Takimi në Bruksel, Hoti: Jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë

316
Sigal

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç kanë përfunduar takimin e tyre të parë ballë për ballë në Bruksel. Takimi u ndërmjetësua nga përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme në BE, Josep Borrell i cili vlerësoi të dy krerët për vullnetin që treguan për tu riuluar në dialog pas rreth 2 vitesh.

Në fakt, Borrell theksoi edhe faktin se ishte i lumtur që BE u rikthye të udhëheqë këtë dialog dhe pikërisht në Bruksel. Po ashtu ai priste që sot të kishte diskuime konstruktive por deri më tani i vetmi që është prononcuar është Hoti që ka bërë të qartë se tashmë Kosova është në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë.

”Kemi bërë progres edhe tek tema e zhvillimit ekonomik detajet tjera do t’i mësoni ditëve në vazhdim. Jemi duke diskutuar, ka progres presim javën e ardhshme të detajizojmë këto çështje. Këto janë biseda të nivelit politik, sepse jemi në fazën finale të përmbylljes së marrëveshjes finale duhet vullnet të të dy palëve dhe dedikim mbështetës.”, tha Hoti.

Në fakt Hoti nuk ka bërë me dije se në çfarë aspekte është bërë progresi pasi vetëm disa ditë më parë në video- konferencën në prani të Merkel dhe Macron, ai i parashtrovi ‘ultimatume’ Vuçiçit si njohja reciproke, apo krimet e luftës, anëtarësimi në OKB të cilat Presidenti serb tha që nuk do i pranonte kategorikisht.