Si po falen tokat shtetërore te miqtë e qeverisë dhe lidhjet e Pajës me socialistët. Reagon aktori: Një e drejtë sipas ligjit

182
Sigal

 

Afera me Gaz Pajën

Si po falen tokat shtetërore te miqtë e qeverisë

Qeveria i hapi rrugë ndërtimit të një resorti turistik , më herët qeveria kishte refuzuar këtë investim të propozuar nga kompania “Startek” . Kur me ‘Startek’ është bashkuar kompania e Gazment Pajës, qeveria ka dhënë dritën jeshile, duke ngritur hije dyshimi

Qeveria i hapi rrugë ndërtimit të një resorti turistik në Dhërmi, duke i dhënë statusin e investitorit strategjik aktorit Gazmend Paja. Më herët, qeveria kishte refuzuar këtë investim të propozuar nga kompania “Startek” me arsyetimin se nuk plotësonte dokumentacionin e nevojshëm. Por, kur me ‘Startek’ është bashkuar kompania e Gazment Pajës, qeveria ka dhënë dritën jeshile, duke ngritur hije dyshimi se ky miratim është bërë për shkak të afrimitetit që ka aktori me kryeministrin RamaDo të thotë se bashkë me një kompani tjetër, Gaz Paja do të jetë përfitues i 133 mijë metër katrorë tokë në Dhërmi. Do të ndërtohen vila dhe një hotel me 5 yje. 108 mijë metra do të përdoren për vila, të cilat do të shiten nga kompanitë dhe nuk sjellin asnjë zhvillim publik për turizmin. Në të gjitha rastet, kohë më të mira po vijnë për familjen Paja dhe duket se çelësi është politika. Tre vite më parë, aktori Luftar Paja ankohej se qeveria i kishte hequr një ilaç nga lista e barnave të rimbursueshme në një kronikë televizive .“Të më heqësh Xareto-n mua është të më thuash: Bëhu gati për trompozën! Bëhu gati për të shkuar në Sharrë apo Tufinë! Unë si pensionist nuk kam 100 mijë lekë të blej Xareto, nga halli do shfrytëzoj fëmijët e mi”, thoshte Luftar Paja. “Një çikë mëshirë nuk duhet patur që të çpohemi nëpër damarë ne?” ishte pyetja që ngrinte ai, duke kërkuar reflektim nga qeveria për vete dhe të moshuarit e tjerë.

 Lidhjet e Luftar Pajës me socialistët

Kur Edi Rama si ministër Kulture bashkëbisedonte me artistët për shembjen e Teatrit kombëtar, Luftar Paja ishte një nga aktorët që i tundte gishtin Edi Ramës dhe i bërtiste: “Me brekët e Violeta Manushit mos u tall, janë brekë të arta”.Reagimi instiktiv erdhi pas batutës së Ramës, i cili u tha artistëve që “brekët e Violeta Manushit t’i bënin monument kulture”. Por disa vite më vonë, aktori u shfaq si vizitor në grevën e urisë që socialistët në opozitë bënë kundër Berishës me moton “Hap kutitë ose largohu”.Pas ardhjes në pushtet të Rilindjes, Luftar Paja u rreshtua mes aktorëve që ishin pro prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar.Tashmë i biri ishte shndërruar në dekor rutinë në takimet e fushatës së Veliajt dhe ndonjëherë edhe Ramës. Në zgjedhjet lokale të 2019 ai ishte edhe kandidat për Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Lidhjet e Gazmend Pajës me socialistët

Njësoj si i ati, aktori Gazmend Paja i ka shprehur publikisht bindjet në favor të projektit të Rilindjes me të cilin socialistët e Edi Ramës qeverisin që prej vitit 2013.Fotot tregojnë disa nga aktivitetet apo takimet private mes Pajes së ri dhe drejtuesve të PS. Ai është shfaqur disa herë si bashkëpuntor në projektet e Bashkisë së Tiranës, në takimet e fushatës së Erion Veliajt apo në takimet private me Edi Ramën.Sot, ato takime, kontributi në fushatë dhe deklaratat publike, janë provë që shpallja si “investitor strategjik” nuk ishte një rastësi.Skema që e bëri aktorin e Portokallisë investitor strategjik me resort në Dhërmi?Në vitin 2017, kompania Startek aplikoi e vetme për të fituar të drejtën e ndërtimit të resortit në Dhërmi, por dështoi. Kërkesa u kthye për plotësimin e dokumentacionit. Dy vite më vonë, projektit iu bashkua kompania e Gazmend Pajës. Atëherë qeveria u bind dhe e shpalli fituese.Pak ditë më parë u zbulua se Rama kishte shpallur investitor strategjik për një hotel në Jug të vendit edhe Artan Gaçin, burrin e ministres Olta Xhaçka. Edhe Gaçi do të ndërtonte një hotel në bregdet dhe tha se po paragjykohej në media sepse ishte bashkëshorti i ministres.Ligji për investitorët strategjikë është konsideruar nga opozita si një maskim për të favorizuar miqtë dhe klientët e qeverisë. Pas shpalljes si investitor strategjik, shteti ofron mbështetje me infrastrukturë, furnizimin me ujë dhe energji elektrike dhe konsolidim të titujve të pronësisë për pronën që i jep investitorit.Sipas kritikëve ligji po i shërben pak personave të lidhur me pushtetin, pa sjellë ndonjë ndikim të dukshëm në ekonomi. Shpallja e investitorëve strategjikë bëhet pa garë, pa transparencë, dhe pa asnjë monitorim.Sipas lapsi cilido të ketë qenë roli i aktorit të Portokallisë në projektin e rezortit në Dhërmi, ai mund të konsiderohet një reflektim pas kronikës. Investimi prej 133 mijë metrash katrorë në bregdet është një projekt me leverdi. Në moshën e pleqërisë, ilaçet nuk do të jenë problem.

 

Aktori Paja: Kemi aplikuar për investitor strategjik, si një e drejte që na jep ligji

Aktori i njohur i humorit Gazmend Paja reagoi pas akuzave se qeveria e ka favorizuar për të fituar statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort. “Nuk kam përfituar asnjë cm2 tokë nga shteti. Në vijim të shpifjeve të turpshme dhe të motivuara politikisht që qarkullojnë në media, dëshiroj të sqaroj opinionin publik për sa vijon: Kompanitë Startek dhe Ecotech kanë nënshkruar një marrëveshje me një kompani te huaj, të specializuar në fushën e turizmit për ndërtimin e një resorti turistik. Për këtë qëllim, kemi vënë në dispozicion një pronë të cilën e kemi blerë nga pronarë të ligjshëm si dhe asete financiare të garantuara nga Bankat.Kemi aplikuar për investitor strategjik, si një e drejte që na jep ligji në bazë të vlerës së investimit.Kushti Ligjor për marrjen e statusit të mësipërm është: Dakordësia me gjithë pronarët e ligjshëm të pronave në këtë zonë, ku me një pjesë të pronarëve janë nënshkruar marrëveshjet përkatëse, Ndërsa me pjesën tjetër jemi ende në faze negocimi. Përgënjeshtrojmë me forcë shpifjet në qarkullim dhe theksoj se: që nga fillimi i këtij procesi e deri më sot, nga ana jone, nuk është përfituar asnjë cm2 tokë shtetërore”, shkruan Paja në postimin e tij.