“Të kesh në krah një bashkëshort lab do të thotë të jesh e sigurt”

634
Sigal

INTERVISTË/ Flet Irena Toçi ,Drejtorja e Përgjithshme e Instituti të librit dhe Promocionit Toena

U bënë disa vjet që Irena është Presidentja e Shtëpisë Botuese dhe Promocionit të Librit Toena, pasi bashkëshorti i saj u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë, dhe ajo ka ditur ta drejtojë këtë shtëpi botuese po aq mirë sa dhe Fatmiri. Përpos kësaj, ajo është gjithmonë në korent të zhvillimeve të librit në rajon, por dhe një njohëse e mirë e problemeve femërore në Shqipëri. Punon pa orar dhe gjithmonë me libra në duar. Në këtë intervistë, ajo tregon marrëdhëniet me bashkëshortin, problemet e librit sot, mangësitë e përkthimeve, rolin që zë femra shqiptare, shijet mbi modën, etj…

-Cilat janë problemet e letërsisë shqiptare sot?
Mendoj që një nga problemet më akute të letërsisë shqipe është vështirësia që shkrimtarët shqiptarë kanë për t’u bërë të njohur me veprat e tyre përtej kufijve të gjuhës shqipe. Pra, nëse autorët shqiptarë kanë gjetur brenda kufijve të Shqipërisë, por edhe botës shqiptare të Ballkanit në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, një terren të përshtatshëm nëpërmjet shtëpive botuese, që librat e tyre të botohen dhe shpërndahen në këto vende, është ende tepër endemike njohja dhe botimi i tyre në gjuhë të tjera. Pra, flitet që të bëhet një punë më e specializuar, më e konturuar për përkthimin e letërsisë sonë në gjuhë të huaja, si p.sh.: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, apo në gjuhët e tjera të Ballkanit, me qëllim që shkrimtarët tanë të njihen në këto vende, për t’i bërë ata të rëndësishëm në rajon dhe përtej rajonit.

-Atëherë, kush do të mund të ndihmonte për përkthimin e këtyre veprave artistike?
Për mendimin tim, duhet të ndihmojë drejtpërdrejt shteti me strukturat e veta përkatëse, siç ndodh në të gjitha vendet e tjera të botës perëndimore dhe jo vetëm, përfshi këtu vendet më të mëdha të botës anglishtfolëse, vendet nordike, vende të tjera të Europës apo përtej saj si Izraeli apo vende të tjera të rajonit tonë, si: Kroacia, Serbia, Sllovenia apo edhe Maqedonia etj., që investojnë shumë në mbështetjen e artit të tyre dhe në veçanti mbështesin me programe afatgjata përkthimet në gjuhë të huaja të autorëve të tyre. Kështu bëjnë Greqia dhe Spanja – edhe sot që janë duke përjetuar një krizë ekonomike gati akute – edhe pse me rrudhje dhe shtrëngesa të shumta të buxhetit ekonomik në të gjitha sektorët, nuk e kanë cenuar dukshëm buxhetin në mbështetje të artit bashkëkohor, e sidomos në zbatimin e projekteve që mbështesin përkthimet e autorëve të tyre në gjuhë të tjera. Mendoj që Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve duhet të mbështesë projekte për përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhë të huaj. Ka mjaft botues të huaj të interesuar për zhvillimet e letërsisë bashkëkohore shqiptare, që do ta kishin shumë më të lehtë për të vendosur për botimin e autorëve më të mirë të saj nëse do të ekzistonin mundësi konkrete për mbështetjen e përkthimit të saj.

-Pse kjo heshtje nga shteti jonë për përkthimet e autorëve tanë në gjuhë të huaj?
Ndoshta ende nuk është gjetur modeli i duhur për të bërë të zbatueshme këtë ide. Thjesht duhet një iniciativë nga dikush që punon brenda institucioneve shtetërore, për të krijuar një projekt të tillë, më shumë se Drejtoria e Librit – brenda Ministrisë së Kulturës e cila ka funksionuar deri diku mirë për ato synime, për të cilat u krijua, por sot ka nevojë për më shumë, për ta çuar më tej përkthimin e librit që është problem shqetësues për krijuesit shqiptarë. Sot, autorët shqiptarë botojnë shumë më tepër se në fillim të viteve ’90; kanë njëlloj qetësie dhe pjekurie tjetër për të krijuar vepra me rëndësi më universale. Mendoj se është momenti i duhur për të filluar ky projekt për përkthimin e veprave më të mira të autorëve shqiptarë.

-Po afrojnë zgjedhjet e vitit 2013, a mendoni se do të krijohen hapësirat e nevojshme për femrën shqiptare për pjesëmarrje më të madhe në vendimmarrje dhe në institucionet shtetërore dhe jetën sociale?
Mendoj se femra shqiptare i ka të gjitha aftësitë dhe mundësitë për të qenë e përfshirë jo thjesht në numra dhe përqindje, si në politikë ashtu dhe në jetën shoqërore. Ajo çka duhet të bëjë sot femra shqiptare është që duhet të reflektojë ajo vetë, të jetë ajo e vetinteresuar, e dëshiruar për të marrë pjesë në jetën sociale dhe në jetën politike të vendit. Në qoftë se ajo do të jetë e interesuar vetë, i ka të gjitha mundësitë e nevojshme për të qenë pjesë edhe e qeverisjes, edhe e vendimmarrjes, edhe jetës sociale. Ajo që unë kam vënë re në këto 22 vjet demokraci është se në shumicën e saj dërrmuese femra shqiptare nuk ka qenë përherë e interesuar për të marrë pjesë në zgjidhjen e problemeve të ndryshme të shoqërisë shqiptare dhe kjo indiferencë e bën shoqërinë tonë problematike, ku shumë problematika të së përditshmes duhet të kihen parasysh se nuk zgjidhen me forcë, por me takt. Përfshirja e femrës në zgjidhjen e tyre do të jetë efikase nëse ajo do të përfshihet në mënyrë të ndërgjegjshme në këto iniciativa, aktivitete sociale, apo politike. Për sa kohë femrat nuk do ta konsiderojnë veten të barabarta me burrat në këto iniciativa apo aktivitete socialo-politike, pjesëmarrja apo vlerësimi ndaj tyre nuk do të jetë maksimal dhe do të ndihen të nënvleftësuara. Ato femra që kanë pasur ambicien, dëshirën, kurajën qytetare, për të hyrë në politikë, apo për t’u marrë me çështje të mëdha të shoqërisë kanë pasur rezultat, kanë gjetur mbështetje dhe janë nga emrat më të spikatura në shoqërinë tonë. Këtu mund të përmend emra të tillë, si Diana Çuli, një nga aktivistet më të shquara të shoqërisë civile, që ka dhënë një kontribut të madh në këtë drejtim, por që ka nga ana tjetër është dhe një shkrimtare shumë e lexuar që nuk e humbi lexuesin pas viteve ’90; ka qenë madje edhe deputete në Kuvendin e Shqipërisë për dy legjislatura rresht… Apo Valentina Leskaj, një nga aktivistet e dalluara në shoqërinë civile që ka edhe dhënë e jep një kontribut të veçantë edhe në politikë, edhe në qeverisje. Do të mund të rreshtoja pastaj një numër personaliteetsh të fushës së gazetarisë që kanë dhënë e japin kontribute të veçanta e të rëndësishme në zhvillimet dhe emancipimin e medias shqipatre si Rudina Xhunga, Beti Njuma, Sonila Meço etj. Për sa kohë që femra do të jetë e ndërgjegjshme se i ka mundësitë dhe aftësitë për të pasur një rol në shoqërinë tonë, ajo do të ketë një pozicion të mirë si në politikë edhe në jetën sociale, OJF etj.

-Thuhet se, përveç sa më lart, femra shqiptare në përditshmëri ka probleme, mund të na renditni disa sipas jush?
Janë probleme shqetësuese për gjithë femrat në shoqërinë njerëzore. Por tek ne ka dhe probleme të veçuara, që janë tipike shqiptare. Mendoj se, problemet më të mëdha femra shqiptare i ka pasur dhe i ka në zonat rurale, aty ku ajo e ka më të vështirë të punësohet, e ka më të vështirë të sigurojë jetesën për të dhe për familjen e saj. Pikërisht aty edhe problemet shoqërore janë më të mprehta.

-A është e vështirë të kesh një bashkëshort lab?
Të gjitha krushqitë e familjes sonë deri vonë kanë qenë brenda minoritetit, pra brenda komunitetit të cilit i përkisnim. Njohja dhe bashkëjetesa me tim shoq ka qenë dhe është veç të tjerash një përvojë interesante edhe sa i përket ndërthurjes së kulturës së jetesës së dy komuniteteve tona të ndryshme deri diku. Një bashkëshort lab do të thotë që të kesh në krah një njeri me karakter shumë të fortë, i cili di, përveç të tjerave, të orientohet në çfarëdolloj situate të vështirë dhe t’i japë zgjidhje asaj.

-Të flasim për librat për fëmijë: si shihet sot libri për fëmijë, a ka prodhimtari dhe sa vend zë ai në botimet e reja?
Libri për fëmijë dhe libri për adoleshentë është në krizë. Pra, flas për libra me autorë shqiptarë. Disa emra të mëdhenj, që dikur kanë shkruar libra shumë të lexuar, tani nuk jetojnë më, si Odhise Grillo, Dionis Bubani, Bedri Dedja etj. Ka disa autorë që e lëvrojnë ende këtë letërsi, si Gaqo Bushaka, Bardhyl Xhama, Viktor Canosinaj, por ndërkohë janë pak për të qenë të kënaqur. Ndërkohë edhe përkthimet e huaja nuk po gjejnë terren të përshtatshëm për t’u thithur nga fëmijët. Librat që janë përkthyer i përkasin fushës së enciklopedisë, me kuriozitete, me fabula dhe përralla të shkurtra, por këto nuk e përmbushin boshllëkun që ka letërsia për fëmijë dhe sidomos për adoleshentë. Harri Poter, ndoshta ka qenë libri më i suksesshëm për këtë grupmoshë që ka qarkulluar gjatë këtyre viteve, për shkak të trendit botëror të leximit të tij.

-Periudhë pushimesh: ku i bën pushimet Irena?
Në përgjithësi pushimet i bëjmë të kombinuara në vendet bregdetare në jugun e Shqipërisë, por edhe në Durrës. Por ka mjaft për t’u eksploruar në rajonin e Mesdheut…

-Ushqimi i preferuar?
Perime, peshk…

-E ndiqni rregullisht modën?
Ah, jo, nuk jam ndjekëse e rregullt e modës. Mundohem t’i përshtatem tipit tim.

-Këngëtarët e preferuar?
Në përgjithësi më pëlqen muzika e lehtë e Amerikës Latine, ajo franceze, por dhe ajo greke.

-I ndiqni telenovelat?
Sjellin edhe ato përvoja njerëzore, interesante shumë herë, por të marrin shumë kohë për t’i ndjekur. Kështu që rrallë mund të joshem prej tyre. Është më mirë që njeriu të jetojë ditën e tij, sesa të humbasë kohë të çmuar duke u fiksuar pas ekranit të vogël.

-Jeni superticioze në jetë?
Ndoshta mund të jem bërë në momente të vështira, por jo se jam në përditshmëri.

-Kur ka qenë momenti më i vështirë në jetën tuaj?
Kur kam humbur përgjithmonë vëllain tim të dashur, 19 vjet më parë, në një aksident të rëndë automobilistik. Dhimbja e humbjes së papritur dhe tragjike të tij kanë shënjuar jetën time në vazhdimësi.

-Si duhet të jetë njeriu sot?
Njeriu duhet të jetë i mirinformuar, i orientuar në jetë në mënyrë maksimale. Pra, duhet të japë maksimumin për të arritur çka ëndërron. Që të pretendosh që kjo jetë do të të japë diçka duhet që dhe ti t’i japësh shumë asaj. Jeta të jep mbrapsht atë që ti i ke dhënë. Në jetë ka beteja befasuese për të cilat duhet të jesh i përgatitur.

-Motivi i jetës?
Të jem bashkëpunuese dhe e sinqertë, dhe të mbaj balancat ku duhet.

-Shprehja juaj e preferuar?
Dreq. Në dy kuptime, për mirë dhe për keq.

-Keni idhuj në jetë?
Jo. Ose i ndryshoj në mënyrë periodike sipas rrethanave të jetës.

-Çfarë vlerësoni te njeriu?
Mirënjohjen.

-Keni ndonjë peng deri më sot?
Plot. Jeta është mbushur me pengje. Gjithmonë njeriu ka një Mekë të parealizuar dhe që tenton ta realizojë, pa këtë Mekë dhe pa pengje nuk gjenden motive të të nxisin që të ecësh përpara.

-Ku ndihet më mirë Irena?
Në punën e saj.