Trump këmbëngul: Jo më lotari amerikane, hyrja në SHBA sipas meritës

587
Presidenti amerikan deklaron se do t’i jepet fund Lotarisë së Vizave Emigruese për të vendosur një sistem të bazuar te aftësitë personale
Presidenti amerikan, Donald Trump, u shpreh dje i vendosur t’i japë fund sistemit të Lotarisë së Vizave, që u mundëson çdo vit 55 mijë personave të sigurojnë qëndrimin dhe punësimin në Shtetet e Bashkuara. Prej tyre, rreth 3 mijë shpallen fitues çdo vit, duke u pajisur me Kartën e Gjelbër dhe më pas me pasaportë amerikane. Presidenti Donald Trump argumentoi dje se një program për të mbrojtur imigrantët e rinj nga deportimi është “ndoshta i dështuar”, duke thënë se demokratët e opozitës “nuk e duan atë”, por vetëm duan të flasin rreth kësaj çështje. Fati i programit që mbron gati 800,000 imigrantë nga deportimi, të cilët janë sjellë në Shtetet e Bashkuara qysh fëmijë nga prindërit e tyre, është në qendër të debatit politik këtë javë në Uashington. Ai është pjesë e diskutimit mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit për buxhetin për të mënjanuar mbylljen e pjesshme të qeverisë kur agjencitë amerikane nuk do të kenë më fonde në mesnatën e së premtes. Presidenti Trump javën e kaluar kundërshtoi një propozim dypartiak ofruar nga tre senator demokratë dhe tre republikanë për të zgjatur programin e njohur si DACA që mbron imigrantët e rinj nga deportimi. Ligjvënësit bën thirrje gjithashtu për ndryshime të tjera në politikën e imigracionit, përfshi rritjen e financimit për sigurinë përgjatë kufirit me Meksikën. Presidenti Trump kërkon ndërtimin e një muri për të ndaluar imigracionin e paligjshëm. Por gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump shkaktoi zemërim duke përdorur fjalor fyes për vende më të varfëra si Haiti, El Salvadori dhe vendet afrikane duke shtuar pyetjen përse më shumë imigrantë nga këto vende lejohen të vijnë në Shtetet e Bashkuara. Në dy komente dje në “Twitter”, presidenti Trump akuzoi demokratët se po përpiqen të “marrin paratë e nevojshme për ushtrinë tone” si pjesë e diskutimeve për financimin e qeverisë dhe imigracionin. Ai tha se si president kërkon që “njerëzit që vijnë në vendin tonë duhet të na ndihmojnë të bëhemi përsëri të fuqishëm. Njerëzit duhet të vijnë përmes një sistemi të bazuar në merita. Jo më me lotari”. Trump po bën thirrje për përfundimin e një programi lotarie të imigracioni. Presidenti Trump pretendon se vendet e tjera kanë dërguar terroristë të mundshëm dhe qytetarët e tyre më të varfër në Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara thanë se kanë rifilluar pranimin e kërkesave për rinovimin e lejeve të qëndrimit në kuadrin e programit DACA, i cili mbron nga dëbimi qindra mijëra emigrantë që kanë hyrë në vend ilegalisht kur ishin fëmijë. Njoftimi i zyrës për Shërbimet e Imigracionit vjen pasi një gjyqtar bllokoi përkohësisht javën e kaluar vendimin e Presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund programit më vonë këtë vit. “Deri në një njoftim tjetër … politika e DACA-s do të operohet sipas kushteve të vendosura përpara se ajo të shfuqizohej më 5 shtator 2017”, tha agjencia në një deklaratë në faqen e saj të internetit. Në deklaratë thuhet se njerëzit të cilët më parë kishin përfituar sipas programit DACA mund të kërkonin rinovimin e lejes, por se agjencia nuk pranon kërkesa nga individë të cilët nuk kanë përfituar më parë sipas programit. Një shtyrje e afatit të programit DACA u jep prokurorëve mundësinë për të zbatuar ligjet e imigracionit. Në muajin shtator, Presidenti Trump vendosi t’i japë fund këtij programi dhe i dha Kongresit afat deri më 5 mars për të gjetur një zgjidhje ligjore për rreth 800 mijë emigrantë të përfshirë në program.
Më 15 maj përgjigjet e Lotarisë Amerikane
Këtë vit përgjigjet për Lotarinë Amerikane do të mund të kontrollohen on line nga data 15 maj 2018. Kjo është data e vendosur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pas një shtyrje për shkak të problemeve teknike gjatë aplikimit në muajin tetor 2017. Duke nisur nga kjo datë, të gjithë aplikantët e regjistruar në programin e Lotarisë DV-2019 mund të kontrollojnë statusin e tyre në faqen zyrtare. Për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2019 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit, të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve. Kontrolli i Statusit të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten dhe anëtarët e tyre të familjes. Departamenti i Shtetit gjithashtu do t’u konfirmojë të përzgjedhurve datat e tyre të intervistave për vizë nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Regjistruarve.



Sigal