Skandali: 74.000 punonjës shteti janë pa diplomë universiteti

1362
Sigal

INSTAT/ Administrata publike e pashkolluar dhe e mbushur me militantë elektoralë. 45% janë me arsim 8-vjeçar e të mesëm, 7% e punonjësve janë me 4 klasë fillore dhe 38% e titujve shkencorë janë me plagjiaturë. 340 nxënës shteti janë në kërkim për korrupsion, trafiqe dhe drogë

Punonjësit në shtet, 45% janë me arsim 8-vjeçar dhe të mesëm. Në 2018-n 7 % janë me 4 klasë shkollë

000 punonjës të shtetit janë pa diplomë universiteti, të punësuar si militantë partie

Në Shqipëri, sipas INSTAT kemi nj administratë publike thuajse gjysmë analfabete, derisa 7 për qind e 170.000 të punësuarve janë vetëm me arsim fillor, domethënë, vetëm me 4 klasë, ndërsa 85.000 punonjës të shtetit janë, zyrtarisht, sipas INSTAT vetëm me arsim deri të mesëm, pra nuk kanë asnjë diplomë universiteti. Ndërkohë, që shteti paguan, paralelisht, thuajse edhe një administratë të dytë publike, ku në bazë të vendimeve gjyqësore, shteti dëmshpërblen të gjithë ata punonjës të shtetit që u zbuan nga qeveria në kundërshtim me ligjin, vetëm mbi baza partiake. Dhe këta, janë të arsimuarit, të diplomuarit, specialistët, ekspertët e administratës publike, të zbuar nga vendet e punës, sepse nuk janë votuesit e partisë – Shtet.

Të dhënat zyrtare të INSTAT: Administratë Publike e padiplomuar

Sektori publik numëroi rreth 170 mijë të punësuar në fund të vitit të kaluar, por më shumë se 45% janë me arsim 8-9-vjeçar dhe të mesëm, teksa vetëm gjysma e punonjësve në sektorin publik janë me arsim të lartë. Sipas të dhënave të INSTAT, numri i personave me arsim fillor ka ardhur në rënie të dukshme gjatë dekadës së fundit. Në vitin 2000, në sektorin publik, ishin të punësuar mbi 190 mijë persona, ku 15% e tyre ose mbi 30 mijë persona ishin me arsim 8-vjeçar. Në fund të vitit 2018, vetëm 7% e punonjësve të sektorit publik ishin me arsimin fillestar. Pas vitit 2000 kanë pësuar rënie edhe punonjësit me arsim të mesëm, të cilët aktualisht përbëjnë 38% të totalit, nga 49% në fillim të viteve të 2000. Nga ana tjetër është rritur dukshëm pjesa e të punësuarve me arsim të lartë, që në fund të vitit 2018 përbënin gati 54% të totalit te të punësuarve në shtet. Pas vitit 2007, qeveritë forcuan kriteret e arsimit për pranimin në administratë, duke i stimuluar me paga më të larta. Gjithashtu në sektorin e shëndetësisë u vunë si kushte diplomat e arsimit të lartë dhe mastera e nivelit të dytë. Forcimi i kritereve sa i përket diplomave dhe shpërthimi i universiteteve private gjatë dekadës së kaluar e rritën numrin e personave me arsim të lartë në shtet.

Farsa e konkurseve të punësimit dhe hipokrizia e meritokracisë

Para ca ditësh, ministrja e Shëndetësisë publikoi në rrjetet sociale portalin e ri të ministrisë së saj, ku bëri thirrje që cilido që kërkon të punësohet në ministrisë e saj, të bëjë kërkesë në këtë portal, dhe ministrja shkruan se kriteret e punësimit janë hartuar sipas këshillave të kryeministrit Rama. Pra, qartazi ministrja e Shëndetësisë deklaron publikisht se kriteret e punësimit në administratën publike hartohen sipas këshillave të kryeministrit. Edhe punësimet në administratën publike shpallen nëpër portale dhe jo në bazë të ligjit “Për Administratën Publike”. Shteti, sipas qeverisë së Rilindjes është inekzistent, derisa sipas kryeministrit qytetarët duhet t’i drejtohen portalit të qeverisë shqiperiaqeduam.al për të zgjidhur çdo shqetësim dhe hall të tyre, ose në atë portal qytetarët mund t’i shkruajnë kryeministrit çdo ankesë ndaj cilido zyrtari të shtetit dhe Ai, kryeministri, e shkarkon menjëherë zyrtarin e shtetit, duke anashkaluar edhe procedurën që parashikohet në ligjin “Për Nëpunësin Civil”. Sipas INSTAT, 85.000 punonjës të shtetit janë me arsim parauniversitar, sepse në shtet punësohen militantët e partisë – Shtet, në bazë të kontributeve elektorale, të lidhjeve nepotike, ose, siç janë denoncuar dhjetëra raste, vendi i punës në administratën publike blihet dhe shitet, sipas ofertë – kërkesës së tregut të punës. Ndërkohë, që të rinjtë e diplomuar, të arsimuar, të kualifikuarit, specialistët largohen nga Shqipëria, për të gjetur në vendet e tjera shpresën e punësimit, sepse këtu në vendin e tyre nuk kanë punë sipas meritës, arsimimit, kualifikimit.

 

Drejtues të administratës me rekorde kriminale

Të shumta kanë qenë rastet, kur drejtues të administratës publike kanë rezultuar persona me rekorde kriminale, sepse janë emëruar si partiakë, pa kurrfarë kriteri meritokracie, me konkurse farsë. Madje, shumë drejtues të administratës publike, por edhe deputetë të mazhorancës, kanë diploma të falsifikuara, ndërsa disa ministrave të qeverisë u është provuar e denoncuar se kanë plagjiaturë edhe gradat shkencore. Madje një zv.ministër i MASR, dha dorëheqjen për gradën shkencore të marrë me plagjiaturë, mirëpo kryeministri Rama e kandidon për kryetar bashkie në Berat, në zgjedhjet e 30 qershorit. Ndërkohë, që ka 340 persona, që kanë punuar edhe drejtues në administratën publike, që janë në kërkim nga Interpoli për veprimtari kriminale dhe korrupsion.

Administrata publike, me burokraci të lartë

Me gjithë rritjen e cilësisë arsimore, administrata shqiptare vuan nga mungesa e eficencës dhe një burokraci e lartë. Ndryshimi i shpeshtë i punonjësve në sektorin publik, si pasojë edhe rrotacioneve politike, e ka dëmtuar profesionalizimin dhe ekspertizën. Raportet e Monitorimit nga Bashkimi i Evropian dhe partnerë të tjerë si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar theksojnë në mënyrë të vazhdueshme se sektori publik në Shqipëri ka nevojë të reformohet, duke e konsideruar këtë si mjetin kryesor për të përmirësuar shërbimet publike.