Tajip Erdogan në Tiranë më 14 maj, kredi miliona dollarësh për Shqipërinë

384
Sigal

Tiranë- Pas dy vizitave të Kryeministrit Edi Rama në Turqi, pritet që në 14 maj në vendin tonë të mbërrijë për një vizitë zyrtare Kryeministri i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Burime zyrtare kanë konfirmuar qëndrimin njëditor në Tiranë të kreut të qeverisë turke, i cili pritet të ketë një axhendë mjaft të ngjeshur takimesh. Erdogan do të takohet me Presidentin Bujar Nishani, kreun e Kuvendit, Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Mësohet se, Kryeministri do t’i drejtohet me një fjalë përshëndetëse edhe Parlamentit të Shqipërisë. Kabineti turk dhe ai shqiptar pritet të firmosin një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi në fusha si mbrojtja, arsimi, shëndetësia e bujqësia, ndërsa po diskutohet edhe për mundësinë e marrjes prej Turqisë së një kredie të butë, e cila arrin në miliona dollarë. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, që nga marrja e detyrës e ka cilësuar Turqinë si një partner strategjik për vendin tonë.