Veliaj: “Trajtim me dinjitet për familjet dhe studentët e strehuar aty; Rrënojat e ish-konvikteve shtrojnë terminalin e ri”

440
Sigal

Prishen edhe dy godina të dëmtuara nga tërmeti në Institutin Bujqësor të Tiranës

Bashkia e Tiranës vijoi edhe sot punën për prishjen e ish-konvikteve të vjetra në Institutin Bujqësor të Tiranës, të cilat u dëmtuan rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit dhe paraqisnin rrezik për banorët. Ndërkaq, familjet dhe studentët që ishin strehuar aty, janë trajtuar me bonus qeraje.

Ekspertë nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit dhe Forcat e Armatosura kryen me sukses shembjen me eksploziv të dy godinave të tjera, duke i hapur rrugën ndërtimit të Kampusit të ri Universitar për studentët e UBT-së.

Aksioni u ndoq nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se familjet që i kishin zaptuar këto godina gjatë viteve të tranzicionit janë sistemuar në banesa të reja me bonus qiraje, si të gjitha familjet e prekura nga tërmeti, ndërkohë që studentët janë kompensuar dhe u është dhënë bonus qiraje.

“U kemi rimbursuar 35 mijë lekëshin, plus bonues qeraje 60 mijë lekë për secilin, çdo student ka dalë me 95 mijë lekë në dorë nga kjo histori dhe realisht janë më të fituarit. Kurse familjarët janë trajtuar me bonus qeraje, edhe kush ka ngelur i fundit do të marrë bonusin e qerasë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak javës tjetër. Në këtë mënyrë jemi sjellë me dinjitet me të gjithë njerëzit që ishin këtu, qofshin studentë, qofshin familjarë”, deklaroi Veliaj.

Ai sqaroi se inertet nga godinat që po prishen në Institutin Bujqësor po shfrytëzohen për terminalin e ri. “Simbolika është shumë e bukur: Rrënojat e ish-konvikteve shtrojnë terminalin e ri, ku do të vijnë studentët në Tiranë. Me shpresë se fara e re do të lulëzojë diçka më të bukur”, tha Veliaj.

Në bazë të akt-konstatimit të Institutit të Ndërtimit, dhjetë godinat në Institutin Bujqësor të Tiranës u cilësuan si të pabanueshme dhe të rrezikshme, si për familjet që jetonin në 8 godinat e zaptuara, ashtu edhe për dy godinat ku ishin strehuar studentë.