SPAK sekuestron edhe  inceneratorin e Tiranës

45
Sigal

SPAK vendosi të sekuestrojë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k., e cila ka fituar të drejtën e ndërtimit dhe menaxhimit të inceneratorit të Tiranës. Prej kohësh Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, pas akuzave në lidhje me inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, ku që të dy kanë përdorur persona të tjerë për të mbuluar gjurmët e tyre si pronarët e vërtetë dhe se kontrata e lidhur nga shteti përfundon në 2041. Flasin Veliaj, Kryemadhi dhe Malltezi: SPAK të ndaloj edhe pagesat dhe të hetoj kontratat që favorizuan mafjen

 

Prokuroria e Posaçme njoftoi të martën se SPAK vendosi të sekuestrojë kompaninë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k., e cila ka fituar të drejtën e ndërtimit dhe menaxhimit të inceneratorit të Tiranës. Sipas njoftimit të SPAK, Zoto dhe Mërtiri, të dy të shpallur në kërkim ndërkombëtar pas akuzave në lidhje me inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, kanë përdorur persona të tjerë për të mbuluar gjurmët e tyre si pronarët e vërtetë. Ata po ashtu akuzohen se falë falsifikimit të faturave tatimore kanë arritur të përfitojnë shumën prej 4 miliardë lekë. SPAK në njoftimin e shpërndarë për mediat sqaron se ka arritur të provojë se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vendepozitimeve ekzistuese, Tiranë”, si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Hollandë, “Integrated Energy B.V”, ndryshuar më pas me emrin “Geogenix B.V”. Prokuroria e posaçme tha se nga provat e marra gjatë hetimit ka rezultuar se, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. SPAK ka arritur të evidentojë faktin se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, janë personat që kanë udhëzuar dhe kanë marrë vendimet në lidhje me shoqërinë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k. dhe shoqërinë mëmë në Hollandë me emrin e mëparshëm “Integrated Energy B.V.”, aktualisht “Geogenix B.V.”, që përkon nga momenti i themelimit të këtyre shoqërive e në vijimësi. Në njoftimin e SPAK thuhet edhe se “Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se shtetasi Klodian Zoto, në bashkëpunim me shtetasin Mirel Mërtiri, kanë përfituar në sajë të faturave tatimore të falsifikuara, vlerën monetare 409,428,000 (katërqind e nëntë milion e katërqind e njëzet e tetë mijë) lekë, ku shtetasi Klodian Zoto është paraqitur dhe ka deklaruar fatura të falsifikuara për punime të kryera nëpërmjet shoqërisë tjetër të tij “Integrated Energy Services” sh.p.k., si nënkontraktor i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k. Në kohën e lëshimit të këtyre faturave të falsifikuara, provohet se aksionerë “de facto” kanë qenë shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Po ashtu, është evidentuar fakti se shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri zotërojnë në mënyrë indirekte shoqërinë “F.M.O.” sh.p.k. Nga hetimi janë mbledhur prova se këta shtetas, duke shfrytëzuar përfitimet e paligjshme kanë blerë për llogari të subjektit “F.M.O.” sh.p.k., një pasuri të paluajtshme, me sipërfaqe 611 m2, me vlerë 1 000 000 Euro, e ndodhur në qytetin e Durrësit.” Bazuar në këtë kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e njohur ndryshe si GJKKO vendosi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasuritë e “Integrated Energy B.V. S.P.V.” sh.p.k., me Nipt L72031013B, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të tij. Po ashtu vendosi sekuestro edhe ndaj personit juridik “Integrated Technology Services” sh.p.k., me Nipt L02302032C, me seli qëndrore në Tiranë, së bashku me pasuritë e paluajshme dhe të luajtshme në pronësi të tij dhe pasuria e paluajtshme në zotërim të shoqërisë “F.M.O.” sh.p.k, lloji pasurisë “njësi”, me sipërfaqe 611 m2, me adresë Durrës. Kujtojmë se kompania Integrated Energy B.V u themelua në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë, ka faturuar qytetarët shqiptarë në mënyra të ndryshme, përfshirë përmes sistemit fiskal për qeverinë apo përmes tarifave të detyrueshme për depozitim mbetjesh.Të dhënat e bilancit të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, tregojnë se mes viteve 2017 dhe 2021, qytetarët i paguan Integrated Energy BV së paku 7.9 miliardë lekë në formën e tarifave koncesionare dhe tarifave të shërbimit të depozitimit. Në vitin 2021, të ardhurat e kompanisë arritën në 2.6 miliardë lekë. Bilanci i vitit 2022 nuk është depozituar deri më tani në QKB, por të dhënat e pagesave të thesarit të buxhetit të shtetit tregojnë se nga 1 janari 2022 deri më sot, kompania ka përfituar edhe 2 miliardë lekë të tjera. Duke marrë parasysh këtë, dhe të ardhura të tjera që kompania faturon për depozitimet, deri në kohën e sekuestrimit në gusht 2023, fusha e mbetjeve të Tiranës duket se u ka kushtuar taksapaguesve minimalisht 100 milionë euro. Inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit i kanë kushtuar veçmas së bashku rreth 50 milionë euro.

Sekuestrimi i inceneratorit të Tiranës, Erion Veliaj: Vendim i mirëpritur, të zbardhet paligjshmëria.

Pas sekustrimit të impiantit të mbetjeve të Tiranës nga SPAK, ka reaguar menjëherë kreu i bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj, i cili e ka quajtur një vendim mëse të mirëpritur. Njëherësh Veliaj është shprehur dhe kundër akuzave të portaleve dhe Berishës, duke deklaruar se ata akoma nuk e kanë marre vesh se është një epokë tjetër. “Histeria e portaleve të baltës tregon vetëm që baltaxhinjtë e udhëhequr nga Non Gratat s’e kanë marr vesh akoma që jemi në epokë tjetër! Sekuestrimi dhe heqja nga duart e subjektit privat të impiantit të mbetjeve të Tiranës si rezultat i hetimeve të SPAK është mëse i mirëpritur në rrugën e zbardhjes së veprimtarisë së paligjshme të kujtdo që ka abuzuar në dëm të interesit publik. Bashkia e Tiranës ndërkohë do të vazhdoj pa u ndalur punën për një Tiranë që sot është pasqyrë pastërtie edhe si rezultat i transformimit te Sharrës nga një kancer urban në një fushë sanitare me standardet e duhura mjedisore. Koha punon për Tiranën dhe Shqipërinë Europiane, jo për kandilët e Non Gratave, që do të shkojnë drejt shuarjes.

Sekuestro e SPAK, Monika Kryemadhi: Inceneratori është bashkëpunim mafioz mes zyrtarëve publik dhe biznesit

Ish-Kryetarja e dikurshme e Lëvizjes Socialiste për Integrim, tashmë deputete e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi reagoi të martën pas sekuestrimit të inceneratorit të Tiranës. Kryemadhi tha se “SPAK më në fund ndërmori një veprim ndaj inceneratorit të Tiranës, i kallëzuar prej meje që prej dy viteve” – tha ajo duke shtuar: “ Në këto momente shumë të rëndësishme, duhet të mos harrojmë se: Inceneratori i Tiranës është një vepër kriminale produkt i bashkëpunimit mafioz mes zyrtarëve publikë dhe biznesit. Të dyja palët janë përgjegjëse në vjedhjen e shqiptarëve. Të ndiqen paratë e vjedhura kudo ku këta hajdutë me kostum zyrtari e biznesi i kanë fshehur, dhe çdo qindarkë t’u kthehet qytetarëve.” – tha Monika Kryemadhi, deputetja e Partisë së Lirisë, e cila i kërkoi SPAK të mos ndalet drejt peshqve më të mëdhenj.

Andis Harasani: Ardhja e Ramës në krye të PS solli eksod masiv dhe skandale

Ish-politikani shqiptar, Andis Harasani, gjatë një interviste të publikuar të martën tha se ardhja e Ramës në krye të Partisë Socialiste solli atë që po jetohet çdo ditë në Shqipëri që nga largimi masiv i njerëzve, skandalet e përditëshme, etj. I Pyetur nga media Syri se nëse Rama e bëri më të mirë Partinës Socialiste, Andis Harasani tha se shkurt se jo vetëm që PS por edhe PD e shkatërooi.  Harasani komentoi edhe lëvizjet e pompuara si të suksesshme nga ana e qeverisë për prodhimin e energjisë nga dy TEC e lundrueshme, që sipas tij janë shembulli tipik i asaj që nuk kanë të bëjnë asgjë me prodhimin e energjisë, por janë thjeshtë qokë dhe vështrim politik.  “Në radhë të parë, jam dakord që Partia Socialiste e asaj kohe ishte një forcë e vërtetë progresiste por ishte shumë më liberale se duhej, i mungonte disiplina e brendshme dhe ndërthurja e interesave të anëtarëve që ta mbante partinë të bashkuar. Në të njëjtën kohë ajo parti vuante në subkoshiencë të të gjithë kryesisë, deputetëve dhe drejtuesve një ndjenjë faji që rridhnin nga PPSH dhe nuk ishin modern sa duhet. Pikërisht këto mungesa shfrytëzoi, duke përdorur gjerësisht shtypin dhe mortaja rilindase. Unë mendoj se nuk arrita kurrë të bëhem një politikan për arsyen se në Shqipëri mungon politika e vërtetë. Çdo gjë vërtitet drejt matjes se kush ka organin më të gjatë. Nuk mund të jetë politikë ajo që po ndodh dhe tani me PD-në, Bashën ose me asamblenë e fundit të PS.”
Pyetje: Çfarë mendoni se solli ardhja e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste? A u bë ajo parti më e mirë apo…?
Andis Harasani: Ardhja e Ramës në krye të Partisë Socialiste solli atë që po jetohet çdo ditë në Shqipëri.  Që nga largimi masiv i njerëzve, skandalet e përditëshme, etj.  Sa për pyetjen tuaj nëse e bëri Rama më të mirë PS-në më lejo t’i bie shkurt që jo vetëm PS-në, por dhe PD-në e shkatërroi.  Ka disa fjalë që zakonisht nuk qëndrojnë bashkë në një fjali, dhe një nga këto raste është “Rama” dhe “më mirë”.
Pyetje: Nëse mund të më thoni shkurtimisht, PS-ja, më mirë nën udhëheqjen e Fatos Nanos apo Edi Ramës?
Andis Harasani: Varet se në çfarë aspekti bëhet krahasimi. Nëse krahasohen për fituese në zgjedhje, PS e Ramës është shumë më efektive. Por unë mendoj se nuk ka pikë rëndësie se sa e mirë ose e keqe një parti politike është, por se çfarë i ofron ajo vendit dhe në këtë pikë PS e Ramës nuk shoh se mund të ofrojë ngjyrë tjetër veçse të zezës.
Pyetje: Ju keni qenë drejtues i KESH-it. A i keni ndjekur zhvillimet në sektorin e energjisë këto 10 vitet e fundit në Shqipëri? Si kanë qenë ato?
Andis Harasani: Me thënë të drejtën nuk i kam ndjekur. Në Rilindje është e vështirë të ndiqet diçka pasi informacionet fshihen, ndaj e vështirë për të krijuar një opinion.  Por gjithësesi, nuk besoj se ka ndonjë përmirësim pasi çdo gjë nën rilindjen është qokë dhe politikë dhe këto janë dy faktorët nga të cilat sektori ka vuajtur gjithmonë.
Pyetje: Për shembull, si ju duket ju marrja nga qeveria shqiptare e dy anijeve gjenerator në Vlorë, menaxhimi i burimeve hidrike, shitja edhe blerja e energjisë?
Andis Harasani: Dy anijet gjeneruese në Vlorë janë shembulli tipik i asaj që thashë më lart. Nuk kanë të bëjnë asgjë me prodhimin e energjisë, por janë thjeshtë qokë dhe vështrim politik.
Pyetje:  Mund të më përshkruani me nga një fjali Fatos Nanon, Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën?
Andis Harasani:
Fatos Nano – Liberal dhe mik i mirë.
Edi Rama – Interesaxhi.
Sali Berisha – Politikan dhe burrë.
Ilir Meta – I pavendosur në momentet që duhet.

Sekuestrimi i inceneratorit, Malltezi: Po vidhen taksat e shqiptarëve, lëvizja e SPAK e vonuar, por për t’u përshëndetur

Jamarbër Malltezi edhe përse e konsideroi të vonuar sërisht e përshëndeti vendimin për sekuestro të SPAK për inceneratorin e Tiranës. “Së pari, padyshim që vendimi është i vonuar dhe së dyti është për tu përshëndetur Spak-u që më në fund lëvizi dhe filloi të lëvizë lidhur me inceneratorin e Tiranës sepse ka disa vite që po vonohet. Pak rëndësi ka për qytetarin shqiptar në rast se pronari do të ishte Klodian Zoto apo Mërtiri apo Karlo Bollino, kjo nuk do të thotë asgjë. Rëndësia fillestare e kësaj pune është se ne po vidhemi, po merren para publike e taksa paguesve shqiptar për një shërbim që nuk po bëhet. Dëshira e SPAK-ut për të shkuar e për të parë kush janë pronarët ishte disi e çuditshme. Përderisa kontrata është e paligjshme dhe aty ti ke pika që bien ndesh me çfarë do lloj do lloj kontrate juridike ajo është e korruptive. E para, është një veprim në rrugën e duhur por është shumë pak dhe shumë e vonuar, kjo nuk është thjesht një ryshfet apo pastrim parash jo efektive. Afera e inceneratorëve është që e gjithë qeveria e Shqipërisë të gjithë ato ministra u bënë bashkë dhe u vënë nën urdhërat e Zotos dhe Martirit të cilët përgatisnin letrat se çfarë duhet të thoshte Bashkia e Tiranës apo Ministria e Mjedisit dhe ajo e Ekonomisë”.