Vangjush Dako: Durrësi votoi për shndërrimin e tij në qytet europian

434
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, i cili ka fituar mandatin e tretë në krye të Bashkisë ka falenderuar të gjithë qytetarët që i dhanë besimin maksimal për të vazhduar në transformimin e qytetit dhe shndërrimin e Durrësit në një qytet evropian.
Dako ka fituar me një diferencë të thellë prej 13 710 vota duke marrë kështu një fitore plebishitare të cilën vetë kryebashkiaku e quan një përgjegjësi edhe më të madhe në punën për drejtimin e Bashkisë që tashmë ka të përfshirë në territorin e vet përveç qytetit të Durrësit edhe zonat e Ishmit, Manzës, Katundit të Ri, Sukthit dhe Rrashbullit.
Kryebashkiaku Dako i cili është takuar me qindra qytetarë përpara Bashkisë në sheshin Liria pasi ka falenderuar qytetarët për besimin, partnerin strategjik LSI dhe partitë aleate të koalicionit të ASHE, ka theksuar se do të punojë me përkushtim për të gjithë qytetarët e Durrësit pa asnjë dallim.
“Falenderoj të gjithë qytetarët e Durrësit dhe i uroj të gjithëve suksese të përbashkëta. Falenderoj të gjithë ata që më votuan dhe që më mbështetën gjatë gjithë fushatës dhe me votën e tyre bënë të mundur një fitore kaq të thellë. Falenderoj të gjitha partitë aleate të koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane që më përkrahën fuqimisht, falenderoj partnerin tonë strategjik LSI-në që më mbështeti fuqimisht dhe kjo fitore e thellë tregoi se çfarë mund të bëjnë dy forcat tona së bashku, falenderoj FRD-në dhe PDIU-në që dhanë kontribut të rëndësishëm në fitore”, tha Dako.
Ai shtoi se qytetarët e Durrësit me votën e tyre treguan se dinë të vlerësojnë punën dhe se kriteri për votën është vetëm puna dhe jo fjalët dhe ky ishte mesazhi i fortë që dhanë në këto votime të gjithë qytetarët e Durrësit.
“Kjo fitore plebishitare është një kënaqësi por edhe një përgjegjësi e madhe dhe të jeni të sigurtë se të gjitha ato premtime që kemi bërë në fushatë do ti bëjmë realitet dhe do të punojmë për të gjithë qytetarët e Durrësit pa asnjë dallim sepse për ne qytetarët janë të gjithë njësoj dhe ne do tu shërbejmë të gjithëve me përkushtimin maksimal”, përfundoi Dako.
Sigal