare, duke theksuar gjithashtu edhe thirrjet që ligjvënësit të mos e bojkotojnë parlamentin.

Dhjetëra mijëra qytetarë në protestë

Dhjetëra mijëra protestues u mblodhën përpara sheshit të Parlamentit, që në orët e para të mëngjesit. Edhe pse policia e Shtetit kishte informuar kohë më parë, se kishte skenarë, që bënin fjalë për dhunë nga protestuesit, deri në dhunimin e sallës së parlamentit, sa edhe ambasadat e akredituara në Tiranë u shqetësuan, protestuesit gjithë kohën e protestës, nuk bënë asnjë veprim të dhunshëm, nuk ndodhi asnjë incident

AKEP, sikundër Ergodan: Ndërpriten komunikimet elektronike në disa zona të Tiranës

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare çuditërisht, ndërmerr një veprim të pashoq. Me urdhër politik nga Policia e Shtetit ndërpret edhe …internetin nga ora 08 – 016, me pretekstin e Sigurisë Kombëtare, por me qëllim që të pengonte transmetimin LIVE të televizioneve të huaja, që kishin ardhur, për të transmetuar protestën. Ky akt është i dënueshëm, që cenon lirinë e fjalës dhe ka ndodhur vetëm në regjime të tilla si në Turqinë e Erdoganit, në Iran dhe në Korenë e Veriut.

DW: S’mund të transmetojmë Live, ndërprenë internetin dhe telefonin

Media e njohur gjermane, Deutsche Welle, njoftoi nga Tirana se nuk ka më mundësi transmetimi direkt të protestës së qytetarëve në Tiranë, pasi janë ndërprerë valët e internetit dhe telefonisë. “Ndërpriten valët në zonën e protestave. Të nderuar miq të DW-së, korrespondentet tona që ndjekin zhvillimin e protestës në Tiranë na njoftojnë se nuk kanë mundësi kontaktimi “live”, sepse ne zonat e protestës duket se është bllokuar çdo valë interneti dhe telefonike.”

Ambasada e SHBA jep një mesazh 1 orë para protestës

Një orë para nisjes së protestës së opozitës para Parlamentit, ambasada amerikane kërkoi nga qytetarët që protestojnë që të ushtrojnë paqësisht të drejtën e tyre për t’u mbledhur dhe të refuzojnë dhunën. Ambasada e SHBA në Tiranë i bën thirrje qeverisë që të tregohen të përmbajtur.

Këshilli i Evropës: Opozita nuk duhet të braktisë Parlamentin

Vendimi i partive të opozitës në Shqipëri për të hequr dorë nga mandatet parlamentare ka sjellë edhe reagimin e Këshillit të Evropës. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjørn Jagland deklaroi të enjten se opozita nuk duhet të braktisë Parlamentin. “E drejta e tubimit dhe e demonstrimit duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore,” deklaroi Jagland.

Protesta, orv pas ore

Ora 8:05- Dhjetëra autobusë dhe mjete private janë nisur për në kryeqytet ku do të mbahej protesta e opozitës së bashkuar, e dyta brenda pak ditës

Ora 08: 40- Kryetari i degës së PD për Elbasanin Eugen Isai ka thënë se pjesëmarrja e elbasanasve në protestën e djeshme para Parlamentit do të ishte masive. Sipas tij të paktën 1500 persona janë nisur me mjete private dhe 3 autobusë.

Ora 09:03- Mësohet se nga Lezha, Kurbini dhe Mirdita si dhe njësite vendore përkatëse janë me dhjetëra automjete dhe autobusë që janë nisur në drejtim të Tiranës. Sipas disa protestuesve, automjetet po kontrolloheshin në dalje të Laçit nga policia por nuk janë shënuar incidente.

Ora 09:10-Të rinjtë e FRPD kanë hedhur karafila para parlamentit dhe kanë ndezur qirinjtë, në shenjë simbolike. Të rinjtë e FRPD shprehen se karafilat dhe qirnjtë simbolizojnë fundin e kësaj qeverinë dhe po i bëjnë funeralin politik rilindjes.

Ora 10:03– Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur në selinë e PD.

Ora 10:35– Kreu i PD, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë lënë selinë e partive të tyre dhe janë drejtuar për në Kuvend për t’ju bashkuar protestuesve.

Kryemadhi: S’ka më kthim pas!

Ora 11:35: Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka dalë para mijëra protestuesve duke mbrojtur policët dhe duke akuzuar qeverinë. Kryemadhi tha se policët janë njësoj si gjithë shqiptarët, ndërsa theksoi se mandatet e opozitës nuk janë më fasadë e narko-shtetit por të shqiptarëve. Ajo deklaroi se nuk më kthim pas.

Dashamir Shehi: Ky zotëria që duam të përzëmë (Edi Rama) është e keqja më e madhe që na ka rënë në 30 vjet. Nuk jemi mrekullia ne, nuk jemi pa huqe, por të keqe më të madhe se kjo nuk i kishte rënë Shqipërisë. Ky njeri që bredh poshtë e përpjetë Shqipërisë dhe hedh helm kundër shqiptarëve dhe pretendon se do na bashkojë me Kosovën, ky do të ndajë edhe Shqipërinë nëse e lëmë. Por nuk do ta lëmë. Është rrugë e gjatë dhe e vështirë po nuk kemi rrugë tjetër. Nuk na ka lanë shteg tjetër përveç protestës së rrugës. Do të vijë dita që do t’i kthehemi asaj salle, por do t’i kthehemi si burrat!
Basha: Rama para drejtësisë. Opozitarët nuk janë popull i dhunës

Ora 12:00- Kryedemokrati Lulzim Basha: Sot jam qytetar i Tiranës në krahun tuaj dhe me ju deri në fitore. Zoti e ka nisur rrugëtimin e pranverës herët dhe me ndihmën e Zotit shqiptarët e bashkuar kanë nisur rrugëtimin e shpresës. Ky rrugëtim që nisi me bashkimin më të madh të shqiptarëve në 29 vite liri dhe pluralizëm do të vazhdojë pandërprerë deri në largimin e qeverisë së krimit, për krimin dhe me krimin. ‘Rama ik! Rama ik!’ Ne nuk do të pranojmë kurrë më një kryeministër bandit të kapur në flagrancë duke vjedhur vullnetin e popullit në bashkëpunim me mafiozët, trafikantët, bandat e krimit të organizuar, të kapur në flagrancë duke vjedhur qindra miliona nga xhepat e shqiptarëve që nuk paguajnë dot bukën e gojës. Për Edi Ramën, dorëheqja është vetëm fillimi, ai do të shkojë para drejtësisë.

Basha mesazh ndërkombëtarëve: Mos më kërkoni të pranoj, atë që ju nuk do e pranonit kurrë për popullin tuaj

Ora 12:10 Kreu i PD-së, Lulzim Basha e ka nisur fjalën e tij para protestuesve të mbledhur para Kuvendit, me një mesazh të fortë për ndërkombëtarët. Basha : Dua t’ju them miqve të mi, atyre që nuk e dinë akoma se këtu nuk ka parlament, nuk ka drejtësi se ai që ju del përpara si Kryeministër është Maduro i Ballkanit. Por kjo nuk është Venezuelë. I them miqve të mi të më kërkojnë çfarë të duan unë si kreu i opozitës do ta bëj, por mos më kërkoni të pranoj atë që ju nuk do e pranonit kurrë për popullin tuaj. Nuk do pranoj që kushtetuta të kthehet në letër higjienike. Nuk do pranoj zgjedhje të blera me ndihmën e krimit të organizuar. Kur nuk do ta pranoja më narko-shtetin.

Opozita zyrtarisht pa deputetë në Parlament

Ora 12:30 Kreu i PD, Lulzim Basha ka dorëzuar mandatin e deputetit në Kryesinë Kuvendit.

PD: I vumë kyçin parlamentit të krimit, jemi qytetarë të thjeshtë

Ora 13:00 Kreu i PD, Lulzim Basha ka folur para simpatizantëve nga selia e PD pas protestës së djeshme tek Parlamenti dhe dorëzimit të mandateve në Kryesinë e Kuvendit së bashku me protestuesit. Në selinë blu ishte e pranishme edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Gjatë fjalës së tij, Lulzim Basha tha se dje opozita dorëzoi mandatet dhe i vuri kyçi parlamentit të krimit duke u rreshtuar me krah qytetareve si njerëz të thjeshtë. “Misionarë të shpresës opozita parlamentare dorëzoi mandatet dhe i vuri kyçin parlamentit të krimit. Ne jemi qytetarë të thjeshtë në krahun tuaj, me ju dhe për ju. Nisëm një rrugëtim shprese që nuk do ndalet derisa të largojmë kryehajdutin”- tha Basha.

Taulant Balla: PD – LSI janë organizatë terroriste

Mandatet që PD dhe LSI paraqitën dorëheqjet nuk janë personale, as të partive respektive, por janë shprehje e vullnetit të popullit. Dorëzimi i dorëheqjeve prej shumë prej deputetëve të këtyre dy partive përbën një tradhti për të gjithë ata qindra mijëra qytetarë që besuan tek platforma e opozitës në qershor 2017. Kjo sjellje e paprecedentë e PD dhe LSI sot ngjason gjithmonë e më shumë me një sjellje tipike të një organizate terroriste, e gatshme për të hedhur në erë të gjithë sistemin.

Ora 18.45 Kryeministri Rama: Nuk ka ndërprerje të mandatit, dora jonë e dialogut është e shtrirë

Unë nuk jam as i rënë nga qelli dhe as i pagabueshëm. Përkundrazi kam bërë gabim, edhe jam tërhequr edhe kam thënë, më fal. Jam tërhequr duke bërë hap prapa më shumë se njëherë, kur kam parë që ata që protestojnë kanë të drejtë. Kam bërë çmos t’u gjendem atyre që më kontaktojnë Shqipëria që unë dua dhe për të cilën, kam besimin e kam bashke më PS, mbështetjen e këtij populli nuk është kjo që kemi. Se po të ishte kjo unë nuk do të bëja këtë detyrë. Kjo Shqipëri që kemi, jo nuk është ajo që kishim, por nuk krahasohet dot në asnjë zonë të territorit të Shqipërisë që kishim. Në kohën kur këta që sot kërkojnë kokën time ia futën këtij populli kokën në mes të këmbëve të keqqeverisjes së tyre. Ata e dinë se humbjen e zgjedhjeve lokale e kanë të pashmangshme, sepse e dinë që nuk kanë shumicën e popullit. Sovrani nuk është ai që del në rrugë, por ai që gjykon në zgjedhje. U blenë zgjedhjet në 2017 dhe këtë e provoi “Zëri i Amerikës” dhe prandaj duhet zëvendësuar parlamenti me rrugën dhe sovrani me militantë që dalin në rrugë. Ndjesë, por këtë nuk e pranon bota demokratike.