Ushtrinë e përdorin për të pastruar “plehrat” politike

529
Flet për gazetën “Telegraf” Pëllumb Zaimi, kolonel në lirim
-Kolonel Zaimi, a duhet të përdoret ushtria për pastrimin e bregdetit, rrugëve nga dëbora dhe për të përballuar përmbytjet?
– Këta drejtuesit politikë të ushtrisë sonë, tani e përdorin ushtrinë për të pastruar “plehrat” e tyre politike, duke e shmangur nga detyra dhe detyrimi i vetëm i saj, si një forcë luftarake që mbron Atdheun në rast rreziku dhe agresioni. Detyra numër një e ushtrisë është mbrojtja dhe ruajtja e Sovranitetit të Atdheut. Detyrat e tjera janë anësore. Ushtria ka detyrë të përgatitet ushtarakisht, taktikisht, operacoinalisht, ndaj edhe nuk i del koha ushtrisë të merret me pastrime territori e rrugësh. Ushtria vërtet ka mision të ndihmojë komunitetin, por jo mision të tillë, si të pastrojë rrugët nga dëbora, bregdetin nga pisllëqet që hedhin pushuesit, se nuk e pastrojnë bashkitë. 

– Kur ende nuk është shpallur gjendja e emergjencës për një fatkeqësi natyrore, a mundet ushtria të përdoret për ndihmë?
– Mund të përdoret ushtria për emergjencën e ndërtimit të një ure, që duhet të ndërtohet sa më shpejt në kohë. Kur bie një ortek i madh dhe të shkojë të shpëtojë banorë, kur ka rënë një tërmet i madh dhe nxjerr njerëzit nga rrënojat, kur ka përmbytje, shkon dhe shpëton banorët, por jo të përkujdeset gjithë kohën për pasojat e përmbytjes. Statusi i ushtarakut nuk e parashikon përdorimin e ushtrisë për pastrime territori, rrugësh, sa herë kanë “hall” bashkitë. 

– Kush e jep urdhrin që të nxjerrë ushtrinë nga kazerma dhe ta përdorë për pastrime?
– Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Edhe ushtari më i fundit është në juridiksionin e Komandantit të Përgjithshëm të FA-së, i cili është Presidenti i Republikës. Nuk ka turp më të madh, sesa të cenosh hierarkinë ushtarake, kur ministrja i jep urdhër ushtrisë të braktisë kazermën dhe të pastrojë “haletë” e bashkive. 

– Duke qenë se tani e kemi ushtrinë profesionale, çdo “ndihmë” e ushtrisë ka edhe kosto financiare. Kush duhet ta paguajë këtë kosto?
– Nuk e di kush i paguan realisht, por asnjëherë shpenzimet financiare të çdo ndihme që jep ushtria, nuk duhet t’i paguajë ushtria. Kur ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli pastroi plazhin e Shëngjinit, janë marrë nga Rinasi një pjesë e madhe e ushtrisë, baza e saj materiale, që shkoi në Shëngjin dhe u harxhuan miliona lekë. Nëse Bashkia e Shëngjinit do të aktivizonte qytetarë apo punëtorë, do të shpenzoheshin më pak, sesa shpenzimet e ushtrisë. Ministrja Kodheli dërgoi ushtrinë të pastronte Bregdetin e Shëngjinit, për t’i bërë hatër politike kryebashkiakut socialist. Nuk janë përcaktuar kritere të qarta ligjore kur duhet të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. 
Sigal