Sot, tenderi për drejtorin e spitalit të Tiranës

475
Sigal

Shpallja me konkurs e vendit të drejtorit është e kundraligjshme. Drejtori i QSUT-së është kompetencë e kryeministrit Berisha

Janë plotë 10 drejtorë të qendrës më të madhe spitalore të vendit që kanë provuar, gëzuar dhe mbushur xhepat duke përfituar shpesh herë nga fatkeqësia dhe sëmundjet e njerëzve dhe qytetarëve të tyre hallexhinj.  Në 22 vjet demokraci, QSUT pret në krye të saj drejtorin e 11-të  dhe qendra më e madhe spitalore në vend bëhet  kështu ndoshta institucioni që ka ndërruar më shumë drejtues. Dhe vjen një ditë që drejtuesit  japin “dorëheqje” dhe se ky fund  i tyre  është bërë në të njëjtë mënyrë sikurse emërimet që kanë qenë të mbështetura mbi standardet  e besnikërisë për partinë që e ka propozuar, nepotizmit dhe   detyrimeve që ata duhet të kishin gjatë fillimit të punës ndaj padronëve  të tyre. Dhe shqiptarët vazhdojnë të luajnë me jetën pasi kanë votëbesuar disa, për t’i përfaqësuar disa hajdutë ordinerë që sikurse është thënë shpesh këto kohët e fundit do t’i kishte zili edhe “Ali Baba”. Emrat e shënuara në faqet e “bllokut” të partisë s’kanë të mbaruar ndaj për ta rritur më shumë piacën shtetarët vendosën ta bëjnë me ankand. Ministria e LSI-së ka vendosur një afat 48 orësh për hapjen e konkurrimit për këtë post. Në njoftimin e saj thuhet se: Që nga ky moment çdo kandidat që zotëron aftësitë e nevojshme menaxheriale si dhe ka përfunduar studimet e larta, është i lutur të paraqesë një kërkesë dhe CV pranë bordit të QSUT-së  deri ditën e mërkurë, ora 16:00″. Ajo që bie në sy në këtë njoftim është se ministria nëpërmjet kabinetit shpall konkurs për vendin e drejtorit, kur këtë atribut e ka Kryeministri i vendit pas propozimeve të ministrit të Shëndetësisë. Kërkesa e kabinetit është politike dhe kompromenton rëndë pavarësinë e administratës shtetërore. Por shqetësimi i qytetarëve shqiptarë dhe sidomos pacientëve që trajtohen në këtë qendër nuk është se kush do vijë pasi dihet dhe kuptohet që do vijë militanti i radhës dhe që pak gjasa ka të jetë profesionist. Shqetësimi i tyre është se çfarë do bëjnë nesër kur në pavijonet e kësaj qendre mungojnë ilaçet, mungojnë serumet dhe  shiringat, mungon bisturia dhe  pambuku, mungon  alkooli dhe betadina. Po flasim për materialet më elementare që i kanë në shtëpitë e tyre edhe qytetarët e thjeshtë si ndihmë e parë. Sa për medikamentet e onkologjikut, ku njerëzit luftojnë dita -ditës me vdekjen apo për pavijonin e sëmundjeve të gjakut as që bëhet fjalë dhe mjerë kë zë halli se dy rrugë kanë: O të shesin shtëpinë, po qe se nuk e kanë me kredi ose të vdesin. Ja kjo është ajo që po përjeton shëndetësia shqiptare, ndërkohë që, taksapaguesit e këtij vendi paguajnë çdo vit rreth 220 milionë dollarë së bashku me paratë që administron drejtoresha e përjetshme e qeverisë, Elvana Hana (ISKSH). Askush nuk thotë se përse shteti nuk fillon hetimet ndaj Saimir Ivzikut për abuzimet në QSUT, të cilat tashmë i ka bërë publike KLSH-ja?! Cilat janë lidhjet dhe detyrimet e këtyre drejtuesve me familjen e ngushtë të LSI-së? Vetëm kur të zbardhen këto dhe drejtuesit që kanë bërë kërdinë në QSUT do të shkojnë në bankën e të akuzuarve atëherë mund të themi pa frikë se qytetarët po fillojnë të  shpresojnë në të ardhmen e mjekësisë së tyre. Oborret e QSUT-ja janë  kthyer në një vend ku gjen qofte, byrekë dhe lavazhe, por jo ujë në çezmat e pavijoneve, gjen farmaci private, por jo ilaçe për të sëmurët, gjen taksitë, por jo vend për ambulancat e spitaleve që sjellin pacientë, ka aparatura që kanë kushtuar miliona euro, por janë jashtë funksionit pasi këto shërbime duhet të bëhen tek klinikat private të agallarëve që kanë vite që po e mjelin këtë qendër. Sot do të dorëzojnë CV e tyre në “Bord”  lloj-lloj malukatësh, kapterë dhe traktoristë, faturino dhe lavazhierë, palaço cirku dhe peshëngritësa, një pjesë e të cilëve janë pajisur me diploma nga ato të universitetit që bëri xhiron e botës për fallcitetin e tij.  Por shqiptarët pas pak muajsh do jenë pranë kutive të votimit dhe nuk do ta bëjnë më gabimin fatal që t’i besojnë që me “blloqet e tyre” po regjistrojnë lajmërimet e vdekjes për pacientët hallexhinj. Para se të votojnë shqiptarët do të kujtojnë spitalet dhe  torturat në pavijone, do të kujtojnë xhepat e grisura nga “mafia” me bluza të bardha  dhe  mungesën e ilaçeve, do kujtojë  energjinë e rritur, do kujtojnë ujërat territoriale që deshën t’i tjetërsonin e shumë të tjera. Dhe për të gjitha këto ka një sigël partie dhe një njeri, ai është “Njeriu me Bllok”.  Ivziku i emëruar nga LSI-ja, iku, por ka lënë nga pas rreth 350 punonjës që kanë 4 muaj pa marrë rroga dhe shumica e tyre janë pa kontrata pune, por me kontrata elektorale. KLSH-ja dhe Prokuroria nuk kanë fuqi të hetojnë këtë skandal, se mbyllja e çështjes “Prifti” vetëm para dy ditësh tregoi se Gratë dhe  Burrat e Gjykatës së Lartë janë të ndikuar nga  Burrat dhe Gratë me pushtet administrativ. Ndaj “Blloku”  që ndodhet si “ujku në mes të kopesë” do vazhdojë të bëjë kërdinë deri në pranverën e 2013-s.