Vangjel Dule, “Kali i Trojës” tek e majta

415
Sigal

Me votën e PBDNJ-së, në KQZ, Berisha e ka plotësisht të kontrollueshme edhe shumicën e saj të cilësuar

Të premten, për herë të parë, anëtari i opozitës në KQZ, Jani Jani, i propozuar nga PBDNJ,  bashkoi votën e tij me atë të maxhorancës së KQZ-së për miratimin e disa neneve të Rregullores së  KQZ-së. Vota “pro” e Jani Janit, nuk është as një bindje e tij personale (ca më pak,  Jani Jani nuk është jurist për të dhënë votën me bindje profesionale për nenin e Rregullores), por është një qëndrim dhe sjellje  politike e PBDNJ-it dhe i Vangjel Dules, ndaj opozitës së majtë në tërësi dhe ndaj Edi Ramës në veçanti. Disa ditë më parë vetë Vangjel Dule është prononcuar se nuk do të bëhet pjesë e aleancës opozitare. Madje, Dule nuk nguroi që të motivojë qëndrimin e tij, duke fajësuar Edi Ramën. Duke qenë se vetë Vangjel Dule, pak ditë më parë deklaroi se do të jetë në maxhorancë, me këdo parti politike dhe, njëkohësisht, deklaron që nuk do të jetë me Edi Ramën, nuk është e vështirë të kuptohet se Dulja do të jetë në maxhorancën e PD-së. Dhe vota e Jani Janit, e bashkuar me maxhorancën e KQZ-së, bind se Dulja ka luajtur Kalin e Trojës tek e majta. Argumenti: Vangjel Dule nuk u distancua nga koalicioni opozitar i PS-së, para se të formohej KQZ-ja e re, jo se nuk kishte vendosur me kë do ta aleatonte në zgjedhjet e 2013-s. Dhe as ndarja e Vangjel Dules me PS-në e Edi Ramën, erdhi ngaqë,  nga koha kur u mandatua KQZ-ja e re e deri tani, ndodhën ngjarje të tilla politike,  që divergjencat politike të Dules me Ramën u thelluan dhe u bënë të pakorrigjueshme, për  të legjitimuar ndarjen e Dules nga opozita e tanishme. Por, Dulja vendimin e tij, që të ikte nga koalicioni opozitar i PS-së e kishte vendosur kohë më parë. Madje, Dulja nuk u distancua më parë nga Edi Rama, pikërisht, që të merrte edhe anëtarin e 3-të të opozitës së KQZ-së.  Nuk është çudi, bile është brenda logjikës, që Dule të ketë bërë marrëveshje paraprake me Berishën, që do ishte në koalicion me Edi Ramën, sa të merrte mandatin e anëtarit të KQZ-së, e paskëtaj, ta braktiste  PS-në, e të bashkohej me PD-në. Dhe mandatin e anëtarit të KQZ-së, që Dulja e mori si parti opozitare, duke ia dhuruar maxhorancën, i jep të drejtën Berishës, që të ketë shumicën e cilësuar në KQZ, d.m.th, maxhoranca të ketë 5 vota, kundrejt 2 votave të opozitës, kështu që Berisha e ka të lirë dorën që ta përdorë KQZ-në, instrumentin e tij politik. Vangjel Dule shërbeu si “Kali i Trojës”, për t’i marrë opozitës votën që përcakton votën cilësuese në KQZ.  Po të ishte deklaruar kohë më parë, Dulja që nuk do të ishte në opozitë, mbase edhe PS-ja nuk do të kishte pranuar në reformën zgjedhore  këto kritere të tanishme të përcaktimit të anëtarëve të KQZ-së. Si parti e vetme parlamentare opozitare, PS-ja do të kishte kërkuar që anëtarët e KQZ-së, të përcaktoheshin me kritere të tjera, pse jo, të kishin anëtarë edhe partitë e tjera opozitare, jo parlamentare, për të balancuar raportet e votës së cilësuar.  Ndërsa justifikimi i Dules se tërhiqet nga aleanca me Edi Ramën, për shkak se nuk do të jetë në një bashkim me forca politike që cenojnë të drejtat e njeriut, duke fotografuar AK-në, është thjesht një demagogji e Dules. Është demagogji, se Dulja nuk mund të shpjegojë dot, a mund të jetë në një maxhorancë qeverisëse, me PDIU-në? Nëse Vangjel Dule mund të shpjegojë se AK-ja  (për PBDNJ) është parti që cenon të drejtat e njeriut, ndërsa PDIU-ja, nuk përbën problem për atë, këtu politika (e Vangjel Dules)  dëshmon që  ai është Kali i Trojës dhe jo përfaqësues i ndonjë politike të qartë. Distancimi i Vangjel Dules nga opozita e së majtës, ndoshta i ka shpjegimet te orientimet politike që Vangjel Dule ka marrë nga Athina. Vangjel Dule, kurdoherë është përdorur si “Kali i Trojës” tek e majta nga Athina. Ndoshta prezenca e Dules në aleancën opozitare shpjegon mosreagimin e parë nga PS-ja për marrëveshjen detare të qeverisë shqiptare me qeverinë greke. Ndërsa, kur PS-ja u detyrua, që të distancohej nga politika qeveritare për marrëveshjen detare, më shumë nga reagimi i opinionit shqiptar, pas denoncimit që Myslim Pashaj i bëri kësaj marrëveshjeje, kjo ngjalli pakënaqësi në Athinë, e cila përkthehet në ushtrim presioni politik ndaj PS-së,  me ikjen e Dules nga koalicioni opozitar. Sepse, sipas Athinës, një bashkëqeveri socialiste me AK-në, është e padëshirueshme, ndërsa një maxhorancë e PD-së me PDIU-në, është më e besueshme për ata.