Statistikat e FMN-së/ Qeveria shqiptare shpërndau 2,8% të PBB për Covid-19 dhe asnjë qindarkë për Fondin e Rindërtimit nga tërmeti

287
Sigal

Gënjeshtra e Ramës: Shqipëria shpërndau vetëm 2.8 % të PBB për Covid-19

Statistikat e FMN-së tregojnë të vërtetën, Serbia dhe Greqia “vite dritë” larg nesh

Kryeministri Edi Rama pardje me zë dhe figurw tha se vendet e rajonit nuk kishin dhënë më shumë para se Shqipëria për pandeminë e koronavirusit. Teksa e gjithë bota ishte në izolim total për të shmangur infektimet nga pandemia që gjunjëzoi globin, qeveritë lanë pezull çdo investim për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të mbetur pa punë dhe rrjedhimisht pa të ardhura. I vënë përballë argumentit të gazetarit Armand Shkullaku, se Shqipëria kishte dhënë shumë pak para për  2 paketat e ndihmës, kreu i qeverisë pretendoi të kundërtën, madje shtoi se nw vendet e rajonit kishte ende qytetarë të pa likuiduar.

Debati në Opinion

Edi Rama: Shqipëria ndryshe nga këto vendet e tjera rreth e rrotull që nuk është e vërtetë që kanë dhënë shumë më tepër se ne.

Armand Shkullaku: Më shumë se ne jo, shumë më tepër.

Edi Rama: Nuk është e vërtetë që kanë dhënë shumë më tepër se ne. Ne çfarë kemi dhënë kanë shkuar tek njerëzit. Nuk i kanë parë akomë lekët që me letra i kanë në dorë. Se nuk dua të përmend emra tani.

Për të provuar të kundërtën e asaj që kreu i qeverisë shqiptare dha dje, vetëm për periudhën e karantinës dhe ndihmave të qeverisë, FMN-ja i ka përllogaritur vetë, sesa përqind të GDP-së kapnin vlerat e paketave të qeverive. Sipas shifrave zyrtare, Shqipëria ka vendosur në dispozicion të qytetarëve me të dyja paketat një buxhet prej 45 miliardë lekësh ose e përllogaritur ndryshe si 2.8 përqind e PBB-së. Po vendet e tjera të rajonit si renditen pas nesh? A është e vërtetë ajo që kryeministri tha, se Shqipëria ka dhënë më shumë para për qytetarët sesa vendet e tjera? Për këtë na vjen në ndihmë FMN, e cila bazohet në shifra zyrtare që Ministritë e Financave të të gjitha vendeve, raportojnë atje.

Serbia: Paketa e parë e masave fiskale kapi vlerën e rreth 390 miliardë RSD (ose ndryshe 7 përqind e PBB-së). Ndërsa paketa e tyre, e cila u miratua në fund të korrikut, duke përfshirë subvencionet e pagave për punonjësit e bizneseve të vogla dhe të mesme për dy muaj të tjerë i kushtoi shtetit 36 miliardë RSD.

Kosova: Qeveria e Kosovës shpërndau për qytetarët e saj paketa fiskale në vlerë prej 180 milion euro ose 2.5 përqind e PBB është miratuar nga qeveria.

Bosnje-Hercegovinë: Qeveria ka ndarë 50 milion KM për qytetarët e vendit, ose ndryshe 0.15 përqind të PBB-së, duke vendosur rekord në rajon dhe më gjerë.

Greqi- Qeveria vuri në zbatim një paketë fiskale të masave që arrijnë në rreth 14 përqind të PBB-së ose 24 miliardë €.

Shifrat e mësipërme tregojnë qartë që numri një i mazhorancës shqiptare ka gabuar në deklaratën e tij, për të cilën ishte aq i sigurtë saqë kundërshtoi hapur dhe duke ngritur tonalitetin e zërit. Edhe Kosova, i është afruar shifrës së paketës sonë në përllogaritjen e PBB-së, ndërsa shumat e shpenzuara nga Serbia dhe Greqia duken vite dritë larg nesh.

Fondi i rindërtimit shpenzoi zero lekë deri në shtator 2020

Të ardhurat e buxhetit të shtetit në muajin shtator ishin 3% më pak se sa shtatori i vitit 2019, duke sinjalizuar një rikthim në pothuajse normalitet pas krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri. Por ndërkohë investimet e planifikuara të qeverisë mbetën të parealizuara.

Të ardhurat e qeverisë arritën në 308 miliardë lekë për periudhën janar-shtator 2020, ose 10% më pak se sa e njëjta periudhë e një viti më parë, duke sinjalizuar një rikthim në një situatë pak a shumë normale pas tronditjes së thellë të shkaktuar në muajt mars-qershor për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. Të ardhurat e muajit shtator ishin 36.8 miliardë lekë, ose vetëm 3% në pak se sa shtatori i vitit 2019. Në krahasim me rënien me 20-30% të muajve mars e prill, situata duket shumë më mirë.

Por ndërsa të ardhurat duket se po stabilizohen, shpenzimet kanë mbetur pas. Mungesa e shpenzimeve gjendet para së gjithash te i ashtuquajturi “Fondi i Rindërtimit”, një zë i veçantë në buxhetin e shtetit i krijuar për llogari të rindërtimit të zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ndërsa vendi gjendet vetëm pak javë larg përvjetorit të parë të tërmetit që vrau 51 shqiptarë dhe la mijëra të tjerë të pastrehë, fondi i rindërtimit, i cili planifikonte shpenzimin e 34 miliardë lekëve për vitin 2020, deri në fund të shtatorit është realizuar me zero lekë.

Probleme janë shfaqur edhe në fondin e zakonshëm të investimeve të qeverisë, i cili është realizuar në masën 91% të planit.

Qeveria shqiptare ka në plan të realizojë një deficit buxhetor në masën 132 miliardë lekë ose mbi 1 miliardë euro gjatë vitit 2020 pasuar me një deficit në përmasa të ngjashme në vitin 2021, ku një pjesë e madhe e deficitit shkaktohet nga nevoja për rindërtim pas tërmetit dhe një pjesë, si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia. Mosrealizimi i investimeve për rindërtim bëri që deri në fund të shtatorit, deficiti buxhetor të ishte 58 miliardë lekë nga 85 miliardë që planifikohej të ishte.