Soreca apel partive politike: Përqendrohuni te programet dhe reformat që synoni

186
Sigal

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka përsëritur thirrjen e kreut të KQZ-së që partitë politike të zhvillojnë një fushatë të qetë dhe qytetarët të lejohen që të zgjedhin kë ata dëshirojnë.

Soreca shpërndau mesazhin e Celibashit në Twitter, ku thekson se partitë dhe kandidatët duhet të përqendrohen në programet e tyre dhe reformat për të përmirësuar jetën e shqiptarëve.

“Ne pajtohemi me Ilirian Celibashin. Partitë politike dhe kandidatët duhet të përqendrohen tani në programet e tyre përkatëse politike dhe në reformat që ata synojnë të paraqesin për të përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ne kemi besim në të gjitha institucionet përkatëse dhe politike. Aktorët të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me vendimet e KQZ”,- shkroi Soreca.

Kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, pak më herët u ka bërë thirrje partive politike që të zhvillojnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët që të zgjedhin kë ata dëshirojnë.

“Kjo thirrje vlen për partitë politike, kandidatët. Çfarë vlen për të korrigjuar, duhet ta bëjmë me qëllim që këto zgjedhje jo vetëm të jenë më të mira se zgjedhjet e shkuara, por në përputhje me standardet. Jemi të gjithë të vëzhguar, në fund të ditës, për secilin nga ne do të ketë gjykim. Përgjegjësit për mospërmbushjen e Kodin Zgjedhor, do e mbajë përgjegjësinë dhe do të paraqitet në sanksionet përkatëse. Bëj thirrje partive politike dhe kandidatëve të bëjnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët të zgjedhin kë të dëshirojnë”,- tha Celibashi.

Një ditë pasi Kolegji Zgjedhor vulosi vendimin që fleta e votimit do të jetë me numra dhe jo me emra, komisioneri Ilirjan Celibashi këshilloi qytetarët si të mos gabojnë kur t’u drejtohen kutive në 25 prill.