“Siguria ushqimore ndodhet në gjendje alarmi kombëtar”/ PL, akuza të ashpra qeverisë: Skandale të përsëritura…

Partia e Lirisë në një deklaratë për mediat, akuzon ashpër qeverinë për menaxhimin e sigurisë ushqimore, dhe dëmin që po shkakton në familjet shqiptare.

Deklarata e plotë:

NOA

Përshëndetje!

Jemi në këtë konferencë të përbashkët shtypi për sigurinë ushqimore, një prioritet kombëtar, për të gjithë shqiptarët. Kjo për faktin se siguria ushqimore në Shqipëri ndodhet sot në një gjendje alarmi kombëtar. Skandalet e përsëritura me produkte bujqësore të kontaminuara me pesticide dhe substanca të ndaluara po rrezikojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve tanë.

Ndërkohë që këto produkte, në vendet e Bashkimit Europian ndalohen menjëherë, siç kanë raportuar gjerësisht mediat edhe në javët e fundit, në Shqipëri fatkeqësisht shiten lirshëm, duke përfunduar në tryezat e çdo familjeje shqiptare dhe duke helmuar shqiptarët.

Për ne, kjo situatë është tërësisht e papranueshme, sepse përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin publik dhe sigurinë kombëtare. Pasojat janë të shumëfishta, sepse përveç dëmit shëndetësor, këto produkte të kontaminuara po godasin rëndë edhe eksportet shqiptare, duke dëmtuar jo vetëm imazhin e vendit, por edhe duke penalizuar fermerët e ndershëm që punojnë me standarde të sigurta, por që produktet e të cilëve nuk mund të gjejnë dot tregjet ndërkombëtare.

Në kushtet kur tregjet, sidomos europiane, po mbyllen për produktet shqiptare pikërisht për shkak të mungesës së kontrollit dhe të abuzimeve me kimikate, duke kompromentuar rëndë të ardhmen ekonomike të bujqësisë shqiptare, e cila po goditet jo vetëm për shkak të nënfinancimit, por edhe për shkak se për të dytin vit rradhazi, Bashkimi Europian ka ndërprerë fondet IPARD, 112 milion euro, për shkak të abuzimeve dhe mungesës së hetimit të këtij skandali nga drejtësia shqiptare.