Si po ‘luftohet’ për zaptimin e Kepit të Rodonit. Skema për ndërtimin e hoteleve, vilave e fushave të golfit mbi pronat e një zonë e mbrojtur. Qeveria firmosi dhënien te investitorët për vetëm 1 euro!

44

Projekti parashikonte realizimin e disa hoteleve, vilave, rezidencave, fushave të golfit dhe shërbimeve të ndryshme. Duke mos pasur certifikata pronësie për gjithë sipërfaqen, firma e ndau projektin në faza të ndryshme.

Sigal

Një konflikt mes 8 personave, mesditen e 29 tetorit 2023, nxori në pah një mori interesash madhorë për pronat në zonën e Kepit të Rodonit, në Durrës. Katër përfaqësues të një firme, të cilët u identifikuan më vonë si “grupi Frroku”, u konfliktuan me banorët e fshatit Shetaj, me në krye Bajram Kaculin. Të gjithë u liruan pas 72 orësh, teksa në arrati dhe me masë shtrënguese është vetëm Besnik Toma, i cili qëlloi me armë. I gjithë konflikti, sipas policisë dhe prokurorisë, ishte për një parcelë e regjistruar në Kadastër me numrin 30/6, ku për të njëjtën sipërfaqe kanë certifikatë familja Kaculi me 5470 m2 dhe Kisha Françeskane me sipërfaqe 4114 m2. Por, a është vërtetë kjo sipërfaqe “molla e sherrit” mes ish-deputetit dhe banorëve të fshatit?! Për çfarë po bëhet kjo “luftë” në Kepin e Rodonit? Për pronën e Kaculit apo për mijëra dynymë dhe hektarë, të cilat janë ndarë nga njëra anë nga Agjencia e Pronave dhe nga ana tjetër nga Komiteti i Investimeve Strategjike? BoldNeës.al ka siguruar një mori dokumentesh zyrtare, të cilat hedhin dritë mbi interesa të errëta, por edhe të botës së krimit, mbi pronat në Kepin e Rodonit, një zonë e mbrojtur, ku ndodhen disa monumente natyre dhe monumente kulture. Nga njëra anë është Kisha, pranë të cilës janë mbledhur disa personazhe të njohura të politikës, të akuzuar për krime të ndryshme. Ndërkohë, deri më tani, përballë janë disa banorë. Por, interesa të drejtpërdrejta kanë edhe shumë biznesmenë, ata të cilët kontrollojnë bixhozin në Shqipëri, të cilët nëpërmjet vendimeve të AIDA-s kanë marrë me 1 euro mijëra hektarë në atë zonë.

Dokumentet e mësipërme janë certifikatat e pronësisë së “mollës së sherrit”. Prona ndodhet në hyrje të Kepit të Rodonit, një destinacion turistik që të çon te Kalaja e Skëndërbeut buzë detit Adriatik, te Kisha apo edhe te një bregdet i mrekullueshëm. Sipërfaqja ndodhet në krahun e djathtë, disa metra para se të futesh te trau. Ndërkohë, sipas fotove të vjetra, sipërfaqja ka qenë bujqësore. Por, çuditërisht, ajo sipërfaqe ka dy dokumente pronësie. Madje, të dyja të ligjshme dhe me pronarë të ndryshëm. Më saktë, siç njihet në gjuhën popullore, mbivendosje pronash. Mësohet se certifikatat janë lëshuar në vite të ndryshme, nga drejtore të Hipotekës së Durrësit, disa prej të cilëve të proceduar, hetuar apo arrestuar për shpërdorime detyre. Por, nga dokumente që disponon redaksia e BoldNews.al, edhe rruga, përrenjtë dhe gjithçka tjetër në Kepin e Rodonit ka pronar. Me apo pa të drejtë, disa ish-hetues në Prokurorinë e Durrësit, të cilët tashmë janë bërë avokatë, duke e njohur mjaft mirë zonën, kanë përpiluar kërkesa për regjistrimin e çfarëdo sipërfaqe. Mësohet se “kamuflimi” është Kisha Françeskane, me bazë në Shkodër, por që “drejtohet” nga Podgorica, Mali i Zi.

Një mori dokumentesh zyrtare, të cilat hedhin dritë mbi interesa të errëta edhe të botës së krimit, mbi pronat në Kepin e Rodonit, një zonë e mbrojtur ku ndodhen disa monumente natyre dhe monumente kulture

Deri më tani faktuam se për një sipërfaqe disa dynymësh, ku Kisha e ka 4 dynymë dhe familja Kaculi mbi 5 dynymë, por që në fakt është e njëjta pronë janë dy pronarë! Por, ngjitur kësaj prone, janë ndërtuar dhjetëra vila, nga ato që shiten te agjencitë imobiliare mbi 400 mijë euro. Resorti, siç duket edhe në hartë, quhet “Capo of Rodon”, teksa mësohet se ndërtuesit kanë kërkuar edhe një dalje në det. Por, që të kalojnë në det, duhet pikë së pari që të marrin pronën e Kaculit, disa prona të tjera dhe më pas, nëpërmjet vendimeve të mëvonshme të Komitetit të Investimeve Strategjike, të kryesuar nga Edi Rama, të përvetësojnë gjithçka munden. Por, këtu fillojnë edhe interesat madhorë, ku në lojë janë futur disa biznesmenë të fuqishëm me lidhje të larta në qeverinë e Ramës! Por, le t’i marrim me radhë.

Dokumenti i mësipërm është i Komitetit të Investimeve Strategjike dhe mban numrin 6/5, të datës 15 korrik 2021. Emërtimi i tij është “për miratimin e statusit investim/investitor strategjik procedurë e veçantë për projektin e investimit me potencial strategjik ‘Cape of Rodon faza 1’ i propozuar nga subjekti ‘Premium Finance Invest”. Më tej sqarohet se subjekti dorëzoi pranë AIDA-s dokumentacionin e projektit, i cili përfshinte realizimin e një kompleksi të madh turistik, i cili shtrihej në një gjurmë të konsiderueshme, me sipërfaqe prej 1086.6 ha në zonën e Kepit të Rodonit, Durrës. Pra, një gjurmë prej 1086.6 hektarësh! Praktikisht, pjesa më e madhe e Kepit të Rodonit. Një aferë tejet gjigante, e cila i jepet një firme me një të rënë të lapsit. Nëse të tjerët janë futur në burg për abuzime me pronën e tyre, ka nga ata që marrin mijëra hektarësh me vetëm 1 euro. Dhe, askujt s’i hyn “gjëmbë në këmbë”, pasi fshihen si Investitorë Strategjikë. Në dokument sqarohet se projekti parashikonte realizimin e disa hoteleve, vilave, rezidencave, fushave të golfit dhe shërbimeve të ndryshme. Duke mos pasur certifikata pronësie për gjithë sipërfaqen, firma e ndau projektin në faza të ndryshme. Masa kryesore mbështetëse që kërkon subjekti nëpërmjet procedurës së veçantë për të cilën aplikon është që projekti të miratohet me ligj të veçantë, por projekti i dorëzuar për sipërfaqen prej 1086.6 ha nuk u vlerësua ende i maturuar për këtë masë mbështetëse”- thuhet në vendim. Në fakt nuk është një refuzim, pasi “subjekti ka ndarë projektin me faza dhe faza e parë për të cilën aplikon dhe plotëson kriterin financiar ndahet në katër nënfaza”.

Fizikisht, në Kepin e Rodonit janë ndërtuar dhjetëra vila nga firma “Premium Finance Invest”. Në vendimin e AIDA-s parashikohet se faza e parë parashikon një investim 51.369.355 euro. “Faza e parë e projektit parashikon ndërtimin një hoteli me 4 yje me sipërfaqe 26.150 m2. Do të ketë 250 dhoma si dhe shërbime në funksion të tij, 30 vila me sipërfaqe totale prej 16,200 m2, një kantinë vere me sipërfaqe prej 2,000 m2, një park ujor me sipërfaqe 500 m2” vijon vendimi. Mësohet se projekti i propozuar shtrihet në një sipërfaqe trualli prej afërsisht 44.850 m2, e cila ndodhet në ZK. 3365, Bashkia Durrës. Në fund, për të gjitha këto sipërfaqe u vendos miratimi i kërkesës për fazën I, e cila ka filluar të implementohet.

Por, kush qëndron pas firmës investimit me potencial strategjik “Cape of Rodon Faza 1”, i propozuar nga subjekti “Premium Finance Invest”?! BoldNeës.al shfletoi dokumentet shoqëruese të firmës “Premium Finance Invest”, e cila zotërohet 100 % nga firma “SIG Holding GmbH”. Pronar i kësaj të fundit është z. Bledar Sinani, ose siç njihet ndryshe “Dari i APEX-it”. Emri i z. Sinani është i lidhur ngushtë me bixhozin në Shqipëri, teksa ai ka në pronësi, ose në përdorim, pjesën më të madhe të kazinove. Ai zotëron 100 % të shoqërisë “ËSI”, ndërsa shoqëria ËSI zotëron 100% të kapitalit tek “IMPERIUM INVEST”, ish “ROYAL EAGLE CASINO”.

 

Pra, një biznesmen i fuqishëm i bixhozit ka hedhur “sytë” nga Kepi i Rodonit, teksa ka kërkuar plot 1086.6 hektarë. A ka kaq shumë prona te Kepi i Rodonit të lira? Pa pronarë? Natyrisht që jo, pasi pronat janë kthyer me vendime të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, të trashëguara apo me ligjin 7501. Dokumenti i mësipërm është vendimi Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Durrës. Siç lexohet mjaft qartë, Kisha Katolike, Provinca Françeskane Shqiptare ka kërkuar “njohjen, kthimin ose kompensimin e pronës me sipërfaqe prej 1.183.400 m2”, pronë e ndodhur në fshatin Shetaj, komuna Ishëm të Durrësit. Pra, një pronë e stërmadhe e ndodhur pikërisht te Kepi i Rodonit, një pjesë e së cilës i është kthyer. Në fund, AKKP-ja vendosi “të njohë të drejtën e pronësisë për pronën e llojit tokë arë, truall, kullotë pyll, ranishte, rrugë me sipërfaqe 1.183.400 m2. Nga këto ‘të kthej në natyrë subjektit të shpronësuar Kisha Katolike, Provinca Françeskane Shqiptare sipërfaqen prej 1.157.300 m2’” ,-thuhet në këtë vendim. Pra, deri këtu kemi një “përplasje” tepër të madhe të pronave, ku nga njëra anë “Dari i APEX-it”, nga ana tjetër Kisha dhe në mes banorët e fshatit Shetaj, të cilët e kanë përfituar me ligjin 7501. Por, nëse Kisha ka rrethuar pjesën më të madhe të pronës, pjesa që ka mbetur jashtë saj është bërë “objekt sherri”. Pikërisht, për këtë sipërfaqe të stërmadhe po “luftojnë” të gjithë. Mark Frroku, ish-deputet dhe i arrestuar disa herë, ka dalë në mbrojtje të Kishës. Ai ka marrë përsipër të rrethojë atë pronë, që i është kthyer Kishës, dhe si shpërblim të përfitojë ndonjë “kockë” te pronat e mbetura pranë fshatit Shetaj. Atje ku “Dari APEX-it” kanë filluar të ndërtojnë resorte luksoze. Interesat e mëdha duke se janë shfaqur në sipërfaqe për një nga pronat më të lakmuara të Shqipërisë, Kepin e Rodonit. Nëse deri më tani u zaptua plazhi në Hamallaj, ai i Gjirit të Lalzit, Shën Pjetri, radha i ka ardhur Kepit. Në atë zonë kanë filluar të ndërtohen vilat dhe resortet e para, ku çmimi ka kapur majat. Interesi i madh, për një pronë apo hotel buzë detit, ka përplasur biznesmenë dhe personazhe të botës së krimit. Redaksia e BoldNews.al ka mësuar se, krahas emrave të lartpërmendur, edhe persona me rrezikshmëri shoqërore me nofka qytetesh, kanë interesa dhe janë shfaqur në atë zonë. Madje edhe biznesmenë, të të gjitha krahëve të politikës, të cilët po përfitojnë nga lidhjet deri sipër qeverisë. Për të mos thënë deri te kupola qeverisëse. Por, nëse në atë zonë po ndërtohet vazhdimit, me apo pa leje, kush po i kontrollon? Asnjë nëpunës shtetëror, qoftë i Njësisë Administrative, i Policisë së Shtetit, i Bashkisë së Durrësit, i IKMT-së apo i Kadastrës, nuk merr guximin për të denoncuar këto afera. Madje, as ato ndërtime që po bëhen në mes të ditës. Këto ndërtime nuk i kanë zbuluar as satelitët e Ramës, me vlerë 6 milionë euro. Ato s’kanë parë ndërtime molesh, shtesa katesh apo hedhje inertesh. E gjitha kjo përgjumje duket se ka një emër; Kepin e Rodonit e zotërojnë biznesmenët apo kriminelët e lidhur me qeverinë!/ boldnews