Simbolet e komunizmit, Ndregjoni: Ligji ekziston, Zaimi: Nismë e çmendur e PD-së

598
Partia Demokratike ka dalë me një nismë për heqjen e simboleve të komunizmit. Shumë shpejt do t’i kërkohet Kuvendit ta kalojë për miratim. Ja reagimet 
Prej disa ditësh Partia Demokratike ka paralajmëruar se shumë shpejt do të depozitojë një projektligj në Kuvend për ndalimin dhe kriminalizimin e simboleve të komunizmit.

Për PD shfaqja herë pas here e fotografive të ish-diktatorit është kthyer në një sëmundje të përsëritur, të cilët nuk mund t’i jepet ilaçi me propozime fasadë. Lidhur me këtë nismë, e cila është konsideruar e domosdoshme në këtë situatë që po kalon vendi, ka pasur reagime të shumta. Disa janë shprehur kundër dhe disa të tjerë janë pajtuar me projektligjin e hartuar. Një nga personazhet publikë, i cili njihet për bindjet e tij antikomuniste, Besim Ndregjoni është shprehur, se Partia Demokratike nuk duhet të kërkojë të bëjë ligj mbi ligj, por duhet të kërkojë zbatimin e ligjeve të miratuara në Parlamentin Shqiptar vite më parë. Ai shprehet se një kërkesë e tillë është fyerje për antikomunistët, të cilët kanë qenë pjesë e hartimit të rezolutës hartuar pas mbajtjes së Konventës Kombëtare të të përndjekurve në vitin 2006. Për këtë nismë kemi marrë mendimin edhe të ish-kolonel Pëllumb Zaimi. Ndryshe nga Ndregjoni, Zaimi e ka konsideruar nismën e Partisë Demokratike të çmendur. Ai u shpreh për gazetën “Telegraf” se as vendet e lindjes nuk kanë vepruar në këtë mënyrë. Zaimi shprehet se një gjë të tillë nuk e bëri as Enver Hoxha duke u shprehur, se as ai nuk u tregua aq mizor sa të hiqte simbolet e Zogut. 
Besim Ndregjoni, kryetar i PAD
Të kërkosh të bësh ligj mbi ligj, kjo as më pak as më shumë është një fyerje që i bëhet shtresës antikomuniste. Gjatë 27 viteve çështjen e trajtimit të periudhës diktatoriale komuniste, politika shqiptare dhe sidomos PD si parti e ashtuquajtur e djathtë, e ka përdorur politikisht kur ka qenë në opozitë. Me kërkesën e të përndjekurve politik, dhe të shoqatës që kam drejtuar unë dhe Adem Allçi, u zhvillua një konvent kombëtare në vitin 2006, një vit mbas rezolutës së Asamblesë së Këshillit të Evropës, për dënimin e krimeve të komunizmit. Dhe parlamenti i asaj kohe i motivuar nga Rezoluta e Asamblesë së Këshillit të Evropës por dhe nga kërkesa e të përndjekurve politik të Shoqatës Mbarëkombëtare, aprovuan një rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit në bazë të Rezolutës të Këshillit të Evropës. Ndryshimi i sistemit në Shqipëri në vitin 1992, i hoqi simbolet e diktaturës, nga institucionet shtetërore dhe që këtu simbolet e diktaturës për mendimin tim, sot mbas 27 vitesh përdoren politikisht, nga partia e majtë, e cila për hir të së vërtetës ka qëndruar në pozicionin kundra heqjes së këtyre simboleve, kurse PD nuk ka qenë e aftë gjatë këtyre viteve të impononte me ligj siç e kanë vendet e Evropës Juglindore që trajtojnë sistemin e simboleve të komunizmit të barabartë me fashizmin dhe nazizmin. Tani unë nuk e di se për cilat simbole flasin në PD. Simbolet nuk hiqen politikisht apo me ligje sa për të kaluar radhën. Simbolet hiqen me ligj dhe rezoluta e parlamentit shqiptar është një nga mjetet ligjore që detyron parlamentin, presidencën qeverinë të zbatojë këtë rezolutë e cila e ndalon përfundimisht shfaqjen e simboleve në manifestimet publike. Këtu është handikap që për unionin e të përndjekurëve politikë është absurde, fasadë, hipokrizi. Ne kemi një Kushtetutë, e cila ndalon me ligj, çdo veprimtari të diktaturave fashiste, naziste, komuniste, apo thënë shkurt, çdo veprimtari në shërbim të diktaturave apo diktatorëve. Dhe ne e ftojmë Partinë Demokratike si të përndjekur politik, mos kërko të bësh ligj mbi ligj, por kërko që vendimet e rezolutës për dënimin e krimeve të komunizmit, të zbatohen ligjërisht në sistemin politik shqiptar. 
Pëllumb Zaimi, ish-kolonel
Nismë e çmendur. PD e rrjedhur nga trutë. Nuk mund të gjykohet një sistem një mendësi tjetër dhe një politikë tjetër me mendësitë dhe politikën e sotme. As Enver Hoxha nuk u tregua kaq mizor sa ti hiqte simbolet dhe dekoratat e Ahmet Zogut. Mund t’i shkrepet Beogradit si PD-së të heqë edhe dekoratat që i ka dhënë Skënderbeut. Por a mund të gjykohet kështu. Janë çmenduri fashiste. Sepse vetëm ai bënte kështu. Këta kopjojnë fashizmin. Edhe Edi Rama nuk bën tjetër gjë, por kopjon fashizmin. Do të thosha se Edi Rama dhe Lulzim Basha janë e njëjta prerje. Nuk kanë asnjë ndryshim mes njëri –tjetrit. Kjo politika jonë ka vërtetuar 27 vjet se është vetëm politikë e çmendur. Më thuaj një rast të vetëm që ta gjykoj pozitivisht, që kjo politikë ka bërë transparencën e taksave të shqiptarëve. Ne nuk dimë asgjë se ku kanë shkuar. Është politikë anti-transparente e përmasave planetare. 
Sigal