Miratohet MSA, nënshkrimi në qershor, hyrja në fuqi në 2016

462
Komisioni Evropian ka miratuar sot, tekstin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës i cili tashmë do t’i përcillet Këshillit të përbërë nga gjithat shtetet anëtare për ta marrë vendimin e tyre, për nënshkrimin e marrëveshjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Pasi Këshilli të marrë vendimin, me pajtimin e të gjitha 28 shteteve anëtare, duke përfshirë këtu edhe 5 vendet e BE-së të cilat nuk e kanë pranuar Kosovën (Spanja, Rumania, Sllovakia, Greqia dhe Qipro), Përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, do ta nënshkruajë marrëveshjen në emër të BE-së, ndërsa në emër të Kosovës, Qeveria do ta caktojë nënshkruesin e këtij dokumenti.
Me faktin se Mogherini do ta nënshkruaj MSA-në në emër të BE-së dhe me këtë nënkuptohet se marrëveshja ka karakter evropian, nuk do të ketë nevojë që ajo të nënshkruhet nga secili shtet anëtar veç e veç dhe kështu, janë shmangur mundësit e bllokadave eventuale të kësaj marrëveshjeje nga shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Marrëveshja për Stabilizim-Asociim konsiderohet si kyçe në raportet e Kosovës me BE-në, si për bashkëpunimin politik, ashtu edhe për shkëmbimin tregtar.
Sipas njoftimit nga BE-ja, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje parashikohet për në qershor, kurse hyrja në fuqi, në fillim të vitit 2016.
Dialogun me BE-në për nënshkrimin e MSA-së, Kosova e ka filluar në vitin 2013, si shpërblim për pjesëmarrjen e saj në dialogun me Serbinë, kur Serbia kishte marr statusin e kandidatit për BE. 
Në dokumentin e MSA-së për Kosovën, Kosova ka marr përsipër vazhdimin e dialogut për përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Serbinë, proces ky i cili duhet të rezultojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të këtyre dy shteteve ballkanike, të cila synojnë integrimin në Bashkimi Evropian. 
Sigal