Sulmi i Ramës ndaj Osmanit, Spahiu: Pasqyra që e tregon lakuriq merakun për Vuçiçin

219
Sigal

Sulmi që kryeministri Edi Rama i bëri sot Presidentës në detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani, për ish-deputetin e LSI-së, Përparim Spahiu tregon pasqyrën që Rama duket lakuriq për merakun ndaj Vuçiçit. ”Rama nuk lë rast pa sulmuar dhe etiketuar si “politikë të jashtme” çdo mesazh që vjen nga Prishtina. Vjosa dhe kolegët e saj nuk mund të marrin leje në Beograd kur flasin, sepse në Tiranë janë në shtëpinë e tyre. E vërteta djeg, por ajo nuk fshihet”,-shkruan Spahiu në facebook.

Postimi i plotë

“Vjosa Osmani ngatërron politikën e brendshme me atë të jashtme”. Këtë thagmë nxori sot nga goja KM në largim, duke nxitur më tej përçarjen Shqipëri-Kosovë, por duke bërë edhe një gafë të pafalshme. Çështjet mbarëshqiptare nuk janë “politikë e jashtme”. Presidentja në detyrë erdhi në Tiranë si në shtëpinë e saj dhe foli shqip e qartë, siç flet një njeri i familjes.

“Nuk kemi nevojë për tra mes shqiptarësh. Askush s’duhet të merakoset për imazhin e Serbisë në botë”. Ky ishte kumti i saj në Tiranë, mesazh i kthjellët për ata që kanë veshë të dëgjojnë. Kujt ti djegë le ta mbajë! Por, atyre që e shohin realitetin me sytë e Jugosllavisë dhe e dëgjojnë Prishtinën me kufjet e Vuçiçit , kjo u duket politikë e jashtme.

Ndaj, kryeministri 3D shpërtheu sot në akuza ndaj Vjosa Osmanit, duke e akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme, për dashakeqësi dhe propagandë. Duhet thënë se Vjosa dhe politikanët e tjerë të Kosovës janë pasqyra ku KM duket lakuriq dhe meraku i tij për Vuçiçin bie në sy menjëherë.

Ndaj, ai nuk lë rast pa sulmuar dhe etiketuar si “politikë të jashtme” çdo mesazh që vjen nga Prishtina. Vjosa dhe kolegët e saj nuk mund të marrin leje në Beograd kur flasin, sepse në Tiranë janë në shtëpinë e tyre. E vërteta djeg, por ajo nuk fshihet!