“Shqipëria në diktaturë”/ Berisha: Rruga e vetme e shpëtimit është mosbindja civile

15
Sigal

Ish-kryeminsitri, Sali Berisha, ka mbajtur fjalim sërish pasditen e sotme në tubimin qytetar që mbahet prej disa muajsh poshtë banesës së tij.

Në fjalën e tij për të pranishmit, Berisha tha se Shipëria është në diktaturë, pasi Rama ka të gjitha pushtetet në dorën e tij, dhe e vetmja rrugë e shpëtimit është mosbindja civile.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Në mars të vitit 1990, 34 vite më parë, nuk kishte PD, nuk kishte pluralizëm, kishte vetëm diktaturë të egër që vriste dhe pushkatonte të rinj në kufi.

Por kjo nuk i trembi guximtarët e Kavajës, misionarët e Kavajës.

Përkundrazi, ata u ngritën si viganë, u përballën me forcat më të egra të regjimit dhe e mposhtën, e nënshtruan.

Pra, duke shprehur ne sot nderimin më të madh për heronjtë, trimat, guximtarët e 26 marsit, ftoj shqiptarët të frymëzohen prej tyre, prej guximit të tyre, vendosmërisë së tyre dhe të përmbushin detyrimin madhor si qytetarë, si demokratë, si opozitarë, çlirimin e Shqipërisë nga kjo diktaturë.

Mos harroni se me 26 mars të vitit 1990, regjimi bënte natën dhe ditën, nuk kishte opozitë.

Izolimi vazhdonte i plotë.

Por luftëtarët e lirisë nuk i zmbrapsi asgjë atë ditë.

Dolën në shesh.

Vepra e tyre është ftesë për ne: të dalim në shesh, të dalim si ata, të dalim në stadiume, të dalim në rrugë, të dalim kudo, të përballemi me diktaturën.

Rruga e vetme e shpëtimit është rruga e mosbindjes civile.

Rruga e largimit nga pushteti të kësaj qeverie, të këtij njeriu që ka sot të gjitha pushtetet në duart e tij.

Në vitin 1990, djemtë e Kavajës nuk kishin përveç njëri-tjetrit asnjë mbështetje mbi tokë.

Por kjo nuk i pengoi ata të përballen dhëmb për dhëmb në mosbindje civile me të keqen e kombit, me të keqen e shoqërisë dhe të fitojnë mbi të.

Duke shprehur nderimin tim më të madh, mirënjohjen më të pakufishme, për heronjtë e betejës epike të stadiumit dhe qytetit të Kavajës 34 vite më parë, ftoj shqiptarët të frymëzohen nga akti i tyre epik dhe të fitojmë.

Të largojmë dhe ne këtë të keqe të madhe që ka pushtuar Shqipërinë.