Të pathënat. Pse Rama vendosi përjashtimin e Majkos, Bushatit, Peleshit, Klosit, Xhafës, Kodhelit dhe “senatorëve” të PS

308
Albanian Prime Minister Edi Rama speaks during a joint press conference with Serbian President Aleksandar Vucic (unseen) and North Macedonian Prime Minister Zoran Zaev (unseen) after their meeting to discuss easing of customs barriers between their countries in Novi Sad, Serbia, on October 10, 2019. (Photo by OLIVER BUNIC / AFP) (Photo by OLIVER BUNIC/AFP via Getty Images)
Sigal

8 marsi do të hyjë një historinë e Partisë Socialiste si dita e “skizmës së madhe”, ndarjes përfundimtare të Rilindasve nga të gjithë socialistët e vjetër dhe të ndershëm, që sot u gdhinë të papërfaqësuar, të braktisur dhe të dëbuar nga partia e tyre, që themeluan dhe për të cilën kanë sakrifikuar aq shumë, si në opozitë ashtu edhe për fitoren në zgjedhje.
Me publikimin e listave të kandidatëve për deputetë, tashmë është e qartë se “mishi i huaj” i Rilindasve e uzurpoi përfundimisht dhe e vendosi nën thundër PS-në, që vetëm e tillë nuk mund të quhet më.
I ndërgjegjshëm për humbjen e pashmangshme më 25 prill, Rama dëshmoi dje se më shumë se disfatës së sigurt në zgjedhje, që e di më mirë se kushdo tjetër, ai i trembet humbjes së partisë më 26 prill.
Ndaj edhe ndërmori aktin final të përjashtimit nga listat e deputetëve të kujtdo që ai mendon se të nesërmen e zgjedhjeve, rrezikon t’i marrë partinë.
Për këtë arsye u “dogj” Ditmir Bushati, të cilin Rama pati kurajë ta fyejë edhe në publik, si një ish-ministër, që më shumë kishte marrë se sa kishte dhënë për PS-në. Një pretendimin, që nuk qëndron aspak sepse socialistët e dinë mirë që edhe nëse Bushati ka përfituar diçka kur ka qenë ministër, ai e ka bërë këtë me urdhër të Ramës dhe jo me kokën e vet.
Se me të drejtë, sot socialistët e ndershëm pyesin: Paska fituar më shumë Bushati kur ka qenë ministër, që vjen nga një familje e majtë, se sa Arben Ahmetaj, që nuk ka asnjë lidhje me të majtën dhe që sot është në listën fituese të Tiranës?
Përjashtimi dhe linçimi publik i Bushatit, mendohet sipas burimeve shumë afër tij, se lidhet me frikën e Ramës që revolta e bazës socialiste për përjashtimin e rilindasve nga partia do fillojë pikërisht nga Shkodra.
Një goditje të rëndë, Rama i dha dje edhe një socialisti 24 karatësh si Niko Peleshi, i pozicionuar qartë në vend humbës, i gjashti në listën e Qarkut të Korçës.

Peleshi mund të ketë shumë kusure gjatë qeverisjes së PS, por “djegia” e figurës së tij ka lidhje me faktin se prej kohësh ai i është atashuar grupit rebel të Ditmir Bushatit, që nuk pranon kapjen e PS-së nga rilindasit dhe kushdo që ka nuk asnjë lidhje me të majtën tradicionale.
Mendohet se është pikërisht Peleshi, që edhe pse ministër i Mbrojtjes e furnizon aktualisht grupin rebel brenda PS-së me informacione nga mbledhjet e fshehta të Qeverisë, materiale kompromentuese që nesër në opozitë do përdoren kundër Ramës dhe Veliajt.
Blendi Klosi është një tjetër humbës i madh më 25 prill. Edhe pse dje u mundua me shumë sforco të dilte i qeshur nga selia e PS, Klosi e ka të qartë se në atë vend ku Rama e ka pozicionuar në Berat, koka e tij është tashmë në gijotinë.
Këtë e kanë kuptuar edhe socialistët e Beratit, të cilët sot janë gdhirë të habitur për faktin se po detyrohen nga Rama të votojnë për deputet të PS, llumin e LSI-së, Nasip Naçon, që as fshati i vet nuk e ka votuar dhe që aq shumë i ka sulmuar socialistët e ndershëm, duke i përndjekur, fyer dhe larguar nga puna.
Si mund t’i detyrosh socialistët e Beratit të votojnë Nasipin dhe jo socialistin e tyre 24 karatësh Blendi Klosi? Sinjalet i kanë dhënë që sot shumë nga strukturat vendore të PS së Beratit: Zhgënjimin e tyre, ata do ta orientojnë qartë me votë kundër Rilindjes më 25 prill, duke votuar socialistët dhe të majtët e vërtetë, që tashmë i kanë tek listat e LSI-së.

Gjithashtu, mësohet se ndryshe nga Bushati dhe Peleshi, Rama është hakmarrë me Klosin edhe për shkak të lidhjes së tij tepër miqësore me Saimir Tahirin, të cilit nuk ia fal faktin që ende nuk ia ka dorëzuar shumë dosje të aferave më të zeza të qeverisjes.
Mimi Kodheli, një tjetër socialiste e lidhur fort me të majtën tradicionale ka marrë një goditje nga Rama, sepse sipas burimeve shumë konfidenciale pranë saj, pas largimit si ministre e Mbrojtjes, në bashkëpunim me Bushatin dhe Peleshin, ajo prej kohësh po drejton lëvizjen e bazës për t’i marrë partinë Ramës më 26 prill.
Por mbi të gjitha mësohet se përjashtimi i saj thuajse i sigurt nga PS lidhet me faktin se për çështjen e fikjes së radarëve ajo “ka folur aty ku nuk duhej”.
Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Fatmir Xhafaj, Musa Ulqini, Besnik Bare, Vasilika Hysi dhe Anastas Angjeli, të vetmit nga “garda e vjetër” që i kishin rezistuar derimë sot hordhive rilindase në PS, tashmë ose janë përjashtuar përfundimisht nga partia ose janë vendosur qartazi në pozicione ku shanset për të fituar janë jo zero, por fillojnë me minus.
A ka logjikë që pranon faktin se ish-kryeministri disa herë i socialistëve dhe senatori i PS, Pandeli Majko, që është vendosur nga Rama në listën humbëse të deputetëve, paska më pak kontribute se drejtori i ujësjellsave pa ujë, Alqi Bllako, i cili është vendosur në listën fituese edhe pse faktet e publikuara së fundmi tregojnë se është i përfshirë kokë e këmbë në skandalin e inceneratorëve?

Paska më shumë kontribut për Reformën në Drejtësi, Ulsi Manja i dosjes së Dibrës se sa ideatori i saj kryesor, Fatmir Xhafaj?
Apo ka më shumë kontribut për PS një kandidat qesharak në Berat, që vendoset tek lista fituese vetëm pse Rama është nën avujt e alkooli, ndërkohë një jurist i shquar dhe pedagog i nderuar i juridikut si Adnor Shameti, me kontribut në Reformën në Drejtësi përjashtohet nga PS?
Këto janë turpe që çdo socialist i ndershëm i kupton dhe i neverit.
Edhe më injoranti në politikë e kupton se çfarë po ndodh sot në PS.
Edhe vetë Rama është i vetëdijshëm se me këtë listë, Rilindja as 40 mandate nuk fiton dot më 25 prill. Humbjen në zgjedhje ai e ka të qartë më shumë se kushdo tjetër.
Ndaj dhe lista e kandidatëve për deputetë që publikoi dje nuk ka lidhje me zgjedhjet e 25 prillit.
Ajo është lista e uzurpimit të PS-së më 26 prill dhe jo e humbjes së zgjedhjeve më 25 prill.
Ajo është lista e mbylljes së gojës, spastrimit final, skizmës së madhe me socialistët e vjetër dhe të ndershëm dhe kapjes finale të PS nga Sekti i Rilindjes.

Lindita KOKOLI