‘Snobët’ e Tiranës dhe të Edi Ramës

297
Sigal

Analizë nga Vangjush Saro: Të heqësh sytë nga realiteti, nga dija, e vërteta dhe e rëndësishmja, dhe të shohësh në pasqyrë vetëm veten dhe servilët e tu, është snobizëm që tregon se kandili i kësaj qeverie po shuhet.

Kur kalon një kohë e gjatë në pushtet, zyrtari i (pa)lodhur fillon e shikon përqark me përçmim… Ai mendon se kështu do të jenë punët jetë e mot: ai do të vazhdojë të flasë, të drejtojë, të gjykojë, të abuzojë; dhe nuk ka se si ndryshe. Ndoshta mendon se nuk ka kush ta zëvendësojë. Ndoshta beson se mund të vjedhë e rivjedhë vota. Le të bërtasë Evropa ‘për dënimin e vjedhësve të zgjedhjeve’, ai i ka mbyllur veshët. Dhe a e dini çfarë bën ndërkaq sa për sy e faqe? I tregon babait arat, përndryshe i bën ‘karshillëk’ BE-së dhe Francës.  Loja e snobit duket pak e çuditshme: Edhe i tillë, edhe me shallvare (?!) Se kështu vishet ndonjëherë Kryeministri, për t’u treguar ‘popullor’, ‘kombëtar’, në mos askushi… Por kënga popullore, ku autori anonim shpreh urrejtjen kundër pushtuesit osman, thotë: “O halldup, shallvaregjerë, në ta zënça dot guberë, do ta bëj si tjetër herë…”

Pra, nuk paska asgjë kombëtare, përkundrazi, është njëlloj kakofonie, fiksim, trazirë në jetën e tij e të ‘Rilindjes’. Ndonjëherë, loja e snobit shkon edhe më tatëpjetë: Një ‘aferë korruptive’ me 500 (e një tjetër me 1000) lekë ndaj aksh polici rrugor, e bën qytetarin të pandehur në SPAK e, më pas, dënohet nga Gjykata e Posaçme (!) Padyshim, kjo mund të jetë e drejtë, por kur mendon se ç’bëjnë ata që janë në pushtet, duhet të mbash mendjen. Të heqësh sytë nga realiteti, nga informacioni, nga dija, nga e vërteta dhe e rëndësishmja, të shohësh në pasqyrë vetëm veten dhe servilët e tu, kjo njëfarësoj është snobizëm. Duket sikur dikush iu bën magji dhe i kthen në snobë ata që janë në pushtet. Kryeministri shqiptar është një i tillë: në fjalë, në polemika, në mënyrën se si i trajton kundërshtarët e median, në veshje, në sjellje… Ai mendon se gjithnjë ka një fjalë a një gjest më shumë se të tjerët. Edhe kur bën vaksinën, do të polemizojë me infermieren dhe do të tregojë që nuk i rrihet pa folur e pa yshtur një temë a një mëri. Snob. Mbase atij, atyre, kjo fjalë iu duket e mirë, diçka si lavdërim. Ndoshta ata e marrin shpjegimin e termit pak a shumë që… ‘kanë mend’ e janë ‘të veçantë’; nuk e kuptojnë këtë si një shprehje të injorancës që ka mbërthyer ata dhe institucionet e tyre. Pjesë e kësaj loje, ishte zhurma që u bë në lidhje me Lëvizjen e Dhjetorit, që ashtu si çdo ngjarje e histori tjetër shqiptare, snobët e interpretuan si zhgënjim; po ashtu dekorimet, pajisja e miqve me pasaportë shqiptare, siç ishte javë më parë ‘shfaqja’ me këngëtaren Ana Oxa, në një takim ku, ndryshe nga diva italiane, që dukej krejt normale, Kryeministri dhe snobi tjetër, Ardit Gjebrea, ishin veshur dhe silleshin si karagjozë.  Ku e lamë? Kullat e Kryeministrit dhe të Erion Veliajt i shkuan gjer në rrëzë Sahatit të Tiranës. Ky po që është zhgënjim. Flitet që ata po shikojnë mundësinë për ta lëvizur. (Sahatin.) E kuptoni çfarë ndodh apo jo? ‘Kthimi në identitet’ nuk është më as program, as parrullë, as edhe kujtim… Është thjesht një mashtrim. Tani, vizioni, qendra e botës, doemos edhe e Tiranës, janë ata; nuk është më qytetari i Tiranës, as Sheshi i tij, as Sahati i tij, as xhamia dhe as kisha. Qendra e botës dhe e Tiranës, kërthiza e kësaj bote të vogël, e kësaj Shqipërie të vogël, janë ata dhe snobizmi i tyre. Ata bëjnë çfarë të duan. Përballë kësaj arrogance, do të pranoja çdolloj opozite; qoftë edhe përkohësisht, qoftë edhe për ta trazuar njëherë katundin shqiptar. Shikojini! Ata ndërtojnë pareshtur dhe nuk duan t’ia dinë se çfarë i duhet qytetarit; mjaft që të pastrohen paratë, mjaft që të kemi një fasadë ‘zhvillimi’, mjaft që të duket sikur ‘punohet’. Me çmime dhe kosto që po shkojnë në qiell. Me justifikime e sjellje nga më brutalet. (Përtej modestisë, në rrethin familjar e shoqëror, kam jo pak, por tre a katër arkitektë, urbanistë e inxhinierë rrugësh, që kanë punuar andej e këtej dhe kështu, nuk jemi në fjalë rruge, por në vlerësime ekspertësh; kjo që po bën (gjoja)Rilindja nuk shkon. Janë bërë te pabesueshëm (në mos të pabesë) Kryeministri, Ministri, Kryetari i Bashkisë, servili apo servilesha në këmbët e tyre.) Këndvështrimi i snobëve është kaq i kufizuar. Për shembull, s’është ndonjë gjë e re të konstatosh se në këto dekada, një nga problemet e rënda të letërsisë dhe kulturës, është mungesa e kritikës artistike. Këtë e rithotë edhe një zonjë a zonjushë në një shkrim të këtyre ditëve. Lexuesi i nderuar do të pyesë se ku është këtu snobizmi. Durim, se ata, ato, edhe treshin, edhe dyshin, edhe njëshin, e bëjnë… zero. Me gjithë mungesat e theksuara në lëmin që sapo zumë goje, sa për pak kulturë, pa përmendur të tjerë, katër nga emrat më të spikatur në këtë disiplinë janë: Josif Papagjoni, Fatmir Terziu, Behar Gjoka, Xhahid Bushati; jo me recensione, jo me shkrime gazetash, ashtu po se po, por më së pari me… libra në fushë të studimit e të kritikës letrare dhe artistike. Por ata nuk përmenden nga zonjusha a zonja në fjalë, çka tregon se ajo është ose snobe, ose injorante ose thjesht dashakeqe. Mirëpo problemi është më i madh se kaq. Njerëz të tillë shpesh kanë në dorë projektet, konkurset, tekstet, botimet. Dhe kjo është një fatkeqësi intelektuale që Kryeministri, Ministri, zyrtari ‘rilindas’ nuk mund ta kuptojnë dot. Prandaj ‘kandili’ i tyre po soset. Madje do fryrë që të shuhet. Kryeministri dhe njerëzit e tij, po bëjnë një lojë të paskrupullt në ekonomi dhe në sferat që përmenda më lart; jo më pak në arsim e kulturë. Shkolla e snobëve dhe e abuzuesve shembi Teatrin Popullor, që pastaj ta ‘rindërtojë’ duke i ngjitur pas një monstër. Dhe kur dikush ngre zërin, i lëshojnë policinë. Dhe pastaj flasin si snobë: Ata (mbrojtësit e Teatrit) nuk kuptojnë ‘zhvillimin’. E kam dëgjuar njëherë snobin në krye të Qeverisë të thoshte se… do të përkthente nga frëngjishtja në shqip një autore shqiptare që kishte botuar një roman në frëngjisht. (Nuk është lojë fjalësh.) Ai del dhe i bën horte një emisioni investigativ dhe drejtuesit të tij, ndërkohë që flitet se ata (autorët dhe pronarët e atij emisioni) vënë gjoba. (Atyre që i kapin ‘mat’.) Por kjo është… ‘maja’ e gazetarisë dhe e humorit shqiptar, sipas z. Kryeministër. E pashë snobin, që është në krye të Qeverisë, teksa përcolli me një fjalim të gjatë dhe me lëvdata të padëgjuara, nderimin e një krijuesi, në fakt poet i mirë, dokumentarist i mirë – si shumë të tjerë – por pa ndonjë arritje të veçantë në gjininë e filmit artistik – me metrazhe ashtu dhe kështu – për të cilat shkonte pa të drejtë nderimi dhe fjalimi i Kryeministrit. I them këto, sepse ndërkaq, shumë kolegë të këtyre ‘të përkëdhelurve’ të çdo kohe, shikohen me syrin e njerkës, të njerkut në këtë rast; edhe pse mund të jenë më të suksesshëm, më të talentuar, madje ku e ku më të njohur, në vendet ku flitet shqip dhe në botë.  Snobët e Tiranës dhe të Edi Ramës, shallvaregjerët, e kanë të kufizuar edhe ‘vlerësimin’. Me mënyrën se si i konceptojnë tenderat, ndërtimet, nderimet, kulturën, letërsinë, ata e kanë ulur shumë ‘pazarin’. Por po i kundërshtove, ata të thonë ‘Ti nuk di’, ta qarkojnë emrin (si te ‘Zapata’) dhe pastaj në u rënç në dorë, kur mendon të qasesh në ndonjë projekt a konkurim, kanë për borxh të ngjallin të vdekurit ose të mbajnë me penicilina ata që janë për të vdekur, mjaft që ty mos ta heqin rrethin… Justifikimi, hakmarrja, shpagimi, të sheqerosura me snobizëm, janë parime në aktivitetin e qeverive dhe institucioneve të çdo kohe e të çdo vendi me probleme. Ne kemi jetuar një sërë eksperienca të tilla; tash çdo gjë është tepër. Do fryrë kandili që po shuhet…