Të vërtetat e pathëna të amendamenteve të PS-së

383
Sigal

Kuvendi Shqipërisë publikon shpalljen për vendin vakant të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Kryetari i grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi  përsëriti edhe një herë në Parlament dje, se, PS-ja do të votojë reformën e imunitetit, vetëm po qe se do të votohen amendamentet e saj për ndryshime në Kushtetutë. Ndërkohë, kur në 6 shtator, në Kuvend do të shqyrtohen amendamentet  për ndryshimet e Kushtetutës, e propozuara nga PS-ja, e cila  kërkon të votohet një projektligj i vetëm për ndryshimet kushtetuese, në kuadrin e reformës të heqje/kufizimit të imunitetit. PS-ja nuk la shumë hapësirë politike nëse mund të pranojë rrugë të mesme, të ndërmjetme, për të dhënë konsensusin e saj politik për miratimin e reformës së imunitetit.  Lind pyetja. Cilat janë të vërtetat e pathëna të amendamenteve të PS-së? Nuk është vështirë të kuptosh, që amendamentet e PS-së, për ndryshimet e Kushtetutës, janë arnimet që kërkon të bëjë PS-ja sot në Kushtetutë, të atyre ndryshimeve të 2008-s, për të cilat Edi Rama dha konsensusin e vet. Edi Rama dha peng politik ndryshimet kushtetuese të zgjedhjes të Presidentit me 71 vota, në këmbim të së drejtës të listave të mbyllura të  kandidatëve deputetë.  Dhe sot, PS-ja është peng politik i atyre ndryshimeve kushtetuese të 2008-s.  Ndaj PS-ja me arnime kushtetuese, kërkon të heqë nga barra pengun politik të 2008-s, që kanë bërë të mundur kufizimin e pavarësisë të institucioneve dhe përqendrimin e kontrollin e pushteteve në duart e kryetarit të maxhorancës, pra të Kryeministrit, cilido Kryeministër qoftë. Sërish PS-ja mundohet që, duke thënë të vërtetën politike përgjysmë,- aq sa i intereson dhe për sa i intereson-  nuk ndërmerr aksionin politik, që të kërkojë ndryshime të atilla kushtetuese, të cilat do të risjellin Kushtetutën në normalitetin e para 2008-s. PS-ja, duke kërkuar, me amendamentet e saj, që Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si edhe Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhen me 3/5 e votave, kujton se do të realizojë revolucionin në drejtësi. Në bazë të Kushtetutës, këto zgjedhje janë e drejta kushtetuese e Presidentit. PS-ja më amendamentet e saj, tërthorazi, kërkon që t’i hiqen këto të drejta kushtetuese Presidentit- meqë nuk u zgjodh një President i parapëlqyer nga ajo- dhe të jetë shumica e cilësuar e Kuvendit, që të emërojë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë e Kushtetuese, si edhe kryeprokurorin. Nuk është etike dhe njëkohësisht është fyese, që politikisht  të dyshosh në integritetin e Presidentit,  në ushtrimin e të drejtave kushtetuese të Presidentit, i cili simbolizon edhe unitetin e gjithë shqiptarëve, derisa vetë PS-ja ishte pro zgjedhjes të Presidentit me 71 vota, në ndryshimet kushtetuese të 2008-s.  Nuk mund të ketë moral politik, që  PS-ja vetë të dyshojë në integritetin e Presidentit të parë që zgjidhet nga ato ndryshime kushtetuese që vetë miratoi. PS-ja, duhet ta thotë të plotë të vërtetën e ndryshimeve kushtetuese. Pavarësia e institucioneve fillon nga zgjedhja e Presidentit me 3/5. Të tjerat, amendamentet që kërkon PS-ja, thjeshtësohen. Përse PS-ja nuk kërkon zgjedhjen e Presidentit me 3/5 e Kuvendit? Mos vallë ky është pengu politik që dha Edi Rama për të marrë shpërblim të drejtën e listave të kandidatëve për deputetë? Mund të japë një përgjigje, PS-ja kësaj pyetjeje?

Shpallje e vakancës për Kryetar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kuvendi i Shqipërisë çeli mesditën e djeshme konkursin për kreun e ri të KQZ, që sipas ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor, do të plotësohet nga përzgjedhja mes kandidaturave të lira nga publiku i gjerë qytetar. Sipas ligjit të ri elektoral, i cili hyri dje në fuqi, Kuvendi shpall vendin vakant dhe pret aplikimet e reja të shtetasve që plotësojnë kriteret formale të ligjit dhe që dëshirojnë të jenë anëtarë dhe njëkohësisht kryetar të KQZ-së. Në mbështetje të nenit 181, pika 2, nenit 15 pika 2 dhe nenit 12, pika 2 të ligjit nr.10 019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Kuvendi Shqipërisë publikon shpalljen për vendin vakant të Kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.  Çdo shtetas shqiptar që plotëson kushtet e mëposhtme, të parashikuara në nenin 12, pika 2 të Kodit Zgjedhor, mund të paraqitet si kandidat për Kryetar të KQZ-së. a) të jetë me moshë mbi 35 vjeç; b) të jetë me arsim të lartë; c) të ketë përvojë profesionale prej jo më pak se 10 vjet punë, të paktën në një nga fushat e mëposhtme:  i) në fushën e së drejtës; ii) në administratën publike; iii) në administrimin e zgjedhjeve; iv) si drejtues i organizatave jofitimprurëse, të cilat kanë objekt të veprimtarisë së tyre mbrojtjen dhe zhvillimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, zhvillimin e zgjedhjeve demokratike apo politikat publike; ç) të mos jetë i dënuar penalisht; d) të mos ketë qenë anëtar i ndonjë partie politike në 5 vitet e fundit; dh) të mos ketë qenë i zgjedhur deputet i Kuvendit në 5 vitet e fundit; e) të mos ketë qenë pjesëtar në 5 vitet e fundit në Policinë e Shtetit, në Forcat të Armatosura dhe në Shërbimin Informativ Shtetëror; ë) të mos jetë larguar nga administrata publike apo çdo funksion publik për shkelje të detyrës.