Familjet në nevojë nuk pajisin dot fëmijët me libra, kompensimi mbetet në letër

642
Sigal

VITI RI SHKOLLOR/Çdo nxënës duhet të paguajë për të marrë librat, kompensimi  nuk ka afat të përcaktuar  

 Në ditët e fundit të gushtit dhe në fillimin e shtatorit prindërit dhe nxënësit janë drejtuar në dyert e shkollave për t’u pajisur me libra për fillimin e vitit të ri shkollor 2012-2013. Por fillimin e vitit shkollor të ri shkollor nuk e presin të tërë familjet njësoj dhe të tërë fëmijët njësoj. Kur themi nuk e presin të tërë njësoj, nisemi nga një arsye e thjeshtë dhe, e

 cila bëhet me e kuptueshme kur flet nga afër me fëmijët të shtresave të ndryshme. Arsyeja kryesore që e bën një prind të mendohet disa herë për ti blerë ose jo librat e fëmijëve është ajo arsye që ka të bëjë me anën ekonomike të familjeve shqiptare si në kryeqytet ashtu edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Në lidhje me çmimet e librave dhe në lidhje me kompensimin që do u bëhet disa prej shtresave në nevojë gazeta “Telegraf”, ka bërë një investigim në disa prej shkollave në kryeqytet, ku dhe ka kontaktuar me drejtues të shkollave dhe personat e autorizuar për shitjen e librave, po ashtu edhe me prindër edhe nxënës të shtesave të ndryshme. Shitja e librave e ka kaluar shifrën e 50 %-it nëpër disa shkolla. Nxënës dhe prindër presin në radhë për të marrë librat që u duhen. Ankesat e prindërve për çmimet normalisht që e shoqërojnë këtë proces deri në momentin e fundit. Por vështirësia më e madhe për pajisjen me libra vjen për fëmijët e familjeve në nevojë, siç janë: familjet që trajtohen me asistencë, familje një person me aftësi të kufizuara, fëmijët e familjeve rome. Por për atë pjesë të këtyre kategorive që kanë vendosur që ti blejnë librat e vetmja dritë jeshile mbetet kompensimi i librave nga institucionet përkatëse. Por kur do të bëhet ky kompensim? Askush nga pjesëtarët e këtyre familjeve që përmendëm më lart nuk e ka të qartë dhe nuk e di se kur do të bëhet kompensimi i librave.

Problematika

Kompensimi i teksteve shkollore mbetet një çështje që nuk e ka një zgjidhje për momentin. “Çdo prind duhet të paguajë paratë për të marrë librat, pa marrë këtu parasysh se çfarë shtrese i përket. Ndërsa kompensimi do të bëhet më vonë”një fakt të tillë na e bëjnë të ditur shitësit e librave pranë shkollës “1 Maji”, pranë gjimnazit “Ismail Qemali”dhe disa shkollave të tjera. Por ndërkohë lind pyetja ku ti gjejnë prindërit paratë për të blerë librat tani? Përse nuk është gjetur një mënyrë kompensimi që tani që çdo prind të ketë mundësinë që të dërgojë fëmijën e tij në shkollë, pavarësisht situatës së vështirë ekonomike që mund të ketë çdo familje. Më një përllogaritje të thjeshtë një familje që ka 4 fëmijë për të dërguar në shkollë i duhen afërsisht 12000 lekë të reja dhe me një asistencë që mund të marri prej 5 mijë lekësh të reja e ka të pamundur. Prindërit që nuk kanë të ardhura, shprehen se “nuk kemi mundësi që ti pajisim fëmijët me libra, pasi nuk kemi të ardhura me një asistencë që marrim nuk u sigurojmë dot bukë dhe jo më librat, thonë që do kompensohen, por asnjeri se di se kur. Ne na duhen sot lekët se duam ti dërgojmë fëmijët në shkollë”. Edhe ato pak prindër të komunitetit romë që kanë vendosur për ti dërguar fëmijët e tyre në shkollë, shprehen se e kanë të pamundur që të blejnë libra për fëmijët e tyre. Ndërkohë që edhe pasojat e mosdërgimit të fëmijëve për shkak të mungesës së librave ka pasojat e saj, pasi këto fëmijë i shtohen kontingjentit të fëmijëve të rrugës në vitet e mëpasme.

Box

Kategoritë që përfitojnë nga kompensimi

Këtë vit kompensimi i teksteve shkollore do të arrijë deri në masën 100% për kategori të veçanta nxënësish. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur ditë më parë Ministria e Arsimit dhe Shkencës nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Siç bëhet e ditur nga MASH do të përfitojnë rimbursim të plotë nxënësit që u përkasin familjeve që trajtohen me asistencë sociale apo kanë në familje një person me aftësi të kufizuara. Gjithashtu kompensim deri në 100% do të përfitojnë dhe fëmijët e komunitetit rom, si dhe ata të pakicave kombëtare. Një tjetër kategori për të cilën masa e subvencionit nga MASH është caktuar deri në 50%, është ajo e fëmijëve që vijnë nga familje me të ardhura mujore nën 30 mijë lekë në muaj. Për të përfituar rimbursimin, të gjithë nxënësit që u përkasin kategorive të përmendura duhet të ruajnë faturat e blerjes së teksteve.

Çmimet e paketës së teksteve për çdo klasë

Bordi i ngritur nga Ministria e Arsimit ka përcaktuar edhe çmimet e teksteve që duhet të paguajë një familje shqiptare. Sipas këtyre çmimeve, një familje shqiptare që do të çojë për herë të parë fëmijën në shkollë, do t’i duhet të paguajë për tekstet rreth 1170 lekë. Ndërkohë, ata që do të paguajnë më shumë janë prindërit e fëmijëve që i kanë në klasë të 11, pasi paketa e librave shkon deri në rreth 5184 lekë, apo 37.6 euro. Ndërsa, për ata nxënës që shkojnë për herë të parë në gjimnaz, tekstet do të kushtojnë rreth 4867 lekë ose 35.3 euro. Referuar të dhënave të MASH, çmimet e teksteve kanë ndryshuar, duke u rritur disi mbi bazën e indeksimit të çmimeve dhe inflacionit në vend. Megjithatë, edhe për këtë vit do të ndiqet politika e subvencionimit të teksteve shkollore nga MASH.