Sinjal negativ për negociatat. Zv.presidenti i KE: Shteti i së drejtës është parametri kryesor i vlerësimit

172
Sigal

“Për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, elemtn thelbësor është shteti i së drejtës”. Kështu është thënë në konferencën e Këshillit për Çështjet e Përgjithshme në BE.

Maroš Šefčovič, zëvendës president i Komisionit Europian për Marrëdhëniet Ndërinstitucionale tha sot se shteti i së drejtës është parametri kryesor për negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Duke folur në një konferencë të Këshillit për Çështjet e Përgjithshme në BE, Šefčovič deklaroi se po punohet shumë nga KE që të dyja vendet të zhvillojnë konferencën e parë ndërqeveritare, brenda presidencës portugeze.

“Mund të theksoj se nga ana e komisionit po punojmë shumë që të dyja vendet të mund të zhvillojnë konferencën e parë ndërqeveritare sa më shpejt të jetë e mundur. Zgjerimi është një proces mjaft kërkues. Ne i kemi dhënë rëndësi të veçantë shtetit të së drejtës dhe të gjitha çështjeve të ndjeshme që duhen vendosur në negociata, me ato i mbyllim kapitujt. Mendoj se shteti i së drejtës do jetë parametri kryesor për negociatat. Duhet të japim një sinjal pozitiv për Ballkanin Perëndimor dhe shpresoj shumë që brenda presidencës portugeze të mbahet konferenca e parë”,- deklaroi Šefčovič.

Nga ana tjetër, sekretarja e Portugalisë për Çështjet e Europës, Ana Paula Zacarias ka deklaruar në Këshillin e Përgjithshëm për Çështjet e BE se po punohet për një zgjidhje të përbashkët në BE për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ajo thotë se në qendër të procesit të anëtarësimit është shteti ligjor.

“Ne diskutuam për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, çështjen e anëtarësimit. Por përpiqemi për një zgjidhje të përbashkët, që dy vendet të nisin procesin e anëtarësimit. Çfarë mund të them në këtë pikë, shteti ligjor është në qendër të procesit. Në procesin e angazhimit për afrimin drejt BE. Kjo është në qendër të metodologjisë së re, ky është thelbësor. Do e marrim në konsideratë kur të analizojmë gjithë procesin. Shpresojmë se do vazhdojmë diskutimet e debatet, për të parë nëse do të kemi konferencë ndërqeveritare për dy vendet. Por në të vërtet më duhet të përforcoj këtë mesazh, që shteti i së drejtës është thelbësor”,- tha Zacarias.