Fatos Nano shpalos platformën e PSL-së

600
Sigal

Ish-lideri i PS-së dhe ish-Kryeministri Nano ka folur dje ndërsa ka marrë titullin “Honoris Causa”

Ish-lideri i Partisë Socialiste Fatos Nano ka thyer dje heshtjen e gjatë prej më shumë se tre muajsh, ndërsa është shfaqur në publik për të marrë titullin “Honoris Causa” në një universitet privat. Pasi dështoi në garën për President, kohë në të cilën pati zanafillën lëvizja me emrin e tij, Lëvizja Nano u paralajmërua si një lëvizje politike në rast se do të vazhdonin grindjet, sherret dhe përçarjet në Partinë Socialiste. Por kjo lëvizje u duk sikur u fashit gjatë muajve të verës, ndërsa u rizgjua javën e kaluar. Disa emra të njohur në PS, të cilët njihen si mbështes të Nanos, paralajmëruan se së shpejti do të krijohet një parti e re e majtë nën drejtimin e Fatos Nanos. Tashmë është mësuar edhe emri i kësaj partie, e cila sipas të gjitha gjasave do të quhet Partia Socialiste Liberale (PSL). Mirëpo merret vesh se Nano ka qenë i pakënaqur me ithtarët e tij, të cilët edhe i ka qortuar, pasi dekonspiruan skemën e lëvizjeve të mëtejshme të tij. Gjatë marrjes së titullit dje në UET, Nano në fakt shpalosi thelbin e platformës së lëvizjes së tij, të cilën pret ta paraqesë të plotë dhe të detajuar në Asamblenë e PS-së. Nano foli si udhëheqës i një force politike të papërcaktuar, por që la të nënkuptohet se do të mbledhë në gjirin e saj të pakënaqurit si nga Rama, ashtu dhe nga Berisha. Ky ishte nënteksti i fjalëve të ish-kryeministri se duhet të frenohet përqendrimi i pushteteve në një dorë. Sepse ndërkohë është folur për një ngjashmëri të madhe në stilin e drejtimit midis Berishës dhe Ramës. Ndërkaq Nano përmendi edhe disa nga problemet më akute që ka demokracia shqiptare. Parashtrimi i platformës, sikurse njoftuan disa burime brenda “Lëvizjes Nano” do të bëhet nga ana e vetë Nanos në mbledhjen e Asamblesë së PS-së dhe, mandej, në rast se do kundërshtohet dhe nuk pranohet kjo platformë, do të kalohet në formimin e partisë së re nën drejtimin e Nanos. Pra së shpejti në spektrin e majtë të politikës shqiptare do të kemi edhe PSL-në e Nanos, e cila pretendon të bashkojë të majtët e larguar prej Ramës dhe të pakënaqurit nga strategjia që po ndjek Rama për zgjedhjet e ardhshme. Partia e re e Nanos do të dalë me kandidatët e saj për deputetë në zgjedhjet e 2013-s, duke qenë një parti liberale e majtë. Është e natyrshme që shpresa e vetme e tyre është të marrin vota nga partia mëmë që tani drejtohet nga Rama. Rreth gjashtë muaj deri në zgjedhjet e ardhshme, për përfaqësuesit e kësaj lëvizjeje duken të mjaftueshëm për të hyrë në ringun e politikës, pavarësisht skepticizmit të disave. Sidoqoftë, gjithçka varet nga qëndrimi që do të mbajë forumi i lartë i PS-së ndaj platformës së Nanos. Në rast se ajo pranohet dhe Nano ftohet të jetë pjesë e PS-së, do të evitohet përçarja. Në rast të kundërt, krijimi i Partisë Socialiste Liberale është i pashmangshëm.

Nano: “Të frenohet përqendrimi i pushteteve në një dorë”

Ish-kryeministri i vendit Fatos Nano ka bërë një panoramë të politikës shqiptare në kohën që qeverisej vendi nga ai, deri më sot. Deklaratat e Nanos janë bërë nga ceremonia në UET, ku ai u nderua me urdhrin ‘Honoris Causa’. Nano tha se, vendit i nevojiten zgjidhje më të qëndrueshme dhe më të ekuilibruara për zhvillimin e mëtejshëm. “Të gjithë duhet të kontribuojmë për zhvillimin e aspiratave për integrim. Është ekonomia ajo që vendos për treguesit e integrimit “, shtoi ai. Duke deklaruar se shërbimi i tij në politikën e vendit zë një pjesë të konsiderueshme të historisë së demokracisë së Shqipërisë, Nano pohoi se vendi ka ende probleme të pazgjidhura. “Problemet vazhdojnë të jenë aty, nuk po zgjidhen. Problemet vazhdojnë nga prona dhe deri te drejtësia”, tha ai ndërsa nënvizoi se: “Shqipërisë i shërben më mirë kontrolli vertikal”. Ish-Kryeministri deklaroi ndër të tjera se duhet të frenohet përqendrimi i pushteteve në një dorë. “Politika të rritet e të stabilizohet si një profesion që do kualifikime. Ndaj me ju shqetësimin se pse iniciativa të suksesshme shuhen”, tha Nano. Duke folur për zgjedhjet Nano u shpreh se në Shqipëri ato janë përgjithësisht emocionale. “Në Shqipëri të gjitha zgjedhjet janë emocionale, e largojnë publikun nga zgjedhja racionale. Opozita në vitet kur unë isha në qeveri, 1997-2005 mori më shumë të drejta se sa i jepte vota” , shtoi ai.