SPAK e GJKKO arrestoni përgjegjësit e grushtit të shtetit, ndryshe jeni pjesë e tij!
Krimi shtetëror në formën tipike të një grushti shteti të mirëorganizuar tek GJKKO është parë nga gjithë Shqipëria dhe përtej deri në Bruksel e Washington. Administrata e Bashkisë së Tiranës boshatisi zyra, la qytetarët pa shërbime, rrethoi Gjykatën dhe u hodh në një protestë pa leje dhe të paligjshme të organizuar nga Rama, që ka marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Veliajt.
Policia, e cila në mitingjet e njoftuara sipas ligjit të opozitës paraqitet me qindra police, forca të ndërhyrjes së shpejtë, police civile edhe me armë, me bomba me gaz lotsjellës, me autobote me ujë me presion, me mburoja e skafandra dhe me spraj irritues, nuk ekzistonte fare përpara Gjykatës. Policia ka refuzuar të zbatojë ligjin ndaj një mitingu flagrant pa leje ku duhej të ndërhynte për shpërndarjen e tij, ndërkohë që kafshërisht e ka bërë këtë në mitingjet e njoftuara e të ligjshme të opozitës.
Ka refuzuar bashkëpunimin me Garden, kur ka qenë po kjo polici, që ka hyrë në territorin e Parlamentit dhe ka dhunuar edhe deputetët opozitarë. Ministri ka mashtruar publikisht në Parlament dhe ka bërë alibinë e grushtit të shtetit përpara Kuvendit të Shqipërisë sipas një skenari të mirëpërcaktuar. Policia ka lënë në mëshirë të fatit dhe ka lejuar rrethimin e furgonit që shoqëronte të arrestuarit si dhe automjetet e gjyqtarëve e prokurorëve. Policia e horrave që bën qindra arrestime në protestat e ligjshme të njoftuara të opozitës dhe procedon penalisht dhjetra deputetë, nuk ka bërë asnjë arrestim të vetëm për këtë grusht shteti ku organizatorët i ka parë nga televizori gjithë Shqipëria. Faktet janë ulëritëse.
SPAK të procedojë dhe arrestojë urgjentisht Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e përgjithshëm të policisë dhe të gjithë ata, që kishin përgjegjësinë të mbronin Gjykatën, por që nuk e bënë qëllimisht dhe zgjodhën të ishin aktorë aktivë në kryerjen e grushtit të shtetit. S’ka asnjë minutë kohë për të humbur!
Nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë është e qartë se grushti i shtetit që ndodhi ishte një aksion mafioz i narkoqeverisë ku edhe SPAK edhe GJKKO kanë qenë pjesë e tij dhe ku shkresat zyrtare të tyre mbeten të jenë një shplarje goje dhe alibi, që vetëm legjitimon puçin dhe bashkë me të dorëzimin përfundimtar të drejtësisë tek narkomafia në pushtet.