Sulejman Mato: Shqipëria sot, si një stadium fshati të braktisur

298
Sigal

 

Nuk di pse më ngjan me një stadium fshati të braktisur, i cili është mbushur përgjysmë me tifozë të mbetur në atë fshat të harruar. Janë nga ata që kur ikën të tjerët nuk mundën të iknin. Në fushë kanë dalë dy skuadra me bluza të zbërdhylura e që nuk u kuptohen ngjyrat. Sulmuesit e skuadrave të tyre nuk e kuptoj pse nuk gjuajnë në portë, por i thyejnë këmbët njeri tjetrit. Gjyqtar loje nuk ka. As gjyqtarë anësorë. Loja nuk ka rregulla dhe nuk dihet se kur duhet të mbarojë. Lojtarët, kanë vite që lozin dhe nuk lodhen as nuk ndërrohen. Nuk ndërrohen se nuk u ikën inati ndaj njeri-tjetrit. Ka çaste nervozizmi kur njëra skuadër e lë lojën. E vazhdon tjetra, qetësisht, dhe çuditërisht, pa kundërshtarin. Pjesa më e madhe e atyre shohin këtë lojë të çuditshme. Gjenden aty pa e ditur as vetë. Mbase në kujtim të tifozllëkut të baballarëve të tyre. Një pjesë e vogël janë paguar me pare, me thasë me miell, me lopë dhe punësime. Janë dhe ca të tjerë, të ndodhur atje rastësisht dhe historikisht, si puna ime.