Kryetari i Kuvendit z.Ruçi në Konferencën e kryeparlamentarëve të Këshillit të Europës

375
Sigal

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, z. Taulant Balla morën pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës, e cila u zhvillua në Strasbourg, më 24-25 tetor. Në delegacion bënte pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Z. Genci Gjonçaj.

Gjatë ditëve të Konferencës, z. Ruçi dhe z. Balla zhvilluan edhe disa takime  me drejtues të KiE-së dhe kryetarë të parlamenteve pjesëmarrëse.

Gjatë takimit me Sekretaren e Përgjithshme të Këshillit të Europës, znj.Maria Pejcinovic Buriç, Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi e uroi për zgjedhjen në këtë detyrë të lartë dhe i garantoi mbështetjen e Shqipërisë në përmbushjen e misionit të saj.

Kryetari i Kuvendit Ruçi, nënvizoi se pavarësisht vendimit të Këshillit Europian, Shqipëria do të vazhdojë reformat integruese në të mirë të popullit dhe të vendit. Shqipëria ka vetëm një plan A për të ardhmen dhe destinacioni i saj i vetëm është BE. Reforma në drejtësi dhe vetting-u vazhdojnë të kryhen me sukses. Thellësia e tyre më e madhe se parashikimi është arsyeja e vonesës së ngritjes së institucioneve të reja të sistemit. Këto institucione do të bëhen funksionale shumë shpejt dhe do të garantojnë një sistem drejtësie të ndershëm, profesional dhe me integritet.

Sekretarja e Përgjithshme Buriç e falenderoi Kryetarin e Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, për mbështetjen e Shqipërisë për zgjedhjen e saj dhe kontributin për përmbushjen e misionit të KiE-së. Ajo nënvizoi se KiE do të vazhdojë e thellojë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe do të mbështesë vendin në thellimin e reformave dhe konsolidimin e demokracisë.

Gjatë takimit me znj. Liliane Maury Pasquier, Presidente e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Kryetari i Kuvendit e informoi bashkëbiseduesen mbi ecurinë  e reformave në Shqipëri. Këto reforma  nuk kanë qëllim në vetvete integrimin, por mirëqenien e gjithanshme të qytetarëve shqiptarë. Presidentja Liliane Maury Pasquier vlerësoi përparimin e gjithanshëm të Shqipërisë si një anëtare e denjë e Këshillit të Europës, sidomos reformën në drejtësi e vetting-un, në të cilat arritjet janë impresionuese, dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Presidentja Pasquier vlerësoi edhe kontributin e spikatur të delegacionit parlamentar shqiptar në Asamblenë Parlamentare të KiE.

Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Slovenisë, z. Dejan Židan, Kryetari Ruçi e falënderoi për mbështetjen e fuqishme e të vazhdueshme të Slovenisë për hapjen e negociatave. Z. Zidan e garantoi Kryetarin Ruçi se Slovenia do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm çeljen sa më shpejt të negociatave me Shqipërinë si edhe do të mbështesë të gjitha hapat e integrimeve rajonale në shërbim të paqes e stabilitetit dhe përshpejtimit të integrimit europian të rajonit.

Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, z. Taulant Balla, u takuan edhe me Kryetarin e Parlamentit të Danimarkës, z. Henrik Dam Kristensen. Kryetari i Kuvendit e informoi  homologun danez Kristensen mbi arritjet e Shqipërisë në avancimin e reformave integruese, të cilat janë investime për të ardhmen e Shqipërise dhe të Ballkanit Perëndimor. Z. Ruçi sugjeroi që për t’u bindur se Shqipëria e meriton çeljen menjëherë të negociatave, parlamentarët dhe qeveritarët e vendeve me qëndrime skeptike nuk duhet të nisen nga paragjykime dhe qëndrime obstruksioniste, por duhet të vijnë të verifikojnë arritjet dhe të prekin nga afër realitetin shqiptar.

Gjatë takimit me Presidentin e Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, Z. Ruçi dhe Z. Balla e falënderuan për bashkëpunimin e ngushtë, produktiv dhe efiçient me Kuvendin dhe Qeverinë e Shqipërise dhe vlerësuan opinionet e Komisionit si mjaft të dobishme dhe udhërrëfyese për legjislacionin, politikat dhe institucionet shqiptare.

Gjatë takimit me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE, George Tseterelli, u diskutua mbi kontributin e Kuvendit  në bashkëpunimin për përballimin me sukses të sfidave të Presidencës shqiptare të OSBE gjatë vitit 2020.