Transport publik ndryshe nga periudha para Covid, ja çfarë thotë Rama. Paralajmërim edhe lokaleve që hapen nga 18 maji

266
Sigal

Në një kohë që lokalet hapen nga 18 maji, por për turizmin nuk dihet ende asgjë dhe transporti publik mbetet i mbyllur, kryeministri Edi Rama tha sot se, këto janë tre pikat më të rrezikshme në kohën e pandemisë kur duhet të jetojmë me virusin.

Rama tha se, është duke u bërë gati një strategji adoptimi, se si do të bëhet transporti publik, shumë ndryshe nga deri sot.

“Të gjitha lokalet do të marrin masa që të jenë në rregull sepse lokalet, transporti dhe turizimi janë tre pika shumë të nxehta e të rrezikshme.

Lokalet do të monitorohen nga shumë afër dhe nuk do të dëshiroja t’i penalizonim. Kemi filluar punën, për një strategji adoptimi të transportit, si do të jetë në vijim në kushtet, jo vetëm kur duhet të mbrohemi nga virusi që do të jetë me ne për një kohë të gjatë, por e rëndësishme është çfarë bëjnë njerëzit vetë”.

Kreu i qeverisë, Edi Rama ka folur sot edhe për masterplanin për të kapërcyer situatën e krizës ekonomike të krijuar nga COVID-19 në Shqipëri.

Rama tha se shumë shpejt do të jetë gati masterplani, që sipas tij do të bëj të mundur që të kalohet situata negative e krijuar nga koronavirusi.

Ai ka thënë se rezultatet pozitive të situatës ekonomike mendohet të shihen gjatë vitit 2021.

“Do të kemi gati shumë shpejt masterplanin e kapërcimit të krizës ekonomike dhe do kalojmë me sukses të gjithë situatën rënëse të krijuar nga COVIDI. Në vitit 2021 do shohim rezultate konkrete dhe situatën dërrmues që kemi patur në sektorin e punës”, tha Rama.

Kryeministri ka thënë se për të mbetet shqetësim lehtësimi i masave kufizuese, pasi sipas tij virusi është ende prezent dhe se duhet të përgatitemi për skenarët e një vale të re infektimesh.

“Jam i shqetësuar për hapjen dhe fazën e dytë, virusi është mes nesh. Nuk ka ikur do qëndrojë për një kohë të gjatë.Duhet të jemi të përgatitur për një valë të re infektimesh’, ka thënë ai.