Rama thirrje turqve: Investoni në Shqipëri, kemi pesë burime

403
“Ambicia jonë është të krijojmë kushtet për investime të huaja në disa fusha ndër të cilat kryesorja është turizmi”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në konferencën “Tryeza e Ideve”, gjatë vizitës në Turqi.
Rama ftoi investitorët turq të vijnë në Shqipëri, pasi sipas tij është një vend që ofron mundësi të shumta. “Ajo që kuptuam ishte se ne kishim nevoje të hartonim një model të ri zhvillimi dhe të mbështesnim luftën tonë për rritje ekonomike në burime te qëndrueshme. Praktikisht, kemi kuptuar se ka 5 burime të qëndrueshme rritjeje ekonomike për vendin. Së pari, energjia e cila bazohet në faktin se Shqipëria është vendi i dytë më i pasur në Europë, pas Norvegjisë, për burime ujore dhe potencial hidroenergjitike. Plus vijnë nafta dhe mineralet. Vendi ynë ka burime të konsiderueshme nafte në tokë, si edhe burime të rëndësishme mineralesh”, theksoi Rama gjatë fjalës së tij.
Por ajo që këmbënguli kryeministri shqiptar para biznesmenëve turq ishte Shqipëria turistike. Rama garantoi turqit se kanë shumë gjëra për të para në Shqipëri gjatë një vizite dhe ata sërish nuk do mërziten.
“Shqipëria është një destinacion totalisht i paeksploruar, dhe e po e shikojmë vit pas viti se si botime shumë të rëndësishme për turizmin, që nga New York Times, tek Lonley Planet, National Geographic dhe agjencitë më të mëdha të turizmit, sidomos të Europës Veriore, po u sugjerojnë turistëve që të konsiderojnë Shqipërinë si destinacionin e tyre. Duam të investojmë në një turizëm të cilësisë së lartë. Dhe Shqipëria ka një cilësi fantastike, sepse nuk është kurrë një vend i mërzitshëm. Ndaj ju lutem, ejani dhe qendroni në Shqipëri një, dy, tre, katër ose më shumë ditë dhe keni për të parë se do të përjetoni shumë gjera, por kurrë nuk do të mërziteni”, theksoi Rama.
Vizita e kryeministrit në Turqi u shoqërua me një sërë akuzash nga Partia Demokratike, sipas të cilës Rama shkoi për të bërë bisedime për hidrocentralin e Skavicës. Kjo vizitë e Kryeministrit Rama është në vazhdën e takimeve të zhvilluara më parë në Itali apo Gjermani, për t’u takuar dhe nxitur sipërmarrësit e huaj, të interesuar për të investuar në Shqipëri.
Sigal