Tenderi që pajton Ramën me Kokëdhimën

541
Sigal

Para zhvillimit të
tenderit, shefi i “Rilindjes” ka urdhëruar “konfidencialisht” kryebashkiakun e
Elbasanit, që ta shpallë fitues

 

Tenderi
“Sejdini” 52 milionë lekë i datës 30 dhjetor, pajton Ramën me
Kokëdhimën

 

Në datën 30.12.2016,
kur Kokëdhima denonconte në TV nepotizmin, korrupsionin dhe shkëputjen nga baza
të ministrave, deputetëve e udhëheqësve të PS dhe autoritarizmin e Ramës që po
shkatërron programin dhe strukturat e partisë, kryebashkiaku Qazim Sejdini i ka
bërë edhe një shtesë kontrate me afro 8 milionë lekë

 

Një çudi tjetër del
prej kampit “mavi” të kupolës së “Rilindjes”, e cila provon plotësisht
diversitetin fals e të sajuar për gjoja “diversitet dhe fraksione të lejueshme
e të lira brenda udhëheqjes së PSSH”, me synimin për të bindur anëtarët e
thjeshtë e të shpërfillur të PS, se gjoja “kjo parti është e hapur dhe pranon
çdo ide, por edhe ndëshkon ata që shkelin vijën largpamëse të partisë”! Këtë na
e ka bërë të ditur një anëtar i kupolës drejtuese të PS së Elbasanit, sipas të
cilit, personazh në këtë histori është kryebashkiaku Qazim Sejdini! Çfarë ka
ndodhur? Qysh prej heqjes së mandatit të deputetit të Koço Kokëdhima, u tha se
mes tij dhe “kryerilindësit” Rama nisi një krisje miqësie, që pas disa muajsh u
shpall si konflikt dhe armiqësi e hapur mes njeri-tjetrit, deklaruar kjo në
platformën e zotit Kokëdhima, të paraqitur publikisht në takimin me socialistët
“anti-Rilindje” të zonës së jugut, zhvilluar në Sarandë, nën menaxhimin e kryebashkiakes
së Sarandës, zonjës Floriana Koka. Po kështu, armiqësia e Kokëdhimës me Ramën
dhe “rilindësit” e tjerë, u shpall ashpërsisht dhe në promemorje-akuzën e bërë
prej Kokëdhimës në mbledhjen e Asamblesë së PSSH, ku ai dha dorëheqjen përpara,
se ta shkarkonin nga posti politik i Sekretarit të Reformës dhe Emigracionit,
por edhe si “guvernator” politik i PS në qarqet Vlorë-Gjirokastër! Socialisti
nga Elbasani, na bëri me dije, se në Buletin nr. 1, datë 9 janar 2017 është
publikuar një shtesë vlere financiare kontrate shërbimesh interneti për
Bashkinë e Elbasanit. Këtë shërbim interneti, bashkia e Elbasanit e ka blerë
nga kompania “Abissnet”, pronë e ish-deputetit Koço Kokëdhima, biznes që u bë
shkak për t’i hequr mandatin e deputetit. Pas verifikimit të lajmit, rezulton
se bashkia Elbasan ka si kontraktor këtë kompani për shërbimin internetit, duke
i dhënë në kontratën fillestare vlerën 4.494.680 (katër milionë e katërqind e
nëntëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë) lekë. Në datën 30.12.2016,
kur Kokëdhima denonconte nepotizmin, korrupsionin dhe shkëputjen nga baza të
ministrave, deputetëve e udhëheqësve të PS dhe autoritarizmin e Ramës që po
shkatërron programin dhe strukturat e partisë, kryebashkiaku Qazim Sejdini i ka
bërë edhe një shtesë vlere kontratës për shërbimin e internetit kompanisë së
Kokëdhimës në shumën 798.960 (shtatëqind e nëntëdhjetë e tetëmijë e nëntëqind e
tridhjetë e gjashtë) lekë me TVSH! (Sipas Buletinit nr.-2017 të APP). Mos
vallë, nuk e di Rama?! Burime nga brenda kupolës “mavi” të PS, bëjnë me dije se
kryebashkiaku Qazim Sejdini, përpara lidhjes së kësaj kontrate shtesë (ashtu si
edhe në kontratën bazë) është thirrur nga shefi i “Rilindjes”, i cili “konfidecialisht”
e ka urdhëruar të bëjë shtesën e vlerës së kontratës së shërbimit të internetit
me këtë kompani! Sipas burimeve tona, kjo “porosi” konfidenciale është dhënë
për gjithë kryetarët e bashkive, qarqeve, prefekturave, institucioneve dhe shërbimeve
publike që drejtohen nga shefa “mavi”! 

 

BASHKIA ELBASAN

1. Autoriteti
kontratktor : Bashkia Elbasan me adresë: Rruga: “Qemal Stafa”, Elbasan, nr.
Tel: (+355) 54 400152, fax: (+355) 5452246.

2. Lloji i procedurës
së prokurimit: “Me negociim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës”.

3. Objekti i kontratës
(nqs ka lote e ndarë sipas loteve) : “Shërbimi i Internetit për Bashkinë
Elbasan, gjatë fillimit të vitit 2017 ” (kontratë shtesë).

4. Fondi limit (nqs ka
lote e ndarë sipas loteve 665.800 (gjashtëqind e gjashtëdhjetë e pesëmijë e
tetëqind )), vënë në dispozicion nga Buxheti i Bashkisë Elbasan.

5. Vlera totale e kontratës
( nqs ka lote e ndarë sipas loteve) 798.960 (tetëqind e nëntëdhjetë e tetëmijë
e nëntëqind e tridhjetë e gjashtë) lekë me TVSH lekë me TVSH

6. Emri dhe adresa e
kontraktorit: “Abissnet” sh.a, Njësia Bashkiake Nr. 5, rruga Ismail Qemali,
pallati nr.18, kati  II,Tiranë.

Nr. NIPT K 01417001 C.

7. Data e lidhjes se
kontratës : 30.12.2016

8. Data e lidhjes së
Kontratës fillestare 22.02.2016

9. Numri i referencës
se procedurës së zhvilluar me mjete elektronike/lotit ref. 21654

10. Vlera totale
përfundimtare e kontratës fillestare/ lotit: 4.494.680 (katër milionë e
katërqind e nëntëdhjetë e katërmijë e gjashtëqind e tetëdhjetë) lekë me TVSH.