“Të rrisim volumin e sipërmarrjes në fshat”, Rama: Eksportet bujqësore do të shkojnë 1 mld euro në 2030

42
Sigal

Kryeministri Edi Rama ishte sot pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar nga Banka e Shqipërisë mbi financimin në bujqësi, ku përmes një instrumenti bankar me një linjë financimi prej 250 mln euro do të mbështeten investimet në sera, agropërpunim, peshkim, akuakulturë, agroturizëm, inovacion teknologjik në shërbim të zhvillimit rural.

Në fjalën e tij kreu i qeverisë u shpreh se, ky është një proces që ka nisur disa kohë më parë dhe sot kurorëzohet në mënyrën më inkurajuese dhe më optimiste me vendimin e Bankës së Shqipërisë për të hapur një linjë të re inovative financimi prej 250 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme me fokus tek bujqësia dhe marrëveshjen e nënshkruar mes Bankës qendrore dhe bankave të nivelit të dytë për ta jetësuar këtë linjë financimi në funksion të projekteve, të investimeve në sektorin e bujqësisë në radhë të parë.

Rama u shpreh se synimi është arritja e 1 miliardë euro eksporte, në mënyrë që edhe bujqësia të vendoset në njëjtin njëjtin nivel të arritjeve të qëndrueshme në Shqipëri, duke e projektuar atë në Bashkimin Europian në vitin 2030.

“Arritja e objektivit prej 1 mld eurosh kërkon një fuqi të shtuar të sektorit, që do të vijë përmes rritjes së volumit të sipërmarrjes në fshat. E domosdoshme kjo për Shqipërinë në BE, ku sfida e konkurrencës dhe përshtatjes me rregulla e standarde edhe më të larta është shumë e madhe.
Mund tu themi sot të gjithë atyre që kërkojnë më shumë financim në bujqësi, se norma e interesit do të jetë shumë tërheqëse, dhe ne nga ana tjetër me të gjithë dijen e fituar nga puna e madhe që na ka dhënë 500 projekte falë ndërveprimit të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, do të mund t’u gjendemi pranë fermerëve që të rrisim me një shpejtësi më të madhe se sa deri më sot, volumin e financimeve për të arritur 1 mld euro eksport. Kjo bëhet që të arrihet të vendoset edhe bujqësia në njëjtin njëjtin nivel të arritjeve të qëndrueshme në Shqipëri si anëtar i vogël në madhësi por dinjitoz në performancë, në BE”, tha Rama.