SPAK procedon penalisht njerëzit e Tom Doshit për krime zgjedhore

6
Sigal

SPAK, në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit dhe Policinë e Shkodrës, ka ndërmarrë një operacion të gjerë kontrollesh dhe veprimesh hetimore në disa zona të qarkut Shkodër, përfshirë Malësinë e Madhe, Barbullushin, Bushatin dhe Mjedën. Operacioni zhvillohet në kuadër të masave parandaluese kundër krimeve zgjedhore.

Burime nga SPAK bëjnë me dije se janë regjistruar disa procedime penale për krime zgjedhore në këtë qark, ndërsa agjentët e BKH-së janë në terren me mbështetjen e forcave të policisë lokale.

Në drejtimin e operacionit ndodhet Altin Dumani, kreu i “Task-Forcës” së posaçme për krimet zgjedhore, i cili është vetë i pranishëm në zonat ku po kryhen kontrollet. Deri më tani, raportohet se janë ndaluar disa persona.

Sipas burimeve, personat që po procedohen penalisht janë anëtarë të shtabit elektoral të Partisë Social Demokrate, e drejtuar nga Tom Doshi.

Ndërkohë, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, SPAK ka bërë të ditur se deri më tani ka nisur hetimet për 35 materiale kallëzuese që lidhen me veprime të dyshuara si krime zgjedhore.