Vasili: Sot Tirana dhe tërë Shqipëria kërkojnë përgjigje për rimbursimin e barnave për Covid

157
Sigal

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!
Shqiptarët janë të mbërthyer sot në darën e 2 problemeve tepër të mëdha: pandemisë, që është në pikun e saj kritik dhe të motit të keq me përmbytje, reshje bore e të tjera, të cilët sigurisht e kanë vënë Shqipërinë dhe shqiptarët para një prove shumë të fortë, pasi janë më të vetmuar se kurrë. Sot kur do të duhej të kishim në vijë të parë aktive, të pakursyer, me të gjithë forcat dhe mjetet, logjistikën, qeverinë dhe kryeministrin e tyre, ju patë që nga zyrat e ngrohta Kryeministri dhe i emëruari i tij në Bashkinë e Tiranës, u bënin logje me orë të tëra qytetarëve, ndërkohë që ata janë të bllokuar nëpër rrugët me borë nëpër Shqipëri, e të përmbytur, siç është situata në mënyrë të veçantë në qarkun e Shkodrës, e cila paraqitet kritike si kurrë ndonjëherë.

Sot të dy bashkë, dy jabanxhinj të mëdhenj politik, dy Ndrangheta të konsoliduar mirë në politikë, dolën sërish të ofendonin qytetarët e Tiranës. Një ish kryebashkiak dhe një i emëruar në bashki dolën të gënjenin sërish, duke filluar nga uji i pijshëm, që ish kryetari i Bashkisë, i famshmi Edi Rama e premtonte që në 2000. Kanë kaluar plot 21 vjet nga ky premtim dhe besoj që nuk ka ndonjë qytetar që jeton në Tiranë, që mund të ketë durim të presë edhe 20 vjet të tjera. Pasi në këto 20 vjet premtime e mashtrime të këtij të 2000, të Edi Ramës, e të këtij Veliajt të 2021 që ndodhemi, që urdhëroi edhe heqjen e depozitave të ujit se uji do buçiste në Tiranë. Ka plot tiranas në këto vite që kanë humbur jetën e nuk jetojnë më e nuk e panë dot ujin 24 orë. Por panë vetëm mashtrimin e radhës që i vuri kapak me demek urdhri i heqjes së depozitave dhe Tirana ujë nuk ka, por ka qenë festa e autoboteve, që paguheshin nga xhepat e varfër të qytetarëve të Tiranës.

Sot kryeministri na doli sërish e na tha që kjo punë është e mbaruar sepse i kemi dhe paratë dhe bëri prapë gënjeshtrën e radhës, që të vazhdojë të gënjejë edhe vite e vite të tjera. Mos harroni ka 21 vjet që gënjen. Çfarë i dhuruan Tiranës? Këta i dhuruan kulla pafund, një mijë e ca kulla brenda një kohe të shkurtër. Këta që do t’i dhuronin lulishte, e helmuan dhe i futën dej e në dej betonin e shkatërrimin e qytetit të Tiranës.

Dhjetëra mijëra qytetarë të Tiranës kanë kaluar edhe janë aktualisht me Covid, e bashkë me ta vuajnë edhe dhjetëra mijëra qytetarë të tjerë, të cilët nuk marrin asnjë lek ndihmë, nuk u rimbursohet asnjë lek barna, por nxjerrin qindra mijëra lekë nga xhepat e tyre për të përballuar Covidin. Sepse qeveri e kryeministër nuk ka. Nuk u gjendet. Tani u duhej qeveria dhe kryeministri shqiptarëve. Kryeministrin e kanë për llogje në zyrën e ngrohtë, para televizorit, para mediave që u japin mijëra minuta kohë të pa merituar, kohë të shpërdoruar, kohë mashtrimi dhe tregojnë sërish që këta janë në punë. Po është e vërtetë që këta janë në punë, po për Ndrangheten, por janë në gjumë për popullin. Pra motoja e tyre “Punë për Ndrangheten”, e punojnë shumë mirë për të, e në gjumë për popullin. Dhe këtë nuk e mohon dot asnjë në Tiranë.

Është fare e vërtetë që këta me betonin e tyre, me kullat pafund që ndërtohen e do vazhdojë të ndërtohen, kanë helmuar fëmijërinë e mijëra e mijëra fëmijëve në Tiranë, të cilët nuk kanë se ku të dalin. Tiranë është kthyer në një kurth i pashëndetshëm, në një kurth për jetën, një qytet që u vret jetën qytetarëve. Mijëra kulla me të njëjtën infrastrukturë. Pra një Tiranë që rrezikohet e varfërohet në mënyrë çnjerëzore duke u bërë qytet i pajetueshëm. Sepse kanë thënë që po ndërtojnë në emër të Rilindjes urbane. Rilindja urbane është një rishkatërrim urban. Përse është një shkatërrim urban? Përgjigjen e marrin në Vlorë. Vlora ku që në kohën e Ismail Qemalit e këtej, plot pjesë të qytetit të saj nuk e njihnin se çfarë ishte fjala përmbytje, vetëm në 7-8 vite të Edi Ramës, janë përmbytur shumë e më shumë herë sesa një shekull i tërë. Kjo është rilindja urbane e Vlorës. Njohin edhe rilindjen urbane të Durrësit, përmbytja e të cilit është një hall i tmerrshëm i qytetarëve ku pronat dëmtohen pas çdo përmbytjeje, shkatërrohen qindra milionë lekë, të cilat nuk i rimburson njeri, e ku këtij ri shkatërrimi të këtyre vandalëve dhe maskarenjve të vërtetë, nuk i kanë shpëtuar dhe objekte arkeologjike mijëra vjeçare, të cilat na i ka zili bota, por që në kthetrat pamëshirme të këtyre vampirëve, u shkatërruan dhe u dëmtuan.

Ky rishkatërrim urban u ka sjellë vetëm mjerim qyteteve tona. Është fare e qartë që ata mundet dhe duhet të krenohen për një sukses në Tiranë. Kjo është e vërtetë. Një sekret në thonjëza të nderuar qytetarë, që e kanë kthyer Tiranën në një lavatriçe gjigande të parave të qelbura. Kjo lavatriçe gjigande e parave të qelbura, që ecën përpara nën moton “Punë për Ndrangheten, gjumë për popullin”. Populli i Tiranës sot nuk ekziston, është në shi, në probleme të mëdha infrastrukturore. Këta kanë bërë që mijëra biznese të mos punojnë dot më, nuk e përballon dot garën një biznes i ndershëm me një bandit që pastron para. Një qytet që nuk zhvillohet, sepse miliarda injektohen në beton nëpër të gjithë sheshet, rrëzat e rrugicat e Tiranës, por të ardhurat e qytetarëve vetëm bien. Sepse lavatriçja prodhon para për qeveritarët, bashkiakët e për Ndrangheten. Nuk prodhon para për zhvillimin.

Pra qyteti u shkatërrua, zemra iu shkul, zemra historike e Tiranës nuk ekziston më, egërsia e tyre ndaj Tiranës ishte akoma më e egër sa dhe komunizmi vetë. Pra pinjollët ua kaluan baballarëve haptas dhe po luftojnë që t’i marrin dhe ato thërrimet e fundit të qytetit, siç e keni parë që kanë pushtuar kullën e Sahatit të Tiranës. Pasi për këta Tirana nuk është asgjë veçse një plaçkë tregu, e cila duhet plaçkitur deri në fund me moton që kur të ikim s’ka rëndësi, por le të lëmë shkatërrimin nga pas. Sepse ju e kuptoni shumë mirë po të kesh vetëm një slogan në kokë që këta kanë punë për Ndrangheten dhe gjumë për popullin vetëm këtu mund të arrish.

Sot Tirana dhe tërë Shqipëria kërkojnë përgjigje për rimbursimin e barnave për Covid. Janë qindra mijëra lekë. Solidariteti deri këtu mund të mbante i qytetarëve. Pra mijëra qytetarë, duhet ta dini që nuk po blejnë barnat dhe janë në mëshirën e sëmundjes që ajo mund të bëjë ç’të dojë. Se janë të pa ndihmuar. Nuk i kanë mundësinë kurrë t’i kenë ato para. Do donin por nuk i kanë. Dhe solidariteti i miqve e familjarëve kaq mbante. Kanë një vit që përleshen me pandeminë, pa asnjë ndihmë nga qeveria. Të braktisur të lënë pas dore. Po kështu mijëra biznese, ku do të punonin qytetarët, të siguronin disa të ardhura e me to të përballonin vetë pandeminë, se shteti nuk ekziston. Kryeministri nuk ekziston. Është vetëm për llogje e keni parë. Rrëmben karrigen, rri tre orë, ka media të cilat i japin mijëra minuta, ku helmojnë të dy bashkë qytetarët por ndihmë për ta nuk japin. Dhe këto përgjigje të mëdha, për t’u bërë më së fundmi me qeveri, për t’u bërë më së fundmi me kryeministër, për të shpëtuar qytetet e familjet tona, fëmijët tanë, kanë vetëm një shërim, është vetëm e vetëm 25 prilli.

Demokracia na ka dhënë një armë shumë të fortë në dorë, votën, për t’u çliruar nga vandalët, nga kriminelët. Nga punë mbaruarit e Ndranghetes e punë shpuarit për popullin. Me këta duhet të ndahemi njëherë e përgjithmonë. Sot në ditën e hallit ju qytetarë jeni të përmbytur, ju jeni në shi në borë, ndërsa kryeministri e kryebashkiakë i keni ngrohtë në zyra komode ku më pas do t’i fusin edhe një drekë dhe do bëjnë humor dhe do thonë të hënën do dalim prapë 3 orë të tjera e do flasim për ëndrra të tjera që nuk u realizuan kurrë. E fundit që ju nuk duhet të harroni ky kryeministër, ish kryebashkiak 21 vjet ju gënjeu vetëm për ujin e pijshëm. Dhe sot u thotë akoma ne nuk mund ta bëjmë. Dhe këtu mbyllet gjithçka. Më 25 prill në kutinë e votimit kur të shkoni, mos e harroni këtë mashtrim 21 vjeçar!