“Vetingu”, Rama: Vendimi i Kushtetueses, rezistencë kundër reformës në drejtësi

441
Sigal

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ligjit të vettingut, shefi i qeverisë Edi Rama e sheh si rezistencë nga një aleancë që i druhet reformës në drejtësi, në të cilën rreshton dhe opozitën.

Në një intervistë për Tv Klan, kreu i qeverisë shprehet i sigurtë se Vettigu do të kryhet pavarësisht vonesave që po krijon kjo aleancë dhe se atij nuk do të mund t’i shmanget askush.

Rama: Partia Demokratike po bën një përpjekje të gjithanshme për ta penguar reformën në drejtësi qysh në ditën e parë, diku duke hedhur gurin vetë, diku duke hedhur gurin dhe fshehur dorën që reforma të zvarritet. Gjykata Kushtetuese mori një vendim i cili është për mua shprehje e rezistencës që i bëhet reformës.Por vettingu në Shqipëri do të bëhet.

Dy ditë më parë, Kushtetuesja i dërgoi Komisionit të Venecias draftin e vettingut për shqyrtim.

Komisioni i Venecias pritet të japë opinionin e tij në mbledhjen e 9 dhjetorit, por ndërkohë pezullimi i rivlerësimit shkakton një efekt domino në të gjithë reformën si dhe ngrin vetë Kushtetutën.

Pa këtë ligj nuk ngrihen dot organet kompetente për rivlerësimin, që do të thotë se asnjë gjyqtar në republikën e Shqipërisë nuk mund të aplikojë për organet e reja të sistemit të drejtësisë.

Në hullitë ku ka hyrë, reforma në drejtësi në Shqipëri, nuk do të fillojë zbatimin e plotë të saj përpara vitit 2018.