SPAK të hetojë vendimin e Ekspertëve për karantinën e emigrantëve

177
Sigal

Siç dihet, Komiteti (politik) Teknik i Ekspertëve, 1 javë para 25 prillit, nxori një vendim abuziv, duke vendosur karantinë 14 ditore për emigrantët shqiptarë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut, që do të vinin të votonin në Shqipëri në zgjedhjet parlamentare. Ky Komitet nuk kishte marrë asnjë masë të tillë drastike, edhe kur ishte kulmi i epidemisë së Covid, madje gjithë muajt e fundit të dimrit e deri në prill, kishte zbatuar në heshtje politikën e “ imunizimit të tufës”, përveç mbylljes totale të shkollave dhe universiteteve, kur ndërkohë lejonte mitingjet elektorale, kafenetë të mbusheshin plot, urbanët e Tiranës pa asnjë masë kufizuese, etj. Karantina e detyrueshme 14 ditore e qeverisë ndaj emigrantëve që do të vinin të votonin në Shqipëri ishte politike, për të penguar ardhjen dhe votimin e emigrantëve, ngaqë ata nuk garantonin votë për partinë-shtet. Opozita ka akuzuar Komitetin Teknik të Ekspertëve që ka vepruar në interes të Kryeministrit Edi Rama, kur vendosi karantinë 14 ditore për emigrantët nga Maqedonia e Veriut apo Greqia, duke qenë se Rama i frikësohej votës ndëshkuese të emigrantëve. Pasojë e kësaj ishte numri shumë i ulët i votuesve, sidomos në qarqet, Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Tiranë. Prandaj SPAK duhet të hetojë këtë vendim të qeverisë për shpërdorim detyre, sepse u mohoi emigrantëve shqiptarë të drejtën kushtetuese për të votuar, pa e bazuar atë vendim në asnjë të dhënë shkencore mbi rrezikun përhapës të pandemisë. Kaq abuziv ishte ky vendim, saqë 1 javë pasi u certifikua rezultati zgjedhor nga KQZ-ja, ky Komitet Politik i Ekspertëve e hoqi karantinën.