Strasburgu “rrëzon” qiramarrësit – S’pranohet padia e 17 familjeve të nxjerra nga shtëpitë e pronarëve

599
Sigal

Gjykata e Strasburgut ka kthyer mbrapsht kërkesat e 17 familjeve shqiptare të nxjerra nga shtëpitë që ju kthyen në vitin 2012 pronarëve të ligjshëm. Përmes kërkesës së njohur si Eglantina BAKIU dhe të tjerët kundër Shqipërisë, 17 familjet pretendonin të gjenin në Strasburg të drejtën pasi u nxorën nga shtëpitë, përmes një akti të Qeverisë në vitin 2012, i cili ua kthente pasuritë pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist, në vitin 1945. Më 20 gusht 2012, Shoqata e Qiramarrësve në Shtëpitë Shtetërore ish-Pronë Private kundërshtoi kushtetutshmërinë e aktit normativ të vitit 2012, ankesë që nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese. Më 12 dhjetor 2012, Shoqata dhe 638 qiramarrës, duke përfshirë të gjithë kërkuesit, i drejtuan një peticion Këshillit të Ministrave, ku pretendonin se Akti normativ i vitit 2012 nuk parashikonte masa efikase për garantimin e banesave për ata. Dhe të njëjtin fat pati edhe kërkesa e 17 qiramarrësve në Strasburg. Përmes vendimit që mban datën 17 maj 2018, Gjykata e të Drejtave të Njeriut ka arsyetuar se familjet në fjalë nuk kanë ezauruar mekanizmat që mundëson shteti shqiptar për të gjetur të drejtën e tyre, duke rrëzuar kërkesën.