Veliaj: “Puna për fëmijët, një nga projektet më afër zemrës sime; ndërtojmë dhe 50 kënde të tjera në mandatin e dytë”

439
Sigal

Kënd i ri lojërash për fëmijë në zonën e “Don Bosko-s”, do u shërbejë 5 mijë banorëve

Bashkia e Tiranës e ka nisur mandatin e ri aty ku e la para zgjedhjeve të 30 qershorit, te puna për fëmijët. Njësoj si bashkëmoshatarët e 46 lagjeve të tjera në Tiranë, edhe fëmijët e bllokut të banimit në Rr. “Eshref Frashëri” në “Don Bosko” do të kenë shumë shpejt një hapësirë vetëm për lojëra dhe argëtim. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen për ndërtimin e këndit rekreativ për 5 mijë banorët e zonës dhe u shpreh shumë entuziast për punën e bërë.

 

“Fill pas zgjedhjeve vijojmë me një nga projektet që e kam shumë më afër zemrës sime, por besoj edhe për prindërit e Tiranës, këndet e lodrave. Nëse bëmë diçka mirë në mandatin e parë, ishte fakti që çdo muaj bëmë nga një kënd të ri lodrash. Besoj se do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, çdo muaj me nga një kënd të ri lodrash edhe në mandatin e dytë. Pra, në qoftë se kemi bërë 46-47, të bëjmë edhe 50 të tjera, prandaj besoj se deri në fund të këtij mandati të kemi 100 kënde lodrash, në 100 pika të ndryshme të Tiranës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se investimi më i mirë për të ardhmen e qytetit është puna që bëhet me fëmijët, për t’i nxitur ata të merren me aktivitete fizike. “Kjo puna e fëmijëve në komunitet është në dorën tonë. Ata mund të jenë të padukshëm nëse nuk ka asnjë infrastrukturë për fëmijët. Të gjithë pyesin ku janë kalamajtë: ata janë ose nëpër telefona e pajisje elektronike, duke u kërrusur dhe atrofizuar në shtëpi; ose mund të zgjedhim që ata të jenë të dukshëm. Në momentin që krijohet një kënd lodrash, krijohet një hapësirë për aktivitet fizik dhe befas një zonë që duket sikur s’ka fëmijë, bubërron nga jeta dhe fëmijët. Mezi pres që në datën 10 korrik ky bast të fitohet edhe në këtë komunitet”, shtoi Veliaj.

 

Kryebashkiaku shtoi se ky kënd do t’i shërbejë edhe më të rriturve, kryesisht gjyshërve dhe gjysheve, të cilët mund të shoqërojnë nipërit dhe mbesat e tyre, si dhe të kalojnë kohën në një hapësirë të gjelbëruar. “Shpresoj që funksionet e munguara për një komunitet me 5 mijë banorë, t’i kemi pasqyruar në këtë kënd të ri lodrash. Jam shumë i bindur se edhe për të rriturit, edhe për gjyshet dhe gjyshërit që dalin me fëmijët, hapësirat rekreative, një stol, një lojë domino, një shah, është një mundësi fantastike që edhe ata të argëtohen, e që të mbajnë një sy te djemtë dhe vajzat e komunitetit. Besoj se kjo është copa e fundit që e kompleton investimin në këtë lagje: shkolla e re këtu ngjitur zgjidh çështjen e mësimin me dy turne, edhe besoj që në 10 korrik, kur të kemi gjallërinë dhe energjinë e fëmijëve, do e kemi nisur mbarë këtë mandat”, tha Veliaj.

Ai theksoi se puna për ta bërë qytetin më të mirë do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, ashtu si edhe gjatë mandatit të parë. “Ka shumë njerëz që thonë zgjedhjet mbaruan, çfarë jeni duke bërë? Të gjithë atyre njerëzve u themi që për ne fushata është e përditshme. Një nga arsyet pse fushata shkoi mbarë është se nuk punuam 30 ditë, por kemi punuar 1500 ditë. Ndaj, fushata ishte thjesht vazhdimi i rutinës sonë të përditshme. Me të njejtën frymë dua që të vazhdojmë edhe në këtë mandat”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës.

 

Këndi i lojërave në rrugën “Eshref Frashëri” në zonën e “Don Boskos”, në Njësinë 9, ka një sipërfaqe rreth 700 m2, dhe veç moduleve të lodrave për fëmijë do të ofrojë një hapësirë të gjelbëruar, me ambiente çlodhje dhe ndriçimin përkatës.