Spastrimet politike nga puna, kushtojnë 100 milionë euro

496
Sigal

Në 5 vitet e fundit, shteti ka paguar mbi 100 mln euro, me këtë fond, pensionet do ishin rritur 25%

Largimet nga puna për motive partiake, shteti shqiptar paguan për 3 administrata

Një nga kushtet e BE-së për dhënien e statusit Kandidat Shqipërisë ishte edhe miratimi dhe zbatimi i ligjit për Nëpunësin Civil dhe Administratën Publike. Qeveria e Rilindjes Socialiste, edhe pse e miratoi në Parlament, filloi me njëherë, spastrimin e Administratës Publike nga ata nëpunës që nuk kanë teserën e partisë, apo nuk janë njerëz të mirëbesuar të zyrtarëve të lartë të shtetit, duke shpërfillur ligjet. Edhe kur nëpunësit që zbohen në kundërshtim ligjin, dhe e fitojnë këtë të drejtë në gjykatë, ligji për Administratën publike ka boshllëqe ligjore, sepse nuk e detyron dot zyrtarin e lartë të Shtetit, të institucionit, që ta rimarrë prapë në punë nëpunësin, por detyron shtetin ta dëmshpërblejë, duke rënduar ekonomikisht buxhetin e shtetit, ngaqë njëkohësisht, paguan edhe nëpunësin që ka marrë në punë, edhe nëpunësin, që është zbuar në kundërshtim me ligji.

Tepsia është shteti

Shkarkimet nga puna të pambështetura në ligj vazhdojnë të rëndojnë buxhetin e shtetit duke prekur shifra marramendëse. Vetëm në 5 vitet e fundit, shteti ka paguar mbi 100 mln euro për këtë kategori. Ndërkaq proceset gjyqësore që janë duke u zhvilluar pritet të rëndojnë edhe më shumë situatën. Për të stabilizuar situatën, ekspertët sugjerojnë ndryshime në ligj, ku titullari do të mbajë përgjegjësi për firmën që vendos për pushimin e punonjësve.

Taksapaguesit shqiptarë janë të detyruar që të paguajnë dy administrata paralele për shkak të largimit të punonjësve në mënyrë të paligjshme.

Eksperti i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi, e konsideron këtë fakt shumë abuziv pasi janë mbi 100 milion euro të cilat shkojnë pagesa për këto largime në një kohë që mund të transformoheshin në investime për ndërtimin e spitaleve dhe shkollave.

Zef Preçi: Është një shkelje e të drejtave kushtetuese të individit, është një cenim i familjeve, njëkohësisht është një kosto tërësisht e panevojshme mbi taksapaguesit shqiptarë. Vijmë te një situatë absurde në të cilën janë tre administrata paralele, dy efektive dhe një tjetër në pritje.

Ndërkaq në Gjykatën Administrative në proces është dhe një numër i lartë dosjesh, duke rrezikuar që buxheti të përballojë 3 administrata.

Për të zgjidhur këtë problematikë, e cila përsëritet sa herë ndryshon pushteti politik, ekspertët kërkojnë që titullarët që firmosin largimin e punonjësve të mbajnë përgjegjësi për çdo punonjës.

Zef Preçi: Të detyrohet të dëmshpërblejë titullari, qoftë ky dhe Ministër kur ndërmerr veprime të paligjshme. Ndërkohë do të ishte që të hiqet dorë nga praktika e unifikimit të pagesave duke injoruar përvojën, duke injoruar rangun apo pozitën që zënë në administratën publike.

Nga të dhënat e Spending Open Data në 4 vite numërohen 13.475 transaksione nga thesari i shtetit si shpenzime për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna.

Mes Ministrive, ajo që ka numrin më të lartë të transaksioneve është Ministria e Mjedisit dhe Turizmit me rreth 466 të tilla, e ndjekur nga Ministria e Bujqësisë me 79, Ministria e Energjetikës dhe Transporteve me 66 transaksione, e Mbrojtjes me 61 dhe Shëndetësia me 56.

TRANSAKSIONET PËR LARGIMET NGA ADMINISTRATA

TOTAL 13.475

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit 466 348 mln

Ministria e Bujqësisë 79 58.2 mln

Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës 66 90.4 mln

Ministria e Mbrojtjes 61 72.3 mln

Ministria e Shëndetësisë 56 40.1 mln

Ministria e Brendshme 48 81.3 mln

Ministria e Financave 47 31.4 mln