Tirana, kërkesë Athinës: Zbardhni vdekjen e Ilia Karelit dhe Marnikollajt

506
Sigal

 

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka kërkuar nga policia greke që të zbardhen vdekjet e dy shqiptarëve atje, përkatësisht Ilia Karelit dhe Pëllumb Marnikollajt. Kërkesa është bërë gjatë takimit që ministrit pati me kreun e policisë greke, Konstantinos Tsouvalas. Ministria e Brendshme informon: “Gjithashtu, ministri i Brendshëm kërkoi të zhvillohen hetime transparente dhe të plota për 2 rastet e humbjes së jetës në rajonet e policisë greke të shtetasve Ilia Kareli dhe Pëllumb Marknikollaj, si edhe kërkoi të respektohen të drejtat themelore të shtetasve shqiptarë, pavarësisht faktit nëse janë të ndaluar ose arrestuar nga autoritetet ligjzbatuese të Greqisë. Ministri Tahiri u kërkoi autoriteteve greke të marrin të gjitha masat në mënyrë që të mos përsëriten raste të tilla në të ardhmen”. Ilia Kareli humbi jetën në mars të vitit 2014, pas dhunës barbare të ushtruar nga gardianët e burgut që po e transferonin atë nga një burg tjetër. Videoja e publikuar në atë kohë tregon se si Kareli futet brenda burgut të Nigritas dhe dhunohet nga të paktën 6 gardianë të burgut. I zhveshur thuajse plotësisht, ai futet në dhomën e quajtur frigorifer dhe më pas humb jetën pas 3 orësh tortura. Ndërkohë, Pëllumb Marnikollaj humbi jetën në ambientet e komisariatit të policisë në Athinë në rrethana ende të panjohura plotësisht. Lajmi për vdekjen e tij u publikua më 14 gusht të këtij viti, ku sipas familjarëve ai ishte dhunuar. “Pëllumb Marnikollaj është viktima 29-vjeç nga Lezha. Ai ka shkuar për detyrim paraqitje në Athinë  në rajonin e policisë, prej të cilit nuk doli më i gjallë. Ndërsa policia greke ka humbur të gjitha pamjet e kamerave. Djali ndodhej në morg prej ditësh dhe akoma nuk e kanë sjellë në Shqipëri”, thuhej në mesazhin e familjarëve.