Tenderi me “helm gjarpri”/ Skandali i ri në Kohën e Pandemisë: Manastirliu i “dhuron” “Farma Net Albania” 8 miliardë lekë

312
Sigal

Skandal i ri në Kohën e Pandemisë: Tender me “helm gjarpri”

 Manastirliu i “dhuron” “Farma Net Albania”, 8 miliardë  lekë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe kompania “Farma Net Albania”, të cilët aktualisht janë nën hetim nga Prokuroria Speciale për tenderat  “urgjentë”  të pandemisë,  janë përfshirë në një tjetër  procedurë  prokurimi publik, me vlerë 800 milionë lekë, për të cilin ka dyshime të forta për fitues të paracaktuar. Në një procedurë të mbyllur  në 30 Mars, por të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë vetëm së fundmi nga, “Farma Net Albania” është  shpallur fitues i tenderit për “blerje medikamente dhe pajisje mjekësore për qendrat shëndetësore turistike”, me fond limit 87.646.057 lekë (të reja), megjithëse ka dhënë ofertën më të lartë. “Bileta fituese”,  siç ka ndodhur edhe më parë me “Farma Net Albania”, është një lloj ilaçi, aspak çudibërës, kundër helmimit nga gjarpri, i cili quhet “Viper Venom Serum”, në flakonë 5 mililitra. Ky medikament është i paregjistruar në Shqipëri. Ligji “Për Barnat” parashikon se medikamentet e paregjistruara mund të qarkullojnë në vendin tonë, vetëm me autorizim të Ministrit të Shëndetësisë. Disa kompani farmaceutike e qarkullojnë “Viper Venom Serum” në Shqipëri. Por, vetëm “Farma Net Albania” qarkullon këtë medikament në flakonë 5 mililitra. Të tjerët e kanë në flakokë 1 mililitra, 10 mililitra, etj.  Ministria e Shëndetësisë, në specifikimet teknike të tenderit  800 milionë lekë, e kërkonte medikamentin  anti-helmim vetëm në sasinë 5 mililitra. Pra, as më shumë e as më pak, se sa atë medikament që ka ekskluzivitetin vetëm “Farma Net Albania”.

Fitues me ofertën më të lartë

Në bazë të dokumentave zyrtarë, rezulton se kompania fituese e tenderit për “blerje medikamente dhe pajisje mjekësore për qendrat shëndetësore turistike”,  pra “Farma Net Albania”, ka paraqitur ofertën më të lartë. Në tender rezulton se kanë marrë pjesë tre kompani, nga të cilat njëra është skualifikuar, pasi nuk ka paraqitur ofertë ekonomike. Ndër dy kompanitë e mbetura në garë, “Farma Net Albania” ka paraqitur ofertën më të lartë,  në vlerën 86.935.174 lekë (të reja). Kompania, e renditur e para, kishte dhënë një ofertë më të ulët, konkretisht 85.583.000 lekë. Por, autoriteti  kontraktor, Ministria e Shëndetësisë, vendosi të skualifikojë kompaninë me ofertën më të ulët, duke lënë në garë vetëm “Farma Net Albania”, e cila rrjedhimisht u shpall edhe fituese e tenderit mbi 800 milionë lekë.  Skualifikimi i kompanisë së renditur e para është bërë pikërisht për çështjet që lidhen me autorizimin e medikamenteve të paregjistruara në Shqipëri.

 

“Helmi i gjarprit”, SPAK, “Farma Net”

“Farma Net Albania”,  një kompani jo shumë e njohur në tregun farmaceutik, mori një lloj publiciteti negativ pasi Prokuroria Speciale-SPAK- nisi hetimin për një tender  pa garë, në vlerë 3.5 milionë euro, për “Blerjen e pajisjeve mbrojtëse  nga Covid-19”. Ministria e Shëndetësisë, me një procedurë të dyshimtë, i dha “Farma Net Albania” dhe “Euromed”  3.5 milionë euro, megjithëse, siç rezultoi nga disa dokumente, ajo ofroi çmimin më të lartë  të produkteve të kërkuara  “me urgjencë” nga institucioni i drejtuar  nga  Ogerta Manastirliu. Paralelisht me këtë tender, “Farma Net Albania” dukej se ishte e paracaktuar për t’u shpallur fituese në një tjetër procedurë  prokurimi  publik, të zhvilluar nga Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor. Ky institucion, i drejtuar nga Mirela Cami në postin e drejtoreshës së komanduar, shpalli në fillim të muajit  Prill 2020  tenderin për “Blerje medikamente dhe pajisje mjekësore” për të gjithë qendrat shëndetësore, me vlerë 1.5 milionë euro. Në tenderin e Operatorit, ashtu si edhe në atë që u përmend më lart në këtë shkrim, në morinë e objekteve të kërkuara, ishte edhe “Viper Venom Serum” në flakonë 5 ml, për të cilin ka ekskluzivitetin  “Farma Net Albania”. Një investigim, ku ngriheshin dyshime për fitues të paracaktuar, si edhe hetimi i nisur nga SPAK ndaj “Farma Net Albania-s” dhe Ministrisë së Shëndetësisë për tenderat e pandemisë, duket se detyroi drejtuesen e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Mirela Cami, të anulonte procedurën. Zyrtarisht, si shkak i anulimit u deklarua mungesa e ofertave në përputhje me kriteret e përcaktuara nga autoriteti kontraktor. Por, anulimi i tenderit 1.5 milionë euro është kryer për shkak të dyshimeve publike mbi fitues të paracaktuar.