“Telegraf” ka denoncuar 653 “vjedhje vreshti”, nga ata që janë brenda “vreshtit”, por “Rilindja” hesht!

477
Sigal

Letër Edi Ramës, për nismën “Stop korrupsionit” në qeveri, me… telefonata nga populli…

Për ta bërë më konkret shkrimin, po ju kujtoj 4 episode, që kanë lidhje me vreshtin, me luftën kundër korrupsionit të shtetarëve dhe me denoncimet e qytetarëve për rastet e korrupsionit.

1. Pas ardhjes së “Rilindjes” në pushtet, pyetjes së bërë për korrupsionin në një bisedë televizive, deputeti Eduard Shalësi iu përgjigj: “Do vjedhim edhe ne, por do vjedhim më pak se këta që ikën nga pushteti…”!

2. Disa ditë më parë, një zyrtare në Ministrin e Punës, denoncoi në “Telegraf” dhe tek kryeministri, skandalin e drejtores së saj e cila e detyronte të firmoste si fitues të një tenderi, një klient të paracaktuar fitues nga ministri Erjon Veliaj. Pas denoncimit, nëpunësja që denoncoi u pushua nga puna “me ceremoni” prej ministrit, ndërsa kryeministri Rama as reagoi, as kërkoi hapjen e “letrave” të skandalit të tenderit e të drejtores, as ndëshkoi drejtoren, por e la në detyrë duke përkëdhelur interesat e ministrit që akuzohej për skandalin!

3. Në vitin 2008, një qytetar nga Fieri, u ankua për një skandal tenderi në shërbimet publike, bërë prej një ministri dhe e denoncoi skandalin me një letër drejtuar ish-kryeministrit Berisha. Pas 1 muaji, nga zyra e marrëdhënieve me Publikun e Sali Berishës, iu kthye kjo përgjigje: “Për ankesën tuaj, denoncimin duhet ta bëni tek ministri dhe ai është urdhëruar t’u jap sqarimet e duhura me rastin që denonconi!

4. Në vitet ’70, Tepelena ka pasur vreshtin më të madh të rrushit, në krejt zonën e jugut. Roje vreshti, ishte Ramadan Hasa, ndërsa ndihmës të tij ishin edhe 4 roje të tjerë. Roja kryesor Ramadani, prej 20 vitesh e ruante vreshtin me aq korrektesë, sa siç thoshin në ato vite, nuk i vidhej as “1 kokërr rrushi”. Një natë, u bë kontroll i befasishëm në vresht dhe u konstatua se shumë rrënjë rrushi ishin bosh. E thirrën Ramadanin dhe e pyetën: “Tek ty nuk dyshojmë, por mos kanë hyrë natën nga gardhi i vreshtit e të kanë vjedhur, ndoshta ke qenë në gjumë, ose s’i ke dëgjuar hajdutët? Ramadani ua ktheu: Nuk kam qenë as në gjumë e as se nuk i kam dëgjuar e në gardhin tim nuk futet dot as zogu. Në këto 25 vjet që jam unë roje, rrushi nuk është vjedhur kurrë nga jashtë gardhit, por është vjedhur vetëm nga brenda. Rezultoi siç tha Ramadani. Rrushin e vidhnin 4 rojet e tjerë dhe ua jepnin hajdutëve jashtë gardhit.

Këto katër episode, m’u kujtuan dy ditë më parë, kur kryeministri Edi Rama, nga salla e “faljes së mëkateve” në Kishën e Korçës (marrë me qira nëpërmjet sekser Peleshit), shpalli projektin qeveritar “Stop korrupsionit”, sipas të cilit çdo qytetar ka aksesin e plotë, që nëpërmjet telefonit personal të denoncojë në “adresat” e caktuara prej qeverisë, rastet e korrupsionit të qeveritarëve e zyrtarëve të shtetit. Për të bërë sa më të kuptueshëm këtë projekt, kryeministri Rama, shpjegoi se si tastierë telefoni, kishte zgjedhur dekorin e hekurave të një qelie për efekt psikologjik. Rama tha: “Frika e ruan vreshtin”! Këtë fjalë të urtë popullore e dinë të gjithë. Problemi që shtrohet është fakti, se në këto 17 muaj pushtet, “Rilindja” është futur në “llumin” e korrupsionit me abuzimet e ministrave, deputetëve, drejtorëve, prefektëve etj, por nuk ka dhënë asnjë provë minimale të vullneti dhe dëshirës për luftë kundër korrupsionit të qeveritarëve. Gjithë beteja “anti-korrupsion” është mjaftuar me disa zyrtarë “milingona”, të cilët “janë shtypur” e thuhet se janë çuar përpara drejtësisë, por që kanë kaluar me punë, nga një zyrë shteti, në tjetrën. Psh, u zhvillua beteja për hajdutët e energjisë elektrike dhe u arrestuan vetëm disa fukarenj që vidhni9n energji për të larë kokën me kanoçe e për të pjekur bukë. Por nuk u hapën letrat e CEZ për të parë korrupsionin gjigand me mbi 50 milionë euro, të bërë në këtë kompani me tenderat, me shitjen e energjisë, me mosarkëtimet, me mos pasqyrimin e konsumit real prej konsumatorëve. U fol për pastrim të ushtrisë nga korrupsioni. Dosjet, që gjoja u dërguan në prokurori për financimet me 18 milionë dollarë për reklama televizive që nuk i hynin në punë askujt, në fakt u tërhoqën nga ministrja Kodheli! U fol për 6 milionë dollarë reklama të bëra po prej këtyre televizioneve, si financim antiligjor nga policia e shtetit, por dosjet janë hedhur në kosh! U bë denoncim dhe është fakt, abuzimi me vjedhje i 14 milionë eurove me fondet e televizionit (TVSH), por drejtuesit janë po në detyrë, ndërsa “Rilindja” po hesht! Ka shumë fakte, që lidhen me koncesionet, tenderime rrugësh e autostradash, ujërash, lagunash, tregjesh, malesh, çimentosh, hekuri, energjie, arsimi, shëndetësie, ilaçesh, koncensione ushqimesh në ushtri e polici, në konvikte, në bankat e nivelit të dytë e në Bankën e Shqipërisë. Ka denoncime e fakte konkrete, për kontrata mafioze anti-ligjore për shërbime koncensionare me sigurimet e të aksidentuarave në urgjencat mjekësore, legalizimet, korrupsionin në veprimtarinë e INUK, për kocensionet dhe licensat e dyta në krom, ferrokrom, bakër e flori, në pullat fiskale, në portet detare, në aeroporte, në ngjyrosje e cilësi karburantesh, në ushqimet që vijnë nga importi, në emërime zyrtarësh e punësime drejtorësh e nëpunësish me… lekë në dorë, deri të individëve me 4 e 8 klasë dhe me diploma false. Sa për kujtesë, në administratën shtetërore, akutalisht janë me diploma false 932 drejtorë e shefa nëpër ministri, në rrethe e qarqe dhe 1460 specialistë shërbimesh shtetërorë në terren, të cilët nuk preken prej jush, paçka se denoncimet konkrete “me letra” i keni “mullar” mbi tavolinë. Ka shumë zullume korruptive zoti kryeministër, që janë denoncuar por nuk po veprohet. Përditë bëhen denoncime deri për vrasje në shërbimin mjekësor publik e privat, për operacione mjekësore që bëhen me lekë në spitalet e shtetit, për mjekë që adresojnë pacientët në kilinkat dhe farmacitë e tyre për të blerë shërbimin dhe medikamentet, për “prishje” aparaturash mjekësore vetëm në spitalet shtetërore e jo në spitalet private të mjekëve që punojnë në shtet! Sa për kujtesë, ju bëjmë me dije, se gazeta “Telegraf”, vetëm për periudhën janar 2014-janar 2015 ka publikuar 653 raste e skandale të rënda të “vjedhjes së vreshtit” (pasurive e financave publike) prej ministrave e shtetarëve të lartë të “Rilindjes” dhe prej atyre që ikën nga pushteti. Por edhe pse juve dhe agjencive ligj-zbatuese, kontrolluese e ndëshkuese anti-korrupsion, u është kërkuar ndërhyrje për goditje, nuk ka pasur asnjë reagim, përkudnrazi jemi kërcënuar ne autorët e shkrimeve, se përse denoncojmë autorët e krimeve! Me këtë “teatrin” e ri “Stop anti-korrupsionit”, duket se po bëhet demagogji. Psh, pas denoncimeve të bëra në gazetën “Telegraf”, ministrat e denoncuar për skandale ekonomike, nuk i kemi parë prapa atyre hekurave burgu dekorativ që na tregove, por i kemi parë sërish krahë teje në konferenca e seminare për luftën kundër korrupsionit, madje edhe janë shpërblyer prej jush me “citate nderi”! e vetmja kartë që ju solli në pushtet ishte karta “anti-korrupsion”. Thatë se do ta “shkulnit me rrënjë” dhe se do të ndëshkonit ata që kishin gatuar korrupsionin në polici, ushtri, arsim, shëndetësi, financa, Telekom, ujësjellësa, banka, naftë, hekurudhë, rrugë, licensa, koncensione, karburante, troje, fshatra turistikë, universitete, pushtime trojesh, legalizime false etj, që e katandisën Shqipërinë “leckë”. Por ish-ministrat e 8 viteve 2005-2013, i kemi parë sërish në parlament, duke bërë thirrje gallatë me thirrje për “luftë kundër korrupsionit”! Sa për dijeni zoti kryeministër, (e dini) afro 70% të drejtorëve e zyrtarëve të lartë e të mesëm të ish-pushtetit “Berisha”, që “zografisnin letrat” e korrupsionit, i ke përsëri në zyrat e qeverisjes “Rilindja”, të mbajtur në ato zyra nga ministra, deputetë, politikanë e shtetarë jo si respektim i ligjit të nëpunësit civil, as nga frika e reagimeve të opozitës, por si strukturë vazhdimësie familjare, klanore e korrupsionit që vazhdon të ketë fuqi vepruese e komanduese edhe mbi shtetin. E po kështu, ish shtetarë e politikanë të përpara vitit 2005, të akuzuar për korrupsion, janë përsëri rrotull, pranë e mes jush në parlament, parti e qeveri! Dhe ju zoti kryeministër, dilni e i bëni thirrje qytetarëve të denoncojnë korrupsionin e qeveritarëve që vjedhin “vreshtin”! Kjo duket imitim i “komedisë” së bërë në vitin 2006 prej ish-kryeminitrit Sali Berisha, me linjën telefonike “Anti-korrupsion”, i cili sajoji një bisedë false telefonike sikur fliste me një denoncues “popull”, ndërkohë që ende nuk ishte publikuar numri i kontaktit e madje nuk ishte instaluar as linja telefonike! Qytetarët denoncojnë përditë raste korrupsioni që ndeshin në shërbimet e zyrave të shtetit, por nuk “dëgjohen”, nuk reagohet! Ju i bëni thirrje popullit, që të denoncojë vjedhjen e “vreshtit”, kur siç e ka thënë Ramdani nga Tepelena, “vreshti” vidhet nga ata që janë brenda “vreshtit”, që kanë në dorë “vreshtin”, troç nga ministra, politikanë, deputetë, zyrtarë e nëpunës që janë strukturë klanore, miqësore dhe familjare e korrupsionit! Niseni dhe zhvillojeni luftën nga brenda “vreshtit”.  Ndryshe do të vazhdoj ajo që tha deputeti Eduard Shalësi: “Do vjedhim edhe ne, por jo aq shuma sa ata që ikën. Ndryshe do vazhdoj historia tallëse, që denoncuesi i korrupsionit tek kryeministri, dërgohet për “sqarime” të ministri i denoncuar. Ndryshe do të ndodh ajo që i ndodhi nëpunës së ministrisë “Veliaj”, që denoncoi një akt korrupitv dhe e larguan nga puna. Sikur të trajtohen e ndëshkohen psh, vetëm 00000000000001% e denoncimeve të faktuara që bëhen për çdo nivel shtetari e zyrtari dhe mund të nis të krijohet bindja fillestare, se beteja konkrete anti-korrupsion ka nisur realisht. Ndryshe, ashtu si telefonit të “duarve të pastra” të Berishës, populli do t’i bjerë edhe telefonit të “Rilindjes” së Ramës dhe do pres kot, si tek… 0900-ta!

Përparim HALILI