SHQIPËRIA VOTON KUNDËR SHBA

464
Shpërthen Trump: Marrin paratë tona, pastaj votojnë kundër
SHQIPERIA KUNDER SHBA/ Tirana zyrtare refuzon kërkesën e Uashingtonit për të hedhur poshtë rezolutën në OKB. Shtëpia e Bardhë: Do t’i mbajmë shënim këto vota 
Shqipëria votoi kundër qëndrimit amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në një ndër çështjet më të debatuara dhe më të rëndësishme për politikën e jashtme të Uashingtonit. Pavarësisht deklarimit të hapur të Shteteve të Bashkuara për rëndësinë e votës pro qëndrimit të tyre për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, Tirana zyrtare vendosi të bashkohet me kundërshtarët e kësaj linje. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Në mbyllje të votimit, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. Shqipëria ishte mes 128 vendeve që votuan pro rezolutës. “Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran”, tha ambasadorja e SHBA në OKB, Niki Halej, në komentet e bëra në sallën e mbushur plot para votimit. Diplomatja amerikane ishte edhe më direkte. “Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, shtoi Halej.

Sesioni i Asamblesë u mbajt pas vetos që SHBA i vuri të hënën në Këshillin e Sigurimit një projekt-rezolute pothuajse të njëjtë, të cilën të gjithë anëtarët e tjerë të këshillit e mbështetën. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme riafirmon statusin e veçantë të Jeruzalemit si një qytet i shenjtë dhe si një çështje e statusit përfundimtar që do të zgjidhet në negociatat e ardhshme izraelito-palestineze. Aty thuhet gjithashtu se “të gjitha vendimet dhe veprimet që pretendojnë të kenë ndryshuar karakterin, statusin ose përbërjen demografike të Qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit nuk kanë efekt ligjor, janë të pavlefshme dhe duhet të anulohen”. Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, kjo rezolutë nuk është ligjërisht e detyrueshme për t’u zbatuar, por mbart peshë morale, duke demonstruar vullnetin e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare. Ajo u miratua me më shumë se dy të tretat e 172 vendeve që votuan, pasi 128 vende e mbështetën. Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit iu bashkuan në votimin “jo” Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezi, Nauru, Togoja dhe Palau. Më shumë se 20 vende nuk u paraqitën në votim, përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë, të cilat kanë kërkuar ndihmën e SHBA për të frenuar agresionin rus ndaj vendeve të tyre.

Trump merr listën e vendeve rebele
Në fillim të javës, ambasadorja e SHBA në Nju-Jork, Niki Halej, u shkroi shumë vendeve anëtare të OKB-së dhe i paralajmëroi se do të mbante shënim emrat dhe do t’i raportonte Presidentit Donald Trump, se si votuan vendet e ndryshme, duke vënë në dukje se presidenti po e merrte votën e së enjtes në mënyrë personale. Presidenti i SHBA, Donald Trump kërcënoi me ndërprerjen e fondeve ndaj vendeve që përpiqen të votojnë në OKB një rezolutë, duke dënuar njohjen nga ana e Uashingtonit të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. “Ne do të mbajmë shënim këto vota”, u shpreh ai nga Shtëpia e Bardhë, duke dënuar të gjithë këto shtete që marrin paratë tona dhe më pas votojnë kundër nesh në Këshillin e Sigurimit apo në Asamblenë e Përgjithshme. “Ata marrin qindra milionë dollarë dhe ndoshta miliarda dollarë dhe më pas votojnë kundër nesh”, u shpreh ai me rastin e një takimi në prani të kabinetit. “Lërini të votojnë kundër nesh, ne do të kursejmë shumë”, shtoi ai, para se të falënderonte ambasadoren amerikane në OKB, Niki Halej, për iniciativën e saj në këtë çështje.

“Historia i regjistron emrat, i kujton emrat”, tha në Asamblenë e Përgjithshme ministri Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki. “Emrat e atyre që i qëndrojnë asaj që është e drejtë dhe të atyre që flasin gënjeshtra.” “Sot ne jemi kërkues të të drejtave dhe të paqes”, shtoi ai. Ndërsa ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu ishte posaçërisht në Nju-Jork për të marrë pjesë në seancën e veçantë. Ai hodhi poshtë me zemërim paralajmërimin e Trump se, nëse vendet votojnë kundër Shteteve të Bashkuara, ai mund t’u shkurtojë ndihmat. “Një qëndrim i tillë është i papranueshëm”, tha Çavushoglu. “Ky është frikësim dhe kjo sallë nuk do të përulet para kësaj. Është joetike të mendosh se votat dhe dinjiteti i shteteve anëtare mund të shiten e blihen. Ne nuk do të frikësohemi”, tha ai. Por lobimi i SHBA përpara votimit i bindi disa vende të abstenonin, duke përfshirë fqinjët, Kanadanë dhe Meksikën. Edhe në Bashkimin Evropian prej 28 vendesh, disa anëtarë e braktisën konsensusin për Jeruzalemin, përfshirë Republikën Çeke, Poloninë dhe Hungarinë, të cilat abstenuan.
SHBA falënderon shtetet që e mbështetën
Shtetet e Bashkuara falënderuan shtetet që mbështetën qëndrimin e saj lidhur me Jeruzalemin. Ambasadorja amerikane në OKB, Niki Halej, shprehu “vlerësimin për këto vende, që nuk ndoqën rrugën e papërgjegjshme të Kombeve të Bashkuara”. Mes shteteve që u rreshtuan në krah të SHBA dhe kundër qëndrimit zyrtar të BE-së, duke votuar kundër apo abstenuar për rezolutën, spikasin edhe vende ballkanike apo europiane si Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Hungaria e Rumania, krahas Republikës Çeke. 

Vendet pro SHBA
1 – Antigua-Barbuda
2 – Argjentina
3 – Australia
4 – Bahamas
5 – Benin
6 – Butan
7 – Bosnje-Hercegovina
8 – Burma
9 – Kamerun
10 – Kanada
11 – R.Afrikës Qendrore
12 – Kolumbia
13 – Kroacia
14 – Çekia
15 – R. Domenikane
16 – Kongo
17 – El Salvador
18 – Guinea Ekuatoriale
19 – Fixhi
20 – Gjeorgjia
21 – Guatemala
22 – Guinea Bisau
23 – Haiti
24 – Honduras
25 – Hungaria
26 – Izraeli
27 – Xhamajka
28 – Kenia
29 – Kiribati
30 – Letonia
31 – Lesoto
32 – Malavi
33 – Ishujt Marshall
34 – Meksika
35 – Mikronezia
36 – Moldovia
37 – Mongolia
38 – Nauru
39 – Palau
40 – Panama
41 – Paraguaj
42 – Filipinet
43 – Polonia
44 – Rumania
45 – Ruanda
46 – Samoa
47 – San Marino
48 – Sao Tome dhe Principe
49 – Sierra Leone
50 – Ishujt Solomon
51 – Sudani Jugor
52 – St. Kitts-Nevis
53 – St. Lucia
54 – Zvaziland
55 – Timori Lindor
56 – Togo
57 – Tonga
58 – Trinidad-Tobago
59 – Turkmenistan
60 – Tuvalu
61 – Uganda
62 – Ukrainë
63 – Vanuatu
64 – Zambia
Sali Berisha, ish-kryeministër
Akt i rëndë antikombëtar
“Klika e neo-bllokmenëve hoxhistë, me në krye bastardin e xhelatëve të shqiptarëve Koleka-Rama votoi në OKB, në traditën atërore, kundër SHBA-së, vendi i cili nga vitet ’20 të shekullit të kaluar deri sot ka luajtur rol përcaktues në lirinë e kombit shqiptar. Me këtë akt politika e jashtme e Shqipërisë shndërrohet në një politikë të mirëfilltë antikombëtare. Ajo përfaqëson interesat e baronëve të drogës dhe balozëve neo-bllokmenë të krimit dhe jo të shqiptarëve”.

Tritan Shehu, ish-ministër i Jashtëm
Votë kundër Kosovës
“Votimi i Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kundër pozicionit amerikan, një votim edhe kundër interesave të vendit tonë. Një votim edhe kundër interesave të Kosovës, të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi etj. Një votim kundër interesave tona në përgjithësi. Një politikë jashtme e përgjegjshme e çdo shteti, në radhë të parë është në funksion e mbron interesat e qytetarëve e bashkëkombësve të tij.
Mal Berisha, ish-ambasador
Kundër votës anti-Trump
“Vota anti–Trump në OKB, është në të vërtetë: Votë anti-Uillson, që mbrojti kufijtë e Shqipërisë; votë anti-Huver, që sponsorizoi arsimin shqiptar me fondet e veta personale; votë, anti-Bernstein, ambasadorit amerikano–hebraik; votë anti-Bush, i cili i vuri vijën e kuqe Millosheviçit; votë anti-Klinton, që urdhëroi goditjet ajrore për çlirimin e Kosovës; votë anti-Bush, i cili njohu pavarësinë e Kosovës; votë anti-Obama, i cili mbështeti Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë; votë kundër Trump, i cili ishte për ndërhyrje tokësore në Kosovë”.

Sulejman Tomçini, ish-ambasador
Duhej zgjedhur abstenimi
“As Palestina e as Izraeli nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran. Në këto kushte qëndrimi më i drejtë i Shqipërisë në votimin për Jeruzalemin ne OKB do ishte abstenimi. Ajo, kundrejt votimit pro rezolutës arabo-palestineze, që i kundërvihet vendimit amerikan, mund t’i kërkonte Palestinës dhe disa vendeve të tjera islamike, njohjen e shtetit të Kosovës. Për sa u përket kërcënimeve të Trampit se do u pres ndihmën vendeve që votojne kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, nuk besoj se do ketë ndonjë efekt”.

Agim Nesho, diplomat
Qëndrim amatoresk
“Ne kemi votuar gabimisht kundër SHBA në një rezolutë që nuk është detyruese dhe nuk ka fuqinë e rezolutave të Këshillit të Sigurimit. Një rezolutë e tillë u hodh poshtë të hënën e paraqitur nga Egjipti dhe përkrahur nga shtetet e tjera. Kjo është një miopi, një qëndrim më tej se naiv dhe amatoresk i Shqipërisë ndërkohë që kjo është kërkuar si rezolutë politike.Ndërkohë që SHBA ka thënë se do të shikojnë qëndrimin e çdo shteti. Kemi mbajtur një qëndrim kundër SHBA dhe Presidentit Trump”.

Albert Gajo, ish-zv/ministër
Shqipëria, në konjukturat pro-osmane
“Sot Turqia del si mbrojtëse e kauzës palestineze, sepse kanë ndryshuar konjukturat dhe interesat e saj gjeopolitike. Por pyetja shtrohet, pse Shqipëria duhet të jetë pjesë e këtyre konjukturave pro-osmanlliut të ri? Këtë duhet të shpjegojë Ministria e Jashtme, jo të mbrohet me koherencën me Bashkimin Evropian, i cili asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk ka koherencë për qëndrimet e politikës së jashtme, pavarësisht se kanë një Ministër, Komisioner për Çështjet e Jashtme”.

Kryeministri, në Nju-Jork me biznesmenët
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Nju-Jork, ku është takuar me sipërmarrës dhe profesionistë të suksesshëm të komunitetit shqiptar në Amerikë. Sipas kryeministrit, në këtë takim është diskutuar për sfidat në rrugën e ndërtimit të Shqipërisë dhe për të çuar përpara idetë dhe projektet konkrete të bashkëpunimit që zunë fill në Samitin e parë të Diasporës, mbajtur një vit më parë në Tiranë.

Kryemadhi: Rama i pabesë kundër SHBA-së
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka treguar detaje nga takimi i dy ditëve më parë në selinë e LSI-së me ambasadorin e SHBA në vendin tonë, Doland Lu. Në emisionin “Të Paekspozuarit” me Ylli Rakipin, Kryemadhi tha se gjatë 90 minutave takim me ambasadorin Lu, kanë biseduar për vizitën e saj të parë zyrtare në SHBA si kryetare e LSI-së. Më tej, Kryemadhi tha se, duke folur për situatën politike në vend, ajo e ka paralajmëruar ambasadorin Lu për sjelljen e kryeministrit Rama. Sipas saj, kreu i qeverisë “është i pabesë”, duke iu referuar edhe votës së Shqipërisë në OKB ditën e djeshme. “I thashë ambasadorit Lu të mos i zërë besë Edi Ramës. I kam thënë, Edi Rama nuk ka për ta lejuar që ti të zhvillosh reformën në drejtësi, ai ka përdorur politikën për të bllokuar reformën. Ai është i pabesë. Kur Edi Rama i ka futur tre herë thikën pas shpine Ilir Metës që e bëri tre herë kryetar bashkie, dhe kryetar qeverie. Apo kur tradhtoi Bashën pas marrëveshjes për të kundërshtuar Metën, do të vijë dita kur të ‘tradhtojë’ edhe SHBA. Edhe sot, është i lumtur që ia ka bërë këtë Amerikës, vota kundër njohjes së Izraelit, e Edi Ramës, është thika që Edi Rama i ka bërë Amerikës”, u shpreh kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Sipas saj, me votën e Shqipërisë kundër SHBA-së rrezikohet të ndërpriten edhe financimet amerikane për reformën në drejtësi, përfshirë ato për ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. 

Shqipëria: Votuam sipas shumicës së vendeve të BE-së
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi, se vota pro rezolutës që u kërkon Shteteve të Bashkuara tërheqjen nga njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, reflekton pozicionin e pandryshuar të Shqipërisë për këtë çështje. “Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme. Rezoluta e parashtruar nga Egjipti thotë në tekst, se çdo vendim për statusin e Jeruzalemit “është nul dhe i pavlefshëm” dhe duhet të tërhiqet.

Izraeli: Jeni kukulla të manipuluara
“Ata që mbështesin rezolutën e OKB-së janë si kukulla të manipuluara me fijet e mjeshtërve palestinezë”, tha ambasadori izraelit, Danny Danon. “Jeni si marioneta të detyruara të kërceni, ndërsa udhëheqja palestineze ju vëzhgon e ngazëllyer”, tha ai. Sesioni emergjent i Asamblesë së Përgjithshme u kërkua nga palestinezët, me mbështetjen e vendeve arabe dhe atyre të paangazhuara. Izraeli e konsideron tërë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm, ndërsa palestinezët duan Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm dhe thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm në procesin e paqes. Administrata Trump thotë se është e angazhuar për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme në qoftë se kjo është diçka që palët e dëshirojnë dhe se vendi fizik i ambasadës amerikane nuk duhet të ketë ndikim në bisedime.

Halej: Kosova, anëtare e OKB-së
Nën organizimin e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju Jork – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, me përkrahje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Asociacionit të Agjencive Rajonale Zhvillimore (ARDA), në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë promovuar prodhimet e Kosovës. Në pritjen e fundvitit në të cilën ishin të ftuar ambasadorë të akredituar në Kombet e Bashkuara, përfaqësues të diasporës shqiptare, përfaqësues të bizneseve amerikane, mori pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara, Niki Halej. Gjatë fjalimit të saj, ajo tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë që Kosova të njihet si shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara, sepse Kosova dhe SHBA respektojnë njëra-tjetrën, besojnë te njëra-tjetra dhe kanë të njëjtat vlera demokratike, duke shtuar se kjo lloj lidhje nuk mund të ndërpritet. Duke folur për sfidat që të gjitha shtetet i kanë në momente të caktuara, ajo përmendi edhe faktin që Kosova ka ndihmuar Shtetet e Bashkuara gjatë stuhisë së fundit që goditi Teksasin, bëri të ditur “Dielli”.
Sigal