Vangjush Saro: Fluturon gomari, z. Kryeministër ?

312
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në përpjekje për të mbuluar defektet e qeverisjes së deritanishme, si dhe problematikën e zgjedhjeve më të fundit, Kryeministri Edi Rama ka ndërmarrë disa vizita në rrethe dhe, së fundi, ka sjellë përpara publikut ndonjë “figurë” të re të PS-së, (sikundër dikë që është emëruar Zv/Ministre e Arsimit). E thënë me pak fjalë, demagogjia socialisto-kryeministrore mbetet në plan të parë.

Nuk dua kurrsesi ta paragjykoj atë vajzë; vërtet mund të ketë mbaruar një shkollim bindës dhe mund të jetë e aftë. E fundja, nuk ka asgjë të keqe të ketë edhe një “ëndërr shqiptare”. Por e shtroj problemin në parim: Për ç’arsye, herë pas here, lançohen figura të rinjsh apo të rejash me shkollim perëndimor e, ndoshta me shumë “liçensa”të marra andej edhe këtej, por… pa liçensën e jetës? Përse atyre u jepet sakaq drejtimi i ndonjë dikasteri, ndërkohë që në fushat përkatëse ka njerëz të tjerë, jo më pak të zot, në mos më të zot, me më shumë përvojë dhe merita?

Në këto vite të fundit, këto lançime e këto prezantime, në dukje spektakolare, janë bërë qëllim në vetvete.“Vlerat” e ofruara nuk kanë shkëlqyer asfare. Duke thënë këto, kam parasysh disa zyrtarë e zyrtare që janë katapultuar në qeveri pa i njohur askush, pa sjellë më parë asnjë provë bindëse dhe asnjë shenjë të përpjekjeve të tyre profesionale. Të shkosh drejt edhe në qeveri, nga bankat e  shkollës, pa përvojën e jetës, pa u ndeshur me realitetin, thjesht në emër të disa gjërave mësuar përmendësh, është e kundërta e karrierës politike. Është të përdoresh.(“Kujdes nga dituria e rreme. Është më e rrezikshme se injoranca.” Xh. B. Shou)

Kam parasysh disa “figura” të tilla, që nuk flasin për qasje serioze në bërjen e shtetit e të qeverisjes. Kujtoj një ish-moderatore(në një nga TV-të e shumta) përvoja e vetme e së cilës ishte divani i bukur i studios, por asgjë tjetër nga jeta dhe puna në administrata; kujtoj disa ministra e ministre të Arsimit e të Kulturës, që në pamje “të vrasin”, por nuk kanë qullosur asgjë, përkundrazi i kanë çuar disa disiplina në theqafje; po ashtu, kujtoj ish-Ministrin e Punëve të Jashtme, etj. Kjo mani për të promovuar vazhdimisht “figura të reja”, po shitet si risi, po shitet si preokupim  për “rifreskimin” e administratës, po shitet si zhvillim…

“Prapa dëshirës për të promovuar të rinj e të reja, është vetë Kryeministri, që i përdor ata si të mundet, sepse në përgjithësi, janë të bindur e të gatshëm për çdo kërkesë apo sugjerim të Kryeministrit. Kjo lojë e tij, krahas arsyeve të tjera, e ka kthyer qeverisjen në njëlloj guide”

“Mendësia: Ka mbaruar shkollën në Angli ose në SHBA. Po pastaj? Për çfarë merret një kalama nga bankat e shkollës – siç merrte Enver derëmbylluri kuadrot nga klasa punëtore – dhe drejt e në qeveri?”

Në fakt, prapa dëshirës për të promovuar të rinj e të reja, është vetë Kryeministri, që i përdor ata si të mundet, sepse në përgjithësi, të emëruarit në bujë e në demagogji janë të bindur e të gatshëm për çdo kërkesë apo sugjerim të Kryeministrit. Kjo lojë e tij, krahas arsyeve të tjera, e ka kthyer qeverisjen në njëlloj guide, të shkojmë ku të shkojmë, mjaft që të duket sikur po ndodh diçka, s’ka rëndësi tatëpjeta… Më vjen keq që të ironizoj duke përdorur një lojë të vjetër, por ndonjë pyetje është e pashmangshme. Për shembull pyetja “Fluturon Gomari?” E pashmangshme është gjithaq edhe përgjigjia:“Fluturon, z. Kryeministër!” Në disa raste, ky snobizëm në kurriz të problematikave që përjeton vendi, është tallje dhe papërgjegjshmëri. (“Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.” F. Kafka)

Po ç’është kjo mendësi? Ka mbaruar shkollën në Angli. Ka mbaruar shkollën në SHBA. Po pastaj? Janë me mijëra ata të rinj e të reja që këto tri dekada kanë mbaruar studimet në Evropë, Amerikë e gjer në Australi. Për çfarë merret një kalama nga bankat e shkollës – siç merrte Enver derëmbylluri kuadrot nga klasa punëtore – dhe drejt e në qeveri? Ka drejtuar më parë kjo vajzë apo ky djalë? Ka punuar në ndonjë rreth dhe atje kanë shkëlqyer bizneset, arsimi, kultura: në programe, në rezultate, në ndërtime dhe në edukim? Jo! Asgjë të tillë nuk kemi parë. Atëherë kujt ia tregoni, herë pas here, këto përralla me kalamaj që kanë studjuar andej e këtej dhe pastaj sillen plot brohori në qeveri, ku prodhojnë vetëm llafe e teorira.(“Mendimet e tij zor se ngriheshin më lart se laureshat.” Ç. Dikens)

Pa lënë mënjanë realitetin e vështirë, me një borxh financiar të paimagjinueshëm dhe me një çoroditje si rrallëherë në disa fusha, edhe po t’u hedhësh një sy faqeve internetike të diskastereve, kupton se prevalon llomotitja dhe kopjimi i modeleve të huaja; që ndonjëherë ngatërrohen me njëri-tjetrin dhe me përvojën kaotike shqiptare. Bie fjala, në arsim, testime pas testimesh, sa për sy e faqe, tregojnë se zyrtarët nuk kanë besim te mësuesit dhe specialistët; ata duan vazhdimisht “prova” ose angazhim politik.

Për të parë nga afër edhe dramat vetjake, dhe për t’i pranëvënë te parimet, këto ditë, pas një aksidenti rrugor, një mësuese që ishte nisur për testim në Tiranë, ka dorëzuar te Zoti burrin e saj, një specialist i fushës së arsimit dhe gjuhësisë; ndërkohë që edhe vetë, mësuesja e shkretë është në gjendje të rëndë në spital. Le të dalim nga aksidenti dhe nga fati, se nuk i kemi në dorë. Për të satën herë bëhen këto testime, që fundja nuk prodhojnë asgjë, përveç stresit dhe pasigurisë? E mjerueshme, por gjithë sa mund të ofrojnë ministritë e z. Rama është fasadë, ndërkohë që në shtyp e në web-et e institucioneve nuk mungojnë titujt sensacionalë, që lavdërojnë Ministrat e Ministreshat (!) “Të vegjëlit” e qeverisë Rama imitojnë “të madhin” e tyre. Njëlloj farse.(“Nuk shkohet vetëm me brohoritje.” Molier)

Dhe ndërkaq – kjo ishte dhe mbetet drama e vërtetë e shqiptarëve – askush nuk e di në mund të ishte më mirë e më ndryshe po të kishim në “timon” një ekip tjetër dhe një emër apo disa emra të tjerë; sepse në këtë vend, fasada është bërë sistem. Dhe duhet shqyer, për të ndrequr vërtet brendinë dhe parimet.