Vasili: Rama si Miri në pyll që këndonte këngë partizane, nuk ka më shqiptarë që e beson

272
Sigal

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax News ku ka folur lidhur me aktualitetin politik, dhe me mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme në datën 25 Prill të vitit të ardhshëm.

Vasili tha se në Këshillin Politik do të duhet të diskutohet vetëm një çështje që është ajo e hapjes së listave, pasi opozita nuk negocion për koalicionet. Sipas Vasilit në rast se lejohen koalicionet paszgjedhore atëherë nuk ka asnjë kuptim që të ndalohen ato parazgjedhore.

“Për ne ka vetëm një çështje që është ajo e hapjes së listave, kandidimi i partive përmes koalicioneve është një e drejtë e panegociueshme. Pse koalicionet parazgjedhore janë jo të moralshme, dhe ato pas zgjedhjet janë të moralshme? Edi Rama e kupton që ka humbur dhe prandaj krijon tollovira të tilla”, u shpreh Vasili, ndërkohë që nënkryetari i LSI foli dhe për kandidimin në listat e deputetëve për zgjedhjet e ardhshme.

Sipas Vasilit ende nuk ka një vendim se ku do të garojnë emra të caktuar brenda vetë LSI-së.

“LSI ka një veprimtari konstante gjatë gjithë vitit, kjo e lehtëson dhe përzgjedhjen e listave. Natyrshëm që të gjithë veprimtarët që janë në terren janë të evidentuar, dhe përzgjedhja e listave është më e lehtë. Ne kemi kryer shumë kohë më parë procesin për pastërtinë e figurës.

Nuk e kam marrë ende vendimin për kandidimin, këto i takojnë partisë politike, sigurisht që të gjithë i bindemi vendimeve të partisë. LSI ka një lidership që është i njëjtë dhe që është pasuruar me vite, nuk ka pasur largime që të mund të presim edhe rikthimin e tyre”, tha Vasili.

Ndërkohë që sa i takon deklaratës së kryeministrit që do të marrë 74 mandate në vitin e ardhshëm, Vasili tha se nuk ka më asnjë njeri që e beson më Edi Ramën.

“74 mandatet e Ramës, janë si ai djali që humbi në pyll, Miri që këndonte këngë partizane dhe që i jepte kurajo vetes. A mendoni ju se ka shqiptarë që e beson Edi Ramën, ky që tha se do të kthente vëllezërit dhe baballarët në shtëpi, dhe do të mbyllte bixhozin dhe tashmë e ka rikthyer në qendër të Tiranës. Ky njeri që thoshte se bixhoxin e ndalonte dhe Kurani sot e rikthen sërish, a ka njeri që e beson këtë njeri”, tha Vasili.