Shtohet zemërimi qytetar kundër CEZ-it

463
Sigal

SKANDALET E CEZ-it/ Mungesa e energjisë, banorët e Kombinatit protesta, bllokojnë rrugën

Banorët e Kombinatit kanë dalë sërish dje në protestë, pas mungesës së energjisë elektrike. Mësohet se banorët e Kombinatit kanë protestuar dje pasdite në qendër të Kombinatit, duke bllokuar kështu edhe rrugën kryesore ‘Misto Mame’. Në shenjë proteste, ata kanë djegur edhe goma në rrugë, ndërsa mbajnë pankarta në duar, me anë të cilave kërkojnë rikthimin e energjisë. “Kemi një jave pa energji elektrike në Kombinat”, shprehen ata. Banorët e komunës Kolsh në Lezhë u rikthehen protestave për mungesë së energjisë elektrike, pasi situata nuk është përmirësuar. Banorët mesditën e djeshme i janë drejtuar zyrës së CEZ në ndërmarrjen elektrike dhe të ujësjellësit duke nxjerrë përjashta të gjithë punonjësit duke bërë që të pezullohet puna. Ndërkohë, vetëm pak kohë më parë banorët e Kolshit kanë pezulluar aksin nacional Shkodër- Tiranë në shenjë proteste për mungesën e energjisë elektrike. CEZ në një reagim thekson se 80 % e banorëve të dy fshatrave të kësaj komune janë debitorë, ndaj për këtë arsye kompania ka marrë vendimin e ndërprerjes së energjisë.

Kërkohet heqja e licencës për CEZ-in

Për herë të parë përfaqësuesit e Entit Rregullator të Energjisë shpjegojnë arsyet pse kërkojnë fillimin e procedurave për heqjen e licencës për kompaninë CEZ Shpërndarje.  “ERE si hap të parë mori vendosjen e gjobave për kompaninë CEZ. Problematikë kryesore është mosimportimi i energjisë nga ana e CEZ për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes, pasi jeni në dijeni siç e ka bërë ERE publike, CEZ ka detyrimin ligjor, që të importojë sasinë totale të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, gjë të cilën nuk po e kryen. Kjo është arsyeja kryesore, pastaj shkelje të tjera vijon dhe janë moslikujdimi i kompanive në sektorin energjetik të KESH dhe OST-së, mungesa e investimeve, këto mund të themi se janë gjërat më themelore, të cilat po i rakordojmë dhe monitorojmë në terren”,- deklaroi Entela Çipa, përfaqësuese e ERE. Ndërkaq, një tjetër përplasje mes kompanisë ceke dhe Entit Rregullator është mosmiratimi nga ERE i rishikimit të garancisë për marrjen e një kredie me vlerë 100 milionë nga CEZ. “ERE ka njohur interesin e kësaj kompanie për të disbursuar vlerën 100 milionë euro nga EBRD-ja, por CEZ kërkoi në mes të lëvrimit të kësaj kredie një garanci shtesë të kësaj për të vijuar lëvrimin e kredisë, lënien peng të aseteve të shpërndarjes dhe këtë ka kundërshtuar ERE”,- theksoi Çipa. Mbledhja e bordit të komisionerëve të ERE-s, ku do të merrej vendimi për licencën e CEZ ishte parashikuar për ditën e sotme, por është shtyrë sërish për në datën 22 tetor.