Vangjush Saro: Nuk mbani dot 2 milionë njerëz?

275
Sigal


Kur u zhvillua i ashtuquajturi ‘Census’ në Shqipëri, disa vite më parë, unë jam shprehur se nuk e besoja atë; dhe kështu ishte. Popullsia, papunësia, emigracioni, religjionet, politikat, etj., ishin terma në të cilat, sipas meje, ne nuk ishim marrë vesh me njëri-tjetrin; e, për fat të keq, ende nuk po merremi vesh. Kur them ne, kam parasysh institucionet, postet e përgjegjshme, ata që (le të themi) bëjnë politikat dhe administratën.

I solla këto në vëmendje kur EUobserver (një medie që u është përkushtuar çështjeve kryesore të kontinentit) vinte në dukje se vetëm në tre dekadat e fundit, “janë larguar nga vendi (nga Shqipëria – V. S.) 37% e popullsisë ose 1.7 milionë banorë” dhe që “vendi më i rënduar nga ikja e të rinjve, është Shqipëria.” (Edhe sipas INSTAT, që unë prapë e besoj pjesërisht, popullsia e Shqipërisë në janar 2020 rezulton 2.845.955 banorë, duke pësuar një rënie me 0,6 %, krahasuar me janarin e vitit 2019.) Këto shkojnë në një vijë me parashikimin tjetër (ta quajmë ogurzi?) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku bëhet me dije se në Shqipëri, deri në fund të këtij shekulli, “popullsia në vend do të bjerë në 1 milion banorë”.

“Mësojmë duke u zbrapsur…”- shkruante dikur poetesha e njohur amerikane E. Dickinson. Por nuk zbrapset njeri, jo… Askush në atë vend nuk gjen ndonjë gjë për t’u riparë te vetvetja. E kisha fjalën, lidhja me Censusin ishte këtu, pra më sjell në pohimin që (duke pasur parasysh largimet e vazhdueshme) në Shqipëri aktualisht nuk jetojnë më shumë se 2 milionë banorë. Dhe kjo më shpie drejtpërsëdrejti në pyetjen (e trishtë) që mund t’u adresojmë politikanëve, drejtuesve të Qeverisë e të Shtetit, institucioneve, ndoshta dhe vetes: Ju nuk mbani dot atje as 2 milionë njerëz?

Një vend aq i pasur: bregdet, liqene, lumenj, fusha, klimë e mirë, udhëkryq për botën, ngado që ta vështrosh… Dhe prapë asfare mbrothësi. Po, sepse këtu – kërkoj mirëkuptim nëse duhet të flas edhe më shumë për ato pak punë të mira që ndoshta bëhen – këtu, përgjithësisht prevalon gënjeshtra, mashtrimi, vjedhja, përfytjet e vazhdueshme për interesa klanesh, baltë nga të katër anët… Në këtë klimë, transformohet gjithçka, shtyhen me bërryl njerëzit e ndershëm, ekspertët e mirë, vendi u mbetet të panginjurve dhe mediokërve. (“Koha e ligë është koha e mediokërve. Shfaqja e tyre bëhet shpejt, vërshuese, pushtuese dhe pastaj sunduese.” A. Shkreli)

Le ta shpiem argumentin te kryetema, ekonomia. Banka Botërore paralajmëron që viti 2022 do të jetë edhe më i zymtë se 2021; rritja do të ngadalësohet edhe më tej dhe… pabarazia do të thellohet më shpejt. Parashikimi i fundit i BB thotë se rritja globale do të ngadalësohet në 4.1 % këtë vit nga 5.5 % që ishte në 2021. Kurse unë kam lexuar këto ditë në media se Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar (dhe kjo bie në kundështim me çfarë ndodh e parashikohet përqark) se përgjatë vitit 2021 “ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje prej 8.6%”. Dhe ‘parashikimet’ e administratës shqiptare na qenkan edhe më tej për më mirë…

Thoshte i mençuri Servantes: “Ai që këndon, i lehtëson hallet e tij.” Tani, një gjë nuk shkon në këtë mes: Edhe rritje (e ekonomisë), edhe zbritje (e popullsisë); se shkoi dhe në rimë, që e marrtë dreqi e marrtë! Nëse ka rritje, pse ikin njerëzit, pse tkurret popullsia? Kush gënjen, ne apo bota?

Kur do të mësohemi të vështrojmë veten dhe vendin me modesti dhe duke menduar seriozisht për më tej? Se mos është e vetmja temë ku nuk jemi të një mendjeje…