“U vërtetua dhe nga OSBE-ODIHR, faktet do jua dërgojmë ndërkombëtarëve”, Berisha: Zgjedhje të grabitura

66
Sigal

Rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit kreu i PD, Sali Berisha e ka konsideruar  si një grabitje dhe jo fitore të socialiste. Në një konferencë për mediat Berisha mbështeti raportin e OSBE ODHIR, ndërsa zgjedhjet i cilësoi si të kapura nga organizatat kriminale.

“Nuk ka fitore të zgjedhjeve nga PS në 2025. Janë të grabitura. Nuk është fitore kjo, është grabitje dhe nuk ka shqiptar që nuk e pa me sy këtë. Placka e vjedhur duhet të kthehet, ky është rregulli. Unë këtu shpreh vlerësimin tim për raportet paraprake, të cilat defakto në parimin më themelor ndërkombëtar dhe kombëtar të zgjedhjeve, atë të barazisë së palëve, i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet. Fakti është se vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR për çka unë përgëzoj misionin e ambasadorit Zannieri, i cili në kushte jo të lehta, arriti në një vlerësim paraprak, në tërësi do të thosha, real.”, tha kreu i opozitës.

Këto akuza kreu i PD deklaroi se ka fakte që e vërtetojnë të cilat nuk do t’i publikojë derisa të informojë Kongresin e SHBA dhe kancelaritë europiane. “Asgjë në botë, asnjë fuqi politike nuk do mund të fshehë të vërtetat e shëmtuara të grabitjes së zgjedhjeve nga narkoregjimi i Tiranës.

Natyrisht me ODIHR dhe OSBE, sikundër me të gjitha kancelaritë europiane, me senatin, kongresin dhe administratën e SHBA, ne në mbrojtje të votës së qytetarëve shqiptarë, do të kemi paraqitje dhe shkëmbime intensive mendimesh, dokumentesh dhe faktesh të pakundërshtueshme.

Narkoregjimi i Tiranës nuk mundet kurrë të përfitojë për kohë të gjatë nga kjo masakër zgjedhore që kreu”, tha Berisha. Një koment Berisha e ka edhe për rezultatin e Ilir Metës në zgjedhjet e 11 majit. “Për sa i përket Ilir Metës atij i bëhet lufta më e egër që i është bërë njeriu ndonjëherë, nga armiku kryesor i votës së lirë, Edi Rama. Si është kjo, mbaje në burg që të mos fitojë. Kjo dëshmon efektin e terrorit politik ndaj tij. Kjo është.”, përfundoi Berisha. Me programin e Partisë Socialiste, Berisha akuzoi Ramën se manipuloi vullnetin e votuesve.